Loading...

Analiza e Blendi Fevziut për historiografinë shqiptare në komunizëm: Leka Zogu, kri**nel që në moshën 5 vjeç

Gazetari dhe analisit Blendi Fevziu ka hedhur një koment apo këndvështrim mbi atë ç’ka ndodhur në historiografinë shqiptare, e cila gjatë viteve të diktaturës u vu në shërbim të ideologjisë, duke i ndarë si me thikë personazhet historikë, në “të mirë” dhe “të këqij”. Angazhimi politik do të shenjonte për një gjysmë shekulli, historitë e secilit… ‘Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”’, botuar në revistën “Medius” hedh dritë në ca prapaskena historike. Ramiz Alia dhe Leka I përballë njëri tjetrit.

BLENDI FEVZIU/ Në një pritje të Ambasadës Franceze më 14 korrik të vitit 2002 isha duke biseduar më këmbë, në mes të një grumbulli të madh e heterogjen të ftuarish me liderin e fundit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alinë. Nuk e kujtoj nëse biseda ishte fokusuar në çështje të ditës apo të së shkuarës, por një moment dallova pretendentin e fronit mbretëror, Lekën e Irë, ose Leka Zogun siç njihet në Shqipëri, që po afrohej duke përshëndetur të ftuarit në dy anët e tij. Leka kishte mbërritur në Shqipëri ca javë më parë, për t’u vendosur përfundimisht në atdhe, prej nga ishte larguar thuajse 48 orë pasi kishte ardhur në këtë jetë dhe qe kthyer tashmë 63-vjeçar. Më të isha njohur 3 vjet më parë në Johanesburg të Afrikës së Jugut, kur i kisha bërë, së bashku me të ëmën, Mbretëreshën Geraldinë, një intervistë shumë interesante. Leka u afrua të më jepte dorën dhe vetëm momentin e fundit dalloi përballë meje Ramiz Alinë. Lideri i fundit komunist dhe pretendenti për fron u gjendën përballë, të dy të ngrirë, pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, por edhe pa mundur të thonë asnjë fjalë.

Rastësia i vendos njerëzit në situata të çuditshme e, shpesh, shumë problematike. Ajo ngrirje prej statujash e të dyve, vetëm një hap larg, ishte më shumë se një ngërç personash, ishte një ngërç i historisë. Leka Zogu ishte larguar nga Shqipëria 2 ditë pasi kishte lindur. Babai i tij u largua si pasojë e pushtimit italian dhe jo e ndonjë zhvillimi të brendshëm politik. Logjikisht një fëmijë nuk mund të mbajë kurrë përgjegjësi për bëmat e babait të tij dhe as të jetë përgjegjës për një kohë kur ai nuk kishte lindur ende. Por komunistët nuk e ndoqën këtë parim universal. Ramiz Alia doli në atë kohë partizan dhe u bë një nga liderët e rëndësishëm komunistë në vite. Pas ardhjes së tyre në pushtet, Mbretit iu ndalua kthimi në Shqipëri. Kur Mbreti Zog i I-rë iku nga kjo botë, Leka u konsiderua kërcënimi kryesor i regjimit.

Ai u vendos në krye të listës së kriminelëve të luftës edhe pse gjatë saj kishte qenë 4 – 5 vjeç dhe kishte jetuar në Angli! Komunistët vendosën ta luftojnë Lekën me çdo mënyrë dhe kudo që të ishte. Por edhe Leka nuk u pajtua me fatin e tij. Ndërmori jo pak nisma për ta rrëzuar regjimin komunist, edhe pse pa sukses. Nëse Alia dhe regjimi i tij do ta kishte kapur Leka Zogun, ai patjetër do të kishte përfunduar në togën e pushkatimit. Por edhe Leka nuk do të kishte pasur ndonjë sjellje më bujare nëse Alia një ditë do të ishte në dorën e tij. Ata kishin luftuar fort si dy kundërshtarë politikë, produkte të ideologjive të ndryshme dhe tani gjendeshin përballë. Të pafuqishëm për ta luftuar njëritjetrin; të pabindur plotësisht për ta falur njëri-tjetrin dhe, pa dyshim, të çuditur me mënyrën se si zhvillimet politike i kishin sjellë tani përballë, në të njëjtin ambient dhe të dy të ftuar të një vendi demokratik.

