I akuzuar për përndjekjen e ish-të dashurës Xhisiela Maloku, Rexhep Rraja do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. I riu duket se e kishte marrë gjithëccka me sportivitet ashtu siç ishte dhe veshja e tij.
Siç duket, i riu ka pasur pritshmëri se mund të lirohej pasi ndryshe nga sa u pa kur erdhi, pas vendimit gjyqësor, ai doli nga Gjykata mjaft nervoz dhe nuk kurseu komentet në adresë të kreut të opozitës. “Lulzim Basha ta provojë në votime!”, ishte paralajmërimi që bëri 24- vjeçari.
SEANCA
Seanca për rivlerësim të masës së sigurisë nisi me rreth 30 minuta vonesë, pasi patrulla që e shoqëronte nuk ishte nisur në kohë nga ambientet e paraburgimit në Durrës, ku ai mbahej që prej arrestimit të tij.
Prokurorja Mirela Kapo kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, me argumentin jo vetëm të sekretit hetimor, por edhe se duhej ruajtur dinjiteti i paditëses Maloku. Kjo kërkesë e Prokurorisë u mor parasysh nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Prokurorja Kapo paraqiti si prova aktekspertimin ku duken shenjat e dhunës ndaj 25-vjeçares Xhisela Maloku, sikundër edhe shenja të djegies nga cigarja. Një përgjim ambiental i kryer në ambientet e Prokurorisë së Krujës, gjatë ballafaqimit të dy të rinjve, ishte një tjetër provë e cilësuar e fortë në duart e akuzës.
Mbi këto të dhëna, gjyqtarja Hoxha vendosi që Rexhep Rraja duhet të mbetet në qeli deri në fund të shqyrtimit me themel të çështjes. Duke iu referuar tërheqjes nga kallëzimit nga e dëmtuara, Prokuroria thotë se në dëshminë e parë, ku denoncohet dhuna në Komisariatin Nr. 3, më pas edhe tek oficeri Emiljano Nuhu, ka përputhje me provat e mbledhura gjatë veprimeve hetimore.
Pavarësisht tërheqjes së denoncimeve nga ana e Xhisela Malokut, Prokuroria thotë se ka prova të pakundërshtueshme se 25-vjeçarja është dhunuar, kërcënuar dhe përndjekur nga Rexhep Rraja dhe se do ta dërgojë të riun për gjykim të drejtpërdrejtë. Organi i akuzës, duke prezantuar provat e mbledhura gjatë hetimeve, kërkoi si masë shtrënguese atë të “Arrestit në burg”. Kërkesë, e cila u miratua edhe nga gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha.
I ARRESTUARI
Në seancën e djeshme, 24- vjeçari u përfaqësua në Gjykatë me avokatin e tij Ilir Bajraktari. Burime nga Gjykata bënë të ditur se Rraja ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke shtuar që Xhisiela Maloku e kishte denoncuar për xhelozi.
Që kur zbriti nga furgoni i Policisë, Rexhep Rraja dukej mjaft i qetë, madje ka përshëndetur verbalisht i buzëqeshur dhjetëra të afërm dhe shokë të tij, që u mblodhën dje para Gjykatës. Babai i tij, deputeti socialist Rrahman Rraja, por as e ëma nuk janë parë në Gjykatë. Pas seancës, rreth orës 10:55 minuta, djali i deputetit socialist të Fushë-Krujës doli nga Gjykata sërish me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e Policisë hyri në furgon për t’u transportuar drejt paraburgimit të Durrësit.
“Jam i pafajshëm!”, u shpreh ai para gazetarëve. Më tej, ai, para kamerave, ka pasur edhe një mesazh për kreun e opozitës, duke lënë të kuptohet se po sulmohet politikisht, për shkak se është djali i deputetit të PS-së. “Lulzim Basha ta provojë në votime”, theksoi ai, teksa iu drejtua me pranga në duar furgonit të Policisë. Rraja do tentojë që nëpërmjet avokatit të tij të apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë./PANORAMA