Loading...

“Ika nga fshati për të studiuar në Tiranë dhe fillova të punoj prostitutë për të mbushur barkun me bukë, jam krenare për veten”!

Unë që po e shkruaj këtë histori jam një vajzë nga fshati, por që prej 4 vitesh jetoj në qytet. Erdha në Tiranë për studime dhe nuk e kam në plan të largohem, sepse kryeqyteti është parajsa krahasuar me fshatin tim të vogël dhe të prapambetur. Përveç kësaj, familja ime është shumë e varfër. Ne ishim tre fëmijë, unë e madhja, motra dhe vëllai më i vogël. Prindërit fitonin shumë pak dhe ne kishim lekë vetëm për gjërat kryesore.

Ama unë insistova shumë të vija në shkollë të lartë, sepse ndryshe e dija që do të mbetesha në fshat dhe jeta ime do të ishte tmerr. U premtova prindërve që do të mbuloja vetë të gjitha shpenzimet dhe nga ata nuk do kërkoja asgjë. Dhe e mbajta fjalën. Madje jo vetëm përballoj jetën vetëm këtu, por i ndihmoj edhe ata. Dhe si e bëj? Duke punuar! Çfarë pune? Punë që për dikë mund të quhet e pandershme, ndërsa për mua është shumë e ndershme për sa kohë nuk i bëj keq kujt. Unë punoj prostitutë.

Mos mendoni se unë nuk e kam paragjykuar këtë punë. Mos mendoni se nuk kam pasur edhe unë ëndrra, ku bëhesha princeshë apo njeri i suksesshëm. Por mos mendoni se të gjithë kanë mundësi të zgjedhin fatin e tyre. Mos mendoni se të gjithëve u jepen mundësitë që të arrijnë aty ku duan.

Dhe po i kthehem historisë time, që nga momenti kur erdha në Tiranë. Kisha menduar të mësoja shumë, të gjeja ndonjë punë me kohë të pjesshme që të përballoja jetën e përditshme, por shumë shpejt e kuptova se ato që kisha në mendje ishin vetëm ëndrra të parealizueshme. Gjëja e parë që bëra kur erdha në Tiranë, akoma pa filluar mirë shkolla, ishte të merrja gazetën “Çelësi” dhe të shikoja për punë.

Mundësitë që më përshtateshin mua ishin vetëm shitëse apo kameriere, sepse që të jem e sinqertë nuk kisha ndonjë aftësi të veçantë, sapo po filloja shkollën e lartë. Megjithatë, mendova se edhe një punë e tillë ishte e mjaftueshme për të përballuar vitet e shkollës. Por isha gabuar. Fillova punë si shitëse dhe rroga e parë iku vetëm për të blerë librat e shkollës. Me pak fjalë, nuk dilnin lekët as për të mbushur barkun me bukë.

Si mund të mësojë një njeri i uritur?

Për të mos folur për shfrytëzimin që të bënin në punë dhe për sjelljen harbute të pronarëve. Kur e shikonin që ua kishe nevojën atyre lekëve, të trajtonin edhe më keq sepse ndiheshin si të plotfuqishëm. Vitin e parë jeta në Tiranë ishte një ferr i vërtetë për mua. Nga një punë te tjetra. Herë me lekë e herë pa lekë. Doja të mësoja, por s’kisha fuqi se isha gjithmonë e lodhur ose e pangopur.

Mezi e mora vitin e parë. Kështu fillova ta kuptoja që ëndrrat e mia nuk mund të realizoheshin ashtu siç kisha menduar. Isha gjithë kohën sy e veshë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Për të jetuar ashtu siç doja duheshin para, por me asnjë punë nuk mund të fitoja aq sa më duheshin për të mbajtur veten dhe për të ndihmuar familjen.

Kisha një shoqe në klasë, që e shikoja gjithmonë të veshur e të pispillosur. Ua gjente anën edhe pedagogëve dhe merrte nota të mira. Kisha pirë disa herë kafe me të, por nuk mund të them se kisha shoqëri të ngushtë. Më pëlqente ajo si tip, se ishte e lirshme dhe i thoshte gjërat siç i mendonte.

Nga fundi i vitit të parë fillova të shoqërohesha më shumë me të. Edhe ajo vinte nga rrethet. Nga ajo që tregonte për familjen e vet dukej që i kishte njerëz të thjeshtë. I shikoja edhe fotografitë në Facebook; dukeshin familje me të ardhura mesatare. Ndërkohë kjo vajzë e mbante shumë veten.

Më bënte përshtypje dhe pyesja veten nga i gjente lekët. Më shkoi mendja mos kishte ndonjë të dashur që ia paguante gjërat. Por ajo thoshte gjithmonë që nuk donte lidhje serioze. Edhe kjo më bënte përshtypje. Thosha se si ka mundësi që të gjitha gocat duan lidhje serioze, kurse kjo e thotë me të madhe që nuk do lidhje serioze. Nejse, krijova goxha miqësi me të.

Dhe arrita deri në pikën që mund ta pyesja lirshëm se si ia bënte që shpenzonte aq shumë për të mbajtur veten. Në fillim nuk donte të më tregonte, por pastaj në mirëbesim ma tha. Kishte disa shokë që punonin nëpër recepsione hotelesh në turnet e treta. Kur vinin të huaj që kërkonin ndonjë vajzë për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës, recepsionisti merrte shoqen time.