Zhvillimet politike të një vendi, ndryshimi i sistemeve dhe regjimeve, por edhe roli që individët luajnë në histori ndryshon shpesh, por për historiografinë komuniste, që ende vijon të dominojë mendësinë e shoqërisë, kjo ishte e papranueshme dhe e pamundur. Në fakt, kjo përballje e Alisë me Zogun niste pikërisht këtu. Te bindja jonë e rrënjosur që një gjë e tillë nuk mund të ndodhte. Te keqkuptimi që historia e shkruar kishte krijuar në Shqipëri dhe te paaftësia jonë për ta rishkruar atë mbi një bazë dhe stil krejt tjetër nga ai që kishte imponuar sistemi totalitar.
Si gjithçka e shkruar në mungesë lirie dhe me një ndikim të fortë ideologjik, historiografia komuniste kishte vetëm një mënyrë të shpjegimit të fenomeneve, ngjarjeve dhe personazheve. Atë të ndarjes së tyre në të mirë dhe të këqij. Në pozitivë dhe negativë. Në patriotë dhe tradhtarë. Asgjë e ndërmjetme nuk ekzistonte.

Nuk po zgjatem me shpjegimin më të detajuar të kësaj metodologjie të sakatuar, sepse do të kërkonte një analizë më të thelluar dhe më të gjatë, por po mundohem ta ilustroj që të jetë më lehtësisht e kuptueshme. Sipas kësaj metode, në varësi të qëndrimit ndaj komunistëve apo filozofisë së tyre, personazhet kalonin në njërin sirtar apo tjetrin pa ekuivoke. Historiografia komuniste përpunoi edhe një format të “të mirit” dhe të “të keqit”, të patriotit dhe të tradhtarit. Më shumë se me historiografinë, ky trajtim na ngjan me letërsinë e realizmit socialist dhe me modelin e njeriut të ri. Patrioti ishte gjithnjë trim, nuk gabonte kurrë, ndodhej gjithnjë nga ana e drejtë e historisë, madje ai nuk kishte as vese dhe as probleme në jetën e tij personale. Tradhtari ishte gjithnjë në anën tjetër.

Gjithnjë gabim, gjithnjë me armikun dhe plot me vese. Kjo mënyrë absurde e shikimit të historisë jo vetëm i ndau më dysh personazhet e ngjarjeve të rëndësishme, por zhvlerësoi debatin mbi ngjarjet dhe qëndrimin që personazhet e historisë mbajnë ndaj tyre. Nga shikimi i mëpasshëm, roli i shumë personazheve ka qenë dhe mbetet kompleks. Në bazë të bindjeve, të rreshtimeve, apo qëndrimeve politike, shumë prej tyre patën aksione politike që historia sot i vlerëson si të kota e të dështuara, apo të suksesshme. Por shumë prej tyre që në një moment kanë zgjedhur ose janë orientuar gabim, një moment tjetër kanë qenë nga ana tjetër e peshores së historisë. Si të gjithë, me uljet dhe ngritjet, në fitoret apo humbjet e tyre, ata krijuan një tablo komplekse, e cila jo vetëm që nuk mund të shpjegohet, por përkundrazi, masakrohet duke u shpjeguar vetëm bardhë e zi, vetëm me të mirë e të këqij.

P.sh., Mit’hat Frashëri, që ishte gjatë luftës një kundërshtar ideologjik i komunistëve, u klasifikua automatikisht negativ, duke mos i konsideruar as faktin që ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, as që ishte anëtar i Qeverisë së parë të Ismail Qemalit, as ambasador shumë i rëndësishëm i Shqipërisë në Athinë dhe as kontributin e tij fantastik si albanolog dhe njeri i letrave. Madje ky aktivitet nuk i vihej në pah kurrë. Me parimin që personazhi negativ i historisë duhet të jetë gjithnjë i tillë, historiografia komuniste i fshiu atij gjithë aktivitetin e mëparshëm 40-vjeçar, edhe atë të zhvilluar kur komunizmi nuk ekzistonte as is term në Shqipëri. Absurdi shkonte deri aty sa nuk përmendej as fakti që ishte djali i Abdyl Frashërit, madje kjo ishte herezi.

