Loading...

“S’jam as Merushja dhe as Guximi që të më regjistrosh”, zbardhet përplasja e Eni Çobanit

Eni Çobani ka pasur dje një debat të fortë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Gjirokastër, gjatë një seancë gjyqësore për çështjen e pronësisë së një shtëpie. Rudina Islamaj, ishte palë kundërshtare pasi ish-vjehrra e saj ka kërkuar që t’i kthehet shpia që i ka marrë pas divorcit me djalin e saj.

Debati nisi pasi Rudina Islamaj kërkoi përjashtimin e trupit gjykues. Avokatja e ka konsideruar si të qëllimshme kërkesën e saj për zvarritje, teksa i ka bërë të qartë se do të jetë sërish si përfaqësuese ligjore e palës tjetër me çdo trupë të mundshme gjykuese. “Panorama” siguroi dje të plotë debatin e regjistruar në audio në sallën e gjyqit ndërmjet avokates Çobani dhe Islamajt, kur kjo e fundit kërkoi përjashtimin e treshes gjykuese.

Çobani e akuzoi atë se kishte Çimka dhe se kryente regjistrime të paligjshme. “Nuk jam as Merushja (ish-vjehrra e Rudinës) dhe as Guximi”, i drejtohet avokatja, duke nënkuptuar ish- kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës. Ka qenë pikërisht Rudina Islamaj, ajo që e incizoi dhe ia dërgoi medias ngjarjen e ndodhur dy vite më parë, ku ai i kërkonte favore seksuale për ta ndihmuar me një proces në Gjykatë. Debati mes Eni Çobanit dhe palës kundërshtare me klienten e saj, është mbyllur teksa avokatja e vinte në dijeni se do të ishte sërish përfaqësuese e palës tjetër, pavarësisht se cila trupë gjykuese do të jetë. Ndërkaq, disa ndërhyrje të Rudina Islamajt janë të pakuptueshme për shkak edhe të tonit superior të avokates së njohur. Fillimisht, seanca nisi me prezantimin e trupës gjykuese, por sapo kjo e fundit ka kërkuar nëse palët ishin dakord, Rudina Islamaj kërkoi përjashtimin e tyre.

DEBATI I PLOTË

Rudina Islamaj: Kam një kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues

Eni Çobani: Mund ta marrim dhe një kopje (të kërkesës) i nderuar.

Trupi gjykues: Ka një kërkesë nga Rudina islamaj për përjashtimin tërësisht të trupit gjykues.

Eni Çobani: Mund të jap një mendim?

Trupa gjykuese: Mendoj se nuk ka ndonjë vlerë këtu kjo pjesë sepse do të shikohet nga trupi tjetër gjykues.

Eni Çobani: Asnjë nga këto pretendime nuk kanë lidhje me objektin për të cilin jemi sot. Në qoftë se kjo bëhet në mënyrë të përsëritur…. Ne kemi qenë këtu së bashku kur një avokat kërkoi përjashtimin e njërit anëtar të trupit gjykues dhe mund ta bënte edhe zonja atë ditë të njëjtën kërkesë… Çfarë është kjo? Vetëm një gjë dua të them para trupit gjykues, pavarësisht se ju nuk do të vazhdoni më me procedurën. Unë jam një nga njerëzit që i njoh jo mirë, por i njoh me themel këto procedura..

Ndërhyn Rudina: Kjo s’është…

Eni Çobani: Të lutem, kur flas unë, ti mos fol. Kur flas unë, ti mos fol dhe kjo zonja duhet kontrolluar se kjo vjen me Çimka këtu.

Rudina Ismalaj: Unë kërkoj përjashtim të trupit gjykues…

Eni Çobani: Unë nuk jam as Merushja dhe as Guximi. Kështu që ulu aty. Ulu aty dhe më dëgjo kur flas… në rregull, se të njoh shumë mirë. Unë nuk jam nga ata persona që regjistron ti nëpër telefona. Ulu aty… Atëherë, edhe një herë i nderuar kryetar i seancës dhe anëtar të trupit gjykues, kjo është një zvarritje e padrejtë. Unë kam reagimin tim si përfaqësuese e dy personave. Në qoftë se kjo zonja e ka ngjitur me shpinë Gjykatën e Apelit, unë vij katër orë që nga Tirana. Në qoftë se kësaj nuk i bën përshtypje, po ia përsëris unë se këtu do të më kesh. Jo trup tjetër gjykues, po kudo që ta çosh ti, unë do të jem këtu. Unë e kuptoj se për çfarë i bën ti këto. Nuk e bën as për këta zotërinjtë këtu (për trupën gjyqësore), ti e bën për përfaqësuesin ligjor.

Rudina Islamaj: Ti po më kërcënon…

Eni Çobani: Unë nuk po të kërcënoj, unë flas në bazë të ligjit. Dhe ti zonjë duhesh kontrolluar kur hyn këtu në Gjykatë, sepse ti je me Çimka dhe ti regjistron në mënyrë të paligjshme. Kaq po them…

Trupa gjykuese: Meqenëse ka kërkesë për përjashtim, atëherë e ndërpresim seancën gjyqësore

Eni, Rudinës: Këtu do të më kesh, mos ki merak…

Rudina: Edhe mua këtu më ke…/PANORAMA

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com