Pas arrestimit të dy inspektorëve të Tatimeve në Tiranë dhe një tjetri të shpallur në kërkim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike”, drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka liruar nga detyra 3 punonjësit, Gentian Elezi, 29 vjeç dhe Artan Kroj, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe P.H., 43 vjeç.
Inspektorët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke shpërdoruar detyrën kërkonin dhe iu merrnin ryshfet bizneseve gjatë inspektimit të tyre, shuma në vlera monetare që shkonin deri në 200 000 lekë për çdo rast.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i bën thirrje çdo punonjësi të administratës tatimore të zbatojë me rigorozitet vetëm ligjin, në respekt të punës dhe institucionit , gjithashtu inkurajojmë bizneset dhe qytetarëve, për të denoncuar aktet korruptive, sjelljen jo etike dhe çdo akt të paligjshëm, gjatë ushtrimit të detyrës së punonjësve të Administratës Tatimore”- thuhet në njoftimin e Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.