Sepse Abdyl Frashëri ishte klasifikuar te personazhet pozitivë dhe kjo e prishte skemën. Me këtë metodologji personazhe tejet të rëndësishëm e me kontribut të historisë së Shqipërisë u fshinë prej saj ose u vendosën në kolonat e tradhtarëve, me 1001 etiketime negative, ndërsa personazhe episodikë, shpesh banditë apo keqbërës lokalë, që u përfshinë në luftë dhe u renditën në anën e komunistëve u shpallën heronj ose modele të historisë. Historia nuk trajtonte fenomene të dyzuara. P.sh., Mehdi Frashëri, që kishte qenë një nga personazhet e rëndësishëm të rezistencës së 7 Prillit 1939, u klasifikua automatikisht tradhtar, sepse në vitin 1944 ishte për disa kohë anëtar i regjencës. Por historia nuk lodhej të shpjegonte argumentin e tij për të qenë aty dhe as lëvizjet politike që ai bëri duke pasur si synim kryesor marrëdhëniet me britanikët.

Ahmet Zogu që u konsiderua armik, u zhduk nga historia e Kongresit të Lushnjës edhe pse ai kishte luajtur aty një rol kryesor. Ndërsa Kongresi në vetvete mbeti një moment tejet i rëndësishëm i shtetit shqiptar. Mbi 30 firmëtarë të aktit të pavarësisë, që patën përplasje me regjimin komunist, u fshinë automatikisht nga historia, madje firmat e tyre, në faksimilet e botuara u fshinë ose u transformuan. Shikimi i personazheve si robotë të programuar që mund të ishin vetëm të mirë ose të këqij; nxjerrja nga çdo lloj konteksti historik, zhveshja nga debati normal dhe mbi të gjitha, moskuptimi që të gjithë me qëndrimet e tyre, mundoheshin për Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte më largpamës, krijoi një tablo historike të gjymtuar dhe me ndikim tejet negativ.

Ky keqkuptim historik, që u bë në fakt histori zyrtare, nuk qe korrigjuar as atë moment, kur Ramiz Alia, “heroi” dhe “i miri”, deri më 1990, qëndronte përballë armikut dhe të keqit, po deri më 1990, Leka Zogu. Për fat të keq, pas vitit 1990, ose në ato 12 vite që qëndronin midis, historia nuk kishte dituar as të korrigjonte veten, as personazhet e saj.
“Ngritja e shoqërive të reja demokratike postkomuniste nisi në Europën Lindore nga rishkrimi i historisë”, thotë Urs Altermat, një filozof dhe historian zviceran që studioi me themel këtë fenomen. Për të ndihmuar këtë simbolikë godinat më të rëndësishme të këtyre kryeqyteteve, iu dhanë instituteve dhe akademive të historianëve.

Shqipëria, për fat të keq, e anashkaloi krejtësisht këtë fenomen. Jo vetëm që nuk pati përgjegjësi penale për dramat dhe katastrofën gjysmëshekullore që regjimi totalitar komunist solli në Shqipëri, por as një lloj rehabilitimi moral. Për arsye se historia, sidomos ajo e Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si ndarje ideologjike për partitë moderne shqiptare, rishikimi i së shkuarës nuk u vu në shërbim të së vërtetës, por të politikës së momentit. Ajo varioi sipas forcave politike që vinin në pushtet, duke krijuar një kaos të plotë dhe duke e bërë sot Shqipërinë të vetmin vend të Ballkanit ku historia nuk është debat akademik, por politik. E bëri dhe e bën ende të vetmin vend ku monumentet e personazheve historikë dhe emrat e rrugëve vendosen mbi bazën e preferencave politike, dhe jo mbi bazën e kontributit real që personazhet kanë dhënë ndaj vendit.

Për këtë arsye, edhe Ramiz Alia e Leka Zogu qëndronin përballë njëri – tjetrit, midis disa qindra të tjerëve, elita e Shqipërisë, të ftuar në atë pritje, e cila ishte po aq e paaftë sa ata vetë për të bërë një definicion të aksionit të të dyve! Ndarja e historisë në patriotë dhe tradhtarë, pra versioni të mirit dhe të keqit, është padyshim defekti më i madh që historiografia komuniste ka lënë pas në shoqërinë e sotme. Ky stereotip vijon ende, madje shërben jo rrallë edhe si element i luftës verbale politike. Zhbërja e tij duket e vështirë sa për arsye të rrënjosjes së thellë të ardhur nga tekstet apo propaganda e viteve të komunizmit, aq edhe nga paaftësia e historianëve postkomunistë për të ndërtuar tekste të besueshme dhe të mbështetura mbi dokumente.

