Loading...

Deputeti biznesmen i PS: Nuk është hera e parë e ngjarjeve të tilla në Bllok

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla në zonën e ish Bllokut. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli në ‘Fax News’ duke lënë të kuptohet se nuk do të jetë as e fundit. Sipas tij ngjarja e mbrëmjes së djeshme në Bllok është shumë e rëndë, por kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla në këtë zonë. Ylli tha se po të shikosh shifrat nga viti në vit kemi një rënie të ngjarjeve të tilla dhe kjo tregon për një punë të mirë të policisë sipas tij.

“Po të shikosh shifrat e krimit nga viti në vit, shifrat janë në rënie. Por këto janë ngjarje që ndodhin në gjithë botën. Janë gjëra që ndodhin. Nuk është hera e parë që një ngjarje e tillë ndodh në atë zonë”, tha Ylli. “Mendoj se shumë shpejt do të zbardhet dhe do të merret vesh versioni i vërtetë. Janë ngjarje që nuk duhet të ndodhin por duhet të presim rezultatin e hetimit”, u shpreh Fidel Ylli.

I pyetur për rastin e Xhisiela Malokut, Fidel Ylli tha se ngjarja u politizua dhe se ishte vetë vajza që e kishte sqaruar se e kishte bërë denoncimin nga xhelozia. Deputeti socialist u shpreh se duhen pritur rezultatet e hetimit. “Është një ngjarje dashurie, që vetë ajo e shfryu gjithë këtë, e provoi vetë, e bëra për xhelozi tha ajo, çfarë duhet t’i ngelet opozitës që merret me një fije bari, merret me Xhisielën me Babalen. Ky rast u politizua për të vetmin fakt se djali është i deputetit”, deklaroi Fidel Ylli.

Por ai shtoi se duhet pritur hetimi dhe politika të mos ndërhyjë. “Është në hetim ky rast, kam ndjekur me vëmendje këtë proces. Kur dëgjova se edhe kryeministri tha se në rast se Taulant Balla ka shkuar në komisarit ky është fundi i botës, këtu unë nuk kam më çfarë të gjykoj. Kjo është shashkë, e tha vetë ajo, nuk merren kaq shumë për raste të tjera, le të merret shteti more jo politika”, tha ai.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com