E kishte bërë këtë punë që para se të fillonte shkollën. Ishte rregulluar mirë me lekë dhe ndihmonte edhe familjen. Kur ma tregoi më mbeti mendja. Më vinte keq që atë e përdornin për të bërë njëherë seks. Por ajo nuk më dukej e mërzitur. Më thoshte që më mirë të bënte seks për lekë sesa të punonte shitëse, ku do ta shfrytëzonin dhe do të silleshin edhe më keq me të.

M’u mbush mendja vetë që të bëja edhe unë të njëjtën gjë. Kisha pak frikë në fillim, duke qenë se do të shkoja me meshkuj që nuk i njihja fare. I kërkova ndihmë kësaj shoqes time për të vendosur kontaktet me recepsionistët. Ajo u tha atyre që kishte edhe një shoqe dhe sapo u paraqit rasti i parë që kërkonin dy vajza, shkuam të dyja. Herën e parë më qëlloi një holandez rreth të 40-ave.

Kisha shumë frikë mos më binte ndonjë njeri agresiv se nuk kisha shumë përvojë në jetën seksuale. Por për fatin tim të mirë, ai ishte një njeri i qetë, që bëri qejfin e vet dhe u soll shumë mirë me mua. E mora me qejf këtë punë. Fitimi ishte shumë i mirë, pavarësisht se i jepja para edhe atij që rrinte te recepsioni. Brenda një kohe shumë të shkurtër krijova kontakte me shumë djem që punonin në recepsione.

Nuk mund ta merrni me mend se sa shumë prostituta ka në Tiranë! Nuk bëhet fjalë për vajza që punojnë me tutorë. E kam fjalën për vajza që, si puna ime, zgjedhin vetë ta bëjnë këtë punë, nga nevoja për para dhe punojnë për veten e tyre. U bënë kaq vite që bëj këtë punë. E them me sinqeritet se nuk ndihem keq me veten. Nuk i bëj keq askujt. Thjesht kjo është e vetmja mënyrë që kam gjetur për të përballuar këtë jetesë të shtrenjtë. Dhe kam ardhur tani tek ajo fjala që më tha shoqja ime në fillim, më mirë të fitoj lekë duke qenë prostitutë sesa të më shfrytëzojë ndonjë pronar duke më trajtuar si mos më keq.

Prostitutat nuk janë gjithmonë ashtu siç mund të keni dëgjuar nëpër histori. Jo gjithmonë kanë fatin e keq të dhunohen dhe të trajtohen keq. Unë kur e shoh që në fillim që mund të bëhet fjalë për një klient të dhunshëm përpiqem të shmangem. Ka plot raste kur e takoj klientin në bar për të pirë diçka përpara se të kryejmë marrëdhënie dhe nëse më krijon dyshime se mund të jetë i dhunshëm, gjej një mënyrë që të largohem.

Deri tani nuk më ka ndodhur ndonjë incident me klientët. Sigurisht që jo të gjithë kanë qëlluar të sjellshëm, por gjithsesi unë e kam gjithmonë parasysh se me ta kam një marrëdhënie të përcaktuar qartë: u ofroj shërbim seksual kundrejt pagesës.

E di që shumë prej jush që keni lexuar këtë histori do më gjykoni. Por më besoni kur ju them se ka më shumë vajza të ndershme me shpirt kurve në jetën e përditshme. Vërtet punoj prostitutë dhe jam krenare për këtë, por ama parimet njerëzore nuk i shkel. Nuk i kam bërë keq kujt dhe morali nuk lidhet vetëm me jetën seksuale.

Nuk është e pamoralshme vetëm ajo vajzë që shet trupin e vet për të jetuar. Për mendimin tim, akoma më e pamoralshme është ajo vajzë që shkel rregullat e familjes dhe miqësisë, që ia ka me hile njeriut të afërt, që është e gatshme t’i bëhet pengesë çdo njeriu edhe pse ai mund të jetë në rrugën e vet. E pamoralshme është të shtypësh më të dobëtin vetëm sepse je më i fortë.

Po i kthehem tregimit për jetën time. E kam mbaruar bachelor-in me nota shumë të mira, duke përjashtuar vitin e parë. I vura vetes synim që të mësoja dhe ia kam arritur qëllimit. Kam një vit që kam filluar masterin. Gjatë ditës bëj një jetë normale, si gjithë bashkëmoshataret e mia. Më duhet të bëj disa sakrifica natën, por ia vlen kur mendoj se të gjitha i bëj në emër të një jete më të mirë për veten dhe familjen.

Nuk kam ndërmend të punoj gjithë jetën si prostitutë. Jam duke mbledhur para që kur të mbaroj shkollën të gjej një punë në profesionin tim dhe t’i rikthehem jetës normale. Nuk i kam humbur shpresat që pavarësisht kësaj pune që po bëj, edhe unë mund të krijoj familjen time.

Gjatë këtyre viteve që bëj këtë punë nuk jam lidhur me asnjë djalë. Kjo punë nuk më lejon që të përfshihem emocionalisht me një njeri sepse puna që bëj do të thotë tradhti ndaj tij. Prandaj kam bërë këtë zgjedhje dhe jam e vendosur t’i qëndroj deri në fund. Do të krijoj një lidhje vetëm kur të vendos që do të heq dorë përfundimisht nga kjo punë.

Po e mbyll historinë time, duke ju kërkuar t’i lini sharjet dhe komentet negative dhe të shikoni jetën tuaj.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com