Më shumë se sa për të treguar të vërtetën, dokumentet zgjidhen dhe jo nuk shërbejnë për të ilustruar idenë e parafiksuar. Kjo është arsyeja, që edhe përzgjedhja dhe publikimi i tyre është selektiv. Por ky shikim bardhë e zi i ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve nuk është gjymtimi i vetëm që historiografia komuniste dhe vijimi i saj i ka bërë formimit të shqiptarëve. Dy fenomene të tjera po kaq negative janë ai i kërcënimit të përjetshëm dhe i armikut të përhershëm, që ka ndikuar fort në sindromën e izolimit të shqiptarëve. Dhe i dyti, trajtimi i historisë sonë, thjesht, si një histori qëndrese, duke lënë jashtë vëmendjes dhe duke mos trajtuar periudha të tëra historike të jetesës së shqiptarëve në formacione shumetnike.

Nëse u referohesh teksteve të historiografisë komuniste, filozofia e tyre ka qenë ajo e një populli të rrethuar dhe të izoluar, në luftë të përjetshme me të gjithë. Identifikimi i regjimeve totalitare me kombin ishte thuajse normë dhe kjo sillte një sindromë të armikut të përhershëm. P.sh., Perandoria Osmane njësohej me turqit dhe detyrimisht, Turqia shihej si një armik. Ndërkohë Turqia moderne kishte të bënte pak ose aspak me Perandorinë Osmane, sidomos me ekspansionin e saj 500 vjet më parë; Gjermania Naziste identifikohej me Gjermanët, duke i konsideruar ata apriori armiq, edhe 50 vjet pas luftës. Kjo metodologji ndikonte tej mase në idenë e vetizolimit, duke e kthyer atë te shqiptarët në një sindromë me peshë. Një sindromë nga e cila nuk jemi shëruar ende. Pra, vendet nuk janë parë si regjime që në kohë të ndryshme kanë dhënë e kanë marrë, apo edhe kanë luftuar, por si kombe të cilat si pasojë e një momenti historik, konsiderohen kërcënim permanent për ne. Për këtë arsye, sindroma e Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte ikur ende nga Shqipëria deri në vitin 1990, edhe 45 vjet pas mbarimit të saj.

Fiksimi i shikimit të historisë sonë si një histori qëndrese ka sjellë, më pas, një deformim jo të vogël të periudhave të tëra. Periudha 5-shekullore e shqiptarëve në perandorinë osmane thuajse nuk ekziston. Ajo është reduktuar në një seri kryengritjesh, një pjesë e të cilave ishin lëvizje proteste për autonomi fetare apo favore fiskale. Kjo e ka lënë thuajse bosh rolin që shqiptarët kanë luajtur në Ballkanin Osman dhe mënyrën e stilin e jetës së shqiptarëve në këtë perandori. Disa përpjekje të zbehta janë bërë kohët e fundit, por ende pa kontributin e duhur për të sqaruar se si ka qenë jeta, rregullat dhe kontributi që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane bashkë më shumë popuj të tjerë. Të jetuarit në një perandori ka qenë në mesjetë formë e organizimit politik. Në perandori kanë jetuar edhe popuj më të mëdhenj dhe të më të zhvilluar sesa ne. Kjo nuk na bën as më inferiorë, as më të dobët. Ideja që bashkëjetesa në perandori ka qenë moment dobësie, është thjesht derivat i tezave të komunizmit për një popull të izoluar që kërkonte dhe donte të jetonte thjesht i vetëm.

Një popull që nuk di të vlerësojë të shkuarën e tij e ka gjithnjë të vështirë ndërtimin e së ardhmes. Kjo frazë që shpeshherë duket si shabllon, i shkon më shumë se kushdo tjetër momentit që përmenda në fillim të shkrimit. Ngrirjes përballë të Ramiz Alisë dhe Leka Zogut, pa guxuar të përshëndeten, por edhe pa asnjë dëshirë për të vijuar më pas grindjet e tyre. Secili i bindur se kishte pasur një rrugë të drejtë dhe historia që ende nuk ka mundur ti vendosë të dy në vendin që meritojnë… (Titulli i autorit: Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”)

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com