[sgmb id=”1″]
Pesë të arrestuarit për trafikun ndërkombëtar të kokainës në Greqi kanë dalë sot përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Baza e kokainës ishte banesa një biznesmeni grek në Trikala, ndërkohë që të arrestuarit e tjerë janë edhe tre shqiptarë, njëri prej të cilëve biznesmen gazi në Shqipëri.
Gjatë seancës gjyqësore, biznesmeni grek ka deklaruar se ishte penduar për kthimin e banesës së tij në një bazë të përpunimit të kokainës, por se këtë e kishte bërë për të ruajtur bashkëpunimin me biznesmenin shqiptar.
Ndërkohë, biznesmeni shqiptar ka deklaruar se është tejet i pasur në Shqipëri në fushën e kompanive të përpunimit dhe shpërndarjes së naftës dhe të gazit.
54 vjeçari shqiptar i njohur si A. S. ka mohuar çdo përfshirje në trafikun e drogës, duke deklaruar se ishte biznesmen i suksesshëm në Shqipëri dhe se për këtë arsye nuk kishte nevoja financiare për t’u përfshirë në trafikun e kokainës.
Ai ka pretenduar se kishte shkuar në Greqi për të ndërmjetësuar për çështje gazi me dy bashkëpunëtorë të tij.
Gjithsesi, hetimet e DEA-s amerikane të stacionuar në Athinë, kanë zbuluar rrjetin e gjerë të kokainës për VIP-at javën e kaluar, ndërsa 54 vjeçari shqiptar kishte rolin kyç. Ai jetonte në një banesë luksoze në periferinë jugore të kryeqytetit grek, ndërsa udhëtonte me makina tejet luksoze dhe konsiderohet një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri.
Sipas autoriteteve, drejtuesit kryesorë të organizatës kishin kontakt të drejtpërdrejtë me kartelit kolumbian nga ku blinin kokainë.
Përpunimi është bërë në Shqipëri dhe Kosovë dhe më pas, kokaina është dërguar në Thesali dhe në Athinë ku shpërndahej tek klientët.
Mediat greke shkruajnë se ‘truri” i grupit është shtetasi A.S, sot 54 vjeç, me origjinë nga Fieri, ku edhe pse i pasur dhe me biznese të shumta fotot e tij nuk ekzistojnë pothuajse askush pasi ka arritur të mbetet i panjohur për publikun e gjerë.
Në të kaluarën, emri i tij ka qenë i përfshirë në raste të mëdha të trafikimit të drogës në Spanjë dhe Itali, por asnjëherë nuk ka qenë i dënuar.
Shqiptari thuhet se kishte lidhje të forta me Amerikën Latine dhe posaçërisht me Kolumbinë ku importohej në Greqi kokaina me një certifikatë origjinaliteti (një “lepur” nga Playboy”). Më pas, ajo shpërndahej tek njerëzit e pasur në Athinë dhe Mykonos. Sipas mediave greke, policia beson se shqiptari është drejtuesi i organizatës, ndërsa biznesmeni 61 vjeçar greke është bashkëpunëtor.
Gjatë operacionit të zhvilluar më 14 qershor, janë sekuestruar 21 kg kokainë, më shumë se 92,000 euro, dy pistoleta dhe një pushkë gjuetie.
Autoritetet vazhdojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, dhe llogarit se fitimet në qark janë rreth 800,000 euro.
Biznesmeni kapet me 20 kg kokainë, në pranga edhe 3 shqiptarë