Duke ikur e nervozuar nga Opinioni, përsëriste me vendosmëri se nuk do të dilte më në publik. Një komunikim i panevojshëm për publikun që po e ridëgjonte për herë të tretë versionin televiziv të ngjarjes, që është krejt i kundërt nga versionet që ajo vetë ka firmosur po tri herë në polici dhe prokurori.
Në fakt nuk ishte për publikun ai komunikim, ishte për ata që i mësuan atë version aq bajat sa gënjeshtrat e nxënësve të fillores kur nuk bëjnë detyrat apo mungojnë në shkollë. Ata që po e shëtisin nëpër studio televizive, duke e detyruar të përsërisë tekstin e shkruar, që mund ta çojë në burg.
Një fat që Xhisiela e ka pranuar, mesa duket si zgjidhjen më të mirë të mundshme. E pohoi disa herë se ka bërë dëshmi të rreme dhe se i dinte pasojat. Ndërsa vajza që tronditi politikën, shoqërinë dhe mediat me historinë e saj është nisur me vendosmëri drejt burgut, është e qartë se mundësitë e tjera janë më të këqija. Edhe pse gazetaret në Top Channel dhe Klan i ofruan ndihmë që të fliste dhe të fitonte lirinë, ajo nuk hoqi dorë nga vendimi vetëmohues që kishte marrë për t’u shërbyer dhunuesve. Një arsye më e madhe, një frikë më e madhe e ka detyruar t’i shohë diskretimin publik dhe burgun si mundësitë më të mira që i kanë mbetur, të jetë peng luksoz është më mirë se të rrezikojë jetën e saj dhe të familjes.
Zgjidhja e përligjur e një vajze jetime që gjithë jetën ka vuajtur harresën e shoqërisë dhe politikës dhe nuk ka arsye të besojë sot se mbështetja është e sinqertë dhe pa interes. Por, ndërsa ka pranuar këtë fat, ajo nuk mund të durojë më diskretitimin publik. Prandaj duke dalë nga skena, u deklaroi skenaristëve dhe regjisorëve, që janë pengmarrësit- menaxherë të saj, se nuk do të dalë më.
Xhisiela ishte e dhunuar përpara të mërkurës. Që atë ditë, është peng. Përpara syve tanë. Ata nuk u tërhoqën, përkundrazi, tani që të gjithë i kanë sytë tek Xhisiela, ata e kanë rrëmbyer, po e përdorin si kukull, po i ofrojnë burgun si mundësinë më të mirë, turpërimin publik si shpëtim, përdorimin politik si haraç për çdo ditë që e lejojnë të jetojë. Dhe, nëse dhunimi, torturat dhe kërcënimet deri të mërkurën e 26 shtatorit ishin duke ndodhur larg syve të publikut, në një hotel në Fushë Krujë apo në rrugët e Niklës, tani që të gjithë po e shohin: ajo është peng. Në vend që të të shpëtonte, është robinë e dhunuesve, të cilët tani janë edhe të zemëruar.
Përpara syve tanë. Kryeministri po e quan horr oficerin e policisë që denoncoi krimin dhe një baba në dëshpërim deputetin, që më pushtetin që i ka dhënë partia e tij, fshehu krimin. Përpara syve tanë po e akuzojnë dhunuesin dhe torturuesin e vajzës për përndjekje, për dashuri të tepruar. Përpara syve tanë, Edi Rama po i quan të paligjshme dëshmitë e regjistruara në Prokurori, ekspertizën mjeko- ligjore dhe të ligjshëm presionin me të gjitha mjetet që deputeti i tij, me vëllain dhe me fëmijët, u bënë efektivëve të policisë. Përpara syve tanë kanë marrë peng Xhisielën, median, ligjin, institucionet e zbatimit të ligjit, përpara syve tanë i vënë në funksion të kriminelëve që kanë futur në parlament, në bashki, në administratë dhe i ekspozojnë në media.
Përpara syve tanë shteti dhe pushteti po transferohet tek krimi. Prandaj Xhisiela zgjodhi burgun, në vend të kauzës së lirisë që e kemi humbur përpara syve tanë.