Policia e Shtetit bëri të ditur se ka zbuluar identitetin e dy skafistëve shqiptarë që u arrestuan në Brindisi falë një operacioni në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe ku u kapën 557 kg kanabis.
Gjatë ndjekjes, 2 skafistët e hodhën ngarkesën në det. Më pas ajo u rikuperua dhe rezultoi se ishte rreth 560 kg marijuanë. Të arrestuar janë shtetasit G.M., 32 vjeç dhe A.B., 27 vjeç nga Vlora. Dy forcat policore po punojnë bashkarisht për këtë rast, si dhe për të zbuluar bashkëpunëtorë në këtë tentativë trafikimi.
Gomonia me mbi 500 kg kanabis po kontrabandohej drejt Brindisit nga dy skafistët shqiptarë me gomone. Por pas një ndjekjeje të shkurtër në det, dy kontrabandistët u kapën me marihuanën e paketuar në 24 dëngje të mëdha. Nëse kjo lëndë narkotike do të shitej do të nxirrte 5 milionë euro fitime.
Sipas mediave italiane, operacioni u krye në bashkëpunim me Policinë shqiptare dhe Njesinë e Policisë Kufitare të Guardia Di Finanza të stacionuar në Durrës dhe oficerin ndërlidhës të Policisë shqiptare në Itali. Që nga fillimi i vitit 2018, janë arrestuar 39 kontrabandistë, janë konfiskuar më se 16 ton marihuanë nga Guardia Di Finanza në Pulie dhe 16 mjete lundrimi.