Barazimi i fundit me Orikumin ka krijuar një situatë të pashpjegueshme në Berat. Situata nuk duket aspak e qetë. Edhe pse drejtuesit e klubit u kishin vënë kushte lojtarëve të skuadrës për fitoren. “Panorama Sport” raportoi gjatë javës së kaluar se ekipi do të ndëshkohej me një rrogë në rast se nuk do të arrinte triumfin në shtëpi, por, me sa duket, as ky paralajmërim nuk ka dhënë efekt.
Megjithatë duhet parë nëse klubi do të aplikojë në të vërtetë gjobë pas dy barazimeve radhazi (dhe i treti seoznal). Por, sigurisht që nëse ndodh, do të ishte vërtet çudi dhe sidomos kur dihet që janë vetëm 1 pikë larg vendit të parë dhe ende nuk e njohin humbjen. Pas ndeshjes, trajneri Bledar Devolli tha se ky është një “ngërç” psikologjik që lojtarët nuk po e kapërdijnë dot dhe rezultatet në shtëpi janë kthyer në një “tabu” imagjinare. Kujtojmë që beratasit ishin një ndër klubet më aktivë në merkaton verore, duke sjellë 15 “prurje” të reja në mënyrë që të realizojnë objektivin sezonal, ngjitjen në Kategorinë Superiore pas 5 vitesh.
Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi gjithçka mund të ndryshojë që nga kjo javë. Gazeta është munduar që të marrë deklarata, por diçka e tillë është refuzuar. Lojtarët hapur e kanë thënë se u vjen turp për këto rezultate. Tomori këtë fundjavë do të përballet me Egnatian dhe veç mungesës së sulmuesit Dyca, në dyshim është mbrojtësi Beci.
Fb/ Kategoria e Pare