Një ankesë ka mbërritur në zyrën e drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu nga rreth 160 studentë të vitit të tretë Bachelor, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit të Akademisë së Sigurisë, të cilët prej 6 muajsh po paguhet vetëm me gjysmën e pagës. Madje, jo vetëm kaq, disa prej tyre, edhe pse kanë gradën “nënkomisar”, marrin gjysmën e pagës së gradës inspektor, pra 50 për qind të vlerës 50 mijë lekë të rinj që paguhen efektivët me këtë gradë. Efektivët që po trajtohen në këtë mënyrë, kryesisht i përkasin Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërsa pjesa tjetër e studentëve, që vijnë nga Drejtoritë Vendore të disa qyteteve të tjera, paguhen me pagë të plotë. Sipas tyre, të paktën nisur edhe nga një vendim gjykate, i shprehur në favor të efektivëve nga Gjirokastra, pagesa me dy standarde vjen nga keqinterpretimi i paragrafit 12 të VKM-së nr.200.
Të paktën kështu është shprehur gjykata në një rast, ku është shprehur në favor të efektivëve, duke i kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë që ata të paguhen me pagë të plotë, pasi VKM-ja është kuptuar gabim nga Njësia Buxhetore. Në një kërkesë që i drejtohet drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj, dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, studentët kërkojnë zgjidhjen e problemit të pagave.
ANKESA / Në ankesën e tyre, studentët shprehen se kanë filluar studimet në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, me anë të një konkurrimi transparent e ligjor, bazuar në proceduarat e përcaktuara në Ligjin e Policisë së Shtetit. Studime kanë nisur më 16.10.2016 deri më 16.07.2017, ku gjatë kësaj periudhe është aplikuar programi 3 ditë në javë studime dhe 3 ditët e tjera të javës punë, në vendet dhe funksionet përkatëse të gjithsecilit. Ata pretendojnë se gjatë kësaj periudhe janë trajtuar me pagën e plotë.
Ndërsa në vitin e dytë të studimeve, të nisur më datë 03.01.2018 deri më 07.07.2018, në disa Drejtori Vendore janë aplikuar pagesa të ndryshme për studentët e vitit të dytë. Studentët pretendojnë se ky fenomen është absurd dhe i papranueshëm nga ana ligjore dhe logjike. Në Drejtorinë e Policisë Tiranë, Shkodër, Gjirokastër etj., studentët janë njoftuar nga strukturat e financës se për vitin e dytë do të mbahet një sasi parash, si kompensim për pagën e marrë në muajt vijues pas plotësimit të periudhës së 6- mujorit. Ky njoftim, ata pretendojnë se është bërë në bazë të një e-maili të ardhur nga një specialiste në Drejtorinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
MBAJTJA E PAGËS / “Ky arsyetim është bazuar në interpretimin jo të saktë të pikës b, paragrafi 12, i VKM-së nr 200, datë 15.03.2017. Në vazhdën e logjikës së gabuar është komunikuar nga strukturat e financës se periudha e studimeve prej datës 17.09.2018 deri më 17.02.2019 do të paguhet sipas pikës së përmendur më sipër”, shprehen studentët në kërkesën e tyre. Nga një llogaritje e bërë, atyre u rezulton se një punonjës policie me gradën “inspektor” do të marrë rreth 16 mijë lekë të rinj në qoftë se paga do t’i llogaritet me 40 % dhe një punonjës policie me gradën “nënkomisar” do të marrë 22 mijë lekë.
Ndërsa me 50% të pagës, një inspektor do të marrë 21 mijë lekë të rinj dhe një nënkomisar do të marrë 28 mijë lekë të rinj. “Me këtë pagë, asnjë student nuk do mund të paguante as rrugën vajtje-ardhje për në Akademi dhe fotokopjet e librat që duhen për vitin akademik. Si do mund të jetojë 6 muaj, jo vetëm punonjësi i Policisë, por edhe familjet e tyre?”, shprehen studentët. Gjithashtu, ata pretendojnë se nga paga është hequr vjetërsia në punë, duke i dëmtuar akoma më shumë ekonomikisht.
PJESË E VKM PËR PAGAT/ Paragrafi 12 i VKM 200 / Punonjësit e Policisë së Shtetit mund të trajnohen brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të trajnimeve, të parashikuara e të organizuara nga institucioni. Gjatë kohës që kryejnë kurse shkollimi apo trajnimi, brenda apo jashtë vendit, me iniciativën e institucionit, përfitojnë trajtim me pagesë, sipas përcaktimeve të mëposhtme: a) Për periudhat e shkollimit/trajnimit që zgjasin nga një deri në gjashtë muaj, gjatë periudhës së shkollimit/trajnimit, punonjësi përfiton pagën bazë mujore për gradë që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit; b) Për periudhat e shkollimit/trajnimit që zgjasin më shumë se gjashtë muaj, gjatë periudhës së shkollimit/ trajnimit, duke filluar nga muaji i shtatë e në vazhdim, punonjësit i ndërpritet paga dhe i jepet një kompensim, në varësi të pjesëtarëve të familjes që ka në ngarkim:
punonjësi pa ose me një pjesëtar të familjes në ngarkim, përfiton 40% të pagës bazë mujore për gradë, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit; punonjësi me më shumë se një pjesëtar të familjes në ngarkim, përfiton 50% të pagës bazë mujore për gradë, që përfitonte përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Në të gjitha rastet e përmendura më sipër, pagesat apo kompensimet e punonjësit kryhen nga Njësia Buxhetore ku është efektiv punonjësi, përpara fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit.