Loading...

Arben Shytaj :Qe qytetaret, specialistet ,mediat edhe politikanet para se te flasin per probleme te sigurise ushqimore, duhet tu referohen studjuesve dhe profesoreve te paanshem ,ja nje i tille…

Qe qytetaret, specialistet, mediat edhe politikanet, para se te flasin per probleme te sigurise ushqimore, duhet tu referohen studjuesve dhe profesoreve te paanshem, ja nje I tille.(ka edhe te tille te njeanshem qe shesin sapunin per djathe)
Marre nga (Këshilluesi Bujqësor)

Cfarë janë hormone bimore?

Hormonet bimore, apo ndryshe fitohormonet, janë komponime organike të cilat sintetizohen në organe specifike të bimëve dhe më pas transportohen në të gjithë trupin e tyre. Edhe pse prodhohen në sasi shumë të vogla, fitohormonet janë në gjendje të rregullojnë rritjen dhe zhvillimin e bimëve, si edhe të kontrollojnë diferencimin e indeve dhe organeve bimore. Fitohormonet kontrollojnë reagimet e bimëve ndaj ndryshimeve të mundshme të kushteve të mjedisit dhe janë njëkohësisht janë përgjegjëse për jetëgjatësinë e tyre, kohën e lulëzimit, zhvillimin dhe intensitetin e maturimit të frutave.

A kanë hormonet bimore ndonjë ndikim në shëndetin e njeriut?

Ka studime të shumta që provojnë se hormone bimore mund të stimulojnë formimin e qelizave mbrojtëse në organizmin e njeriut, të cilat nga ana e tyre fuqizojnë sistemet mbrojtëse të organizmit të njeriut ndaj stresit dhe sëmundjeve. Janë tre kategori të ndryshme të hormoneve bimore të cilat konsiderohen si premtuese në përpjekje për krijimin e medikamenteve të reja për luftimin e sëmundjeve të njeriut; hormonet bimore të rritjes (gibberelinat, auxinat, brassinosteroidet dhe cytokininat), hormonet bimore të stresit (acidi abscisic , etileni, acidi jasmonic dhe salicylatet) dhe hormone bimore të sistemeve imunitare të vetë bimëve (salicylatet, auxinat dhe acidi jasmonic). Efektet e tyre positive në organizmin e njeriut lidhen me dobi të shumëllojshme, që nga veti antiimflamatore, ngadalësimi i shenjave të plakjes nëpërmjet rigjenerimit të lëkurës dhe kontrolli i përmbajtjes së kolesterolit në gjak dhe deri në parandalimin e formimit dhe luftimin e qelizave kancerogjene në trupin e njeriut. Sidomos lidhur me këtë të fundit ka rezultate shumë premtuese të shfrytëzimit të hormoneve bimore të tilla si brasineroidet, acidi jasmonik, strigolactonet, etj, në parandalimin dhe luftimin e formave të ndryshme të kancerit tek njeriu.

A është shfrytëzimi i hormoneve bimore një fenomen i ri në bujqësi?

Kjo është relative. Gjithsesi, nuk mund të thuhet se shfrytëzimi i hormoneve në bujqësi është një fenomen i ri. Edhe në vendin tonë. Mjafton të përmendim shfrytëzimin masiv të një preparati për luftimin e barërave të këqija në grurë, 2.4 D, që në të vërtetë është një aksin sintetike, apo rastet e shfrytëzimit te etilenit në kontrollin e intensitetit të maturimit (skuqjes) të frutave të domates gjatë transportit për në vendet ku eksportoheshin.

Në të vërtetë, për qëllime praktike në bujqësi nuk përdoren hormone të mirëfillta bimore, por analoge sintetikë të tyre (komponime të prodhuara industrialisht). Për këtë arsye, në vend të termit hormone bimore, është më mirë që ato të quhen “rregullatorë të rritjes së bimëve”. Shfrytëzimi i rregullatorëve të rritjes së bimëve në bujqësi është i shumëllojshëm. Vetëm si ilustrim mund të përmenden;

Shfrytëzimi i auksinave (IBA, IAA) në përshpejtimin nxitjen e rrënjëzimit të copave vegjetative në shumëzimin e shumë specieve drufrutore;
Shfrytëzimi i giberelinave në parandalimin e kompaktësimit të veshulëve të rrushit dhe rritjen e përmasave të kokrrave në veshul;
Shfrytëzimi po i të giberelinave në stimulimin e formimit të shumëfishtë te kërcejve në shumëzimin in vitro të specieve bujqësore;
Shfrytëzimin e etilenit në përshpejtimin e maturimit (pjekjes) së frutave (mangos, bananes, kiëit, etj).

Ka një shqetësim publik lidhur me përdorimin e hormoneve në bujqësi. Si e shpjegoni këtë?

E vërteta është që ka shqetësim publik lidhur me shfrytëzimin e rregullatorëve të rritjes në bimë në bimët perimore dhe më konkretisht në domate. Ajo që të bën përshtypje është se fajësohen prodhuesit vendas për përdorimin e tyre, por askush nuk shtron pyetjen nëse produktet e importuara mbartin të njëjtat rreziqe dhe se gjithashtu alarmi ngrihet vetëm mbi domaten, pavarësisht se psh, trajtimet me etilen janë të zakonshme në shumë produkte të tjera.

Cilat janë arsyet e shfrytëzimit të hormoneve bimore në domate?

Dy janë qëllimet kryesore të shfrytëzimit të rregullatorëve të rritjes në domate; përmirësimi i lidhjes së frutave në bimë dhe përshpejtimi i procesit të maturimit (skuqjes) së tyre.

Kompozimet që shfrytëzohen për përmirësimin e lidhjes së frutave janë kryesisht auksina (acidi 4 chlorophenoxyacetik; 4-CPA), por përdoren gjithashtu giberelina, ose përzierje të auksinave dhe giberelinave. Cilado nga këto substanca, nxit rritjen vegjetative të fillesave të frutit duke stimuluar një proces që në agronomi njihet si partenokarpi. Fenomeni haset shpesh në natyrë në të gjitha speciet që formojnë fruta dhe karakterizohet nga prezenca e frutave pa fara dhe për këtë shkak, shpesh edhe nga zgavra në brendësi të frutit, ose deformime të tij. Ndodh kështu thjesht për faktin se formimi natyror (seksual) i frutit është zëvendësuar me rritjen vegjetative të fillesave të tij. Është pa dyshim një fenomen që influencon shijen dhe cilësinë e frutit në tërësi (sillni ndërmend dallimin midis hurmave “me farë” dhe “pa farë”), por nga ana tjetër pa atë ndërhyrje, në shumë rrethana, numri i frutave në bimë do të ishte shumë i vogël dhe rendimenti shumë i ulët. Nëse do të ndodhte kështu, pa dyshim, konsumatori do të duhet të paguante një cmim më të lartë.

Ndërkohë, kompozimet që shfrytëzohen në përshpejtimin e pjekjes së frutave në domate, janë produkte që çlirojnë etilen (ethephton, ethrel, etj). Janë të njëjtat produkte që shfrytëzohen gjithashtu edhe në përshpejtimin e pjekjes së një numri të madh frutash të tjerë. Në kushte natyrore, brendësia e frutave të mollës është e mbushur me etilen dhe po ashtu alkooli etilik, ose thjesht rakia (për shkak të përmbajtjes së alkoolit etilik) mund të shfrytëzohen si burime të prodhimit të etilenit.

Etileni përshpejton frymëmarrjen e bimëve dhe të vetë frutave dhe si pasojë siguron më shumë energji për të mundësuar proceset komplekse të maturimit të frutave në bimë. Domatja futet në një grup të madh bimësh që njihen si “klimaterike”. Ky term do të thotë që bimët shumëfishojnë sasinë e prodhimit natyror të etilenit në prag të fillimit të pjekjes. Këtu qëndron edhe rëndësia praktike e shtimit artificial të etilenit. Duke rritur artificialisht përmbajtjen e etilenit, bimët stimulohen të fillojnë procesin e maturimit të frutave më shpejt dhe ta vazhdojnë me intensitet më të lartë. Në mënyrë analoge, kujtoni rastet e përshpejtimit të pjekjes së frutave të hurmave duke i lyer me alkool, ose raki, apo edhe këshillat për të mos i mbajtur mollët dhe domatet pranë njëra tjetrës.

A mbart shfrytëzimi i këtyre produkteve rreziqe për përdoruesit, mjedisin dhe konsumatorin?

Do të ju referohesha për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje rekomandimeve të Agjencisë Amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit (EPA). Nuk besoj se ka burim më të sigurtë dhe kushdo mund ti verifikojë këto. Sipas saj, acidi 4-chlorophenoxyacetik (4-CPA) është;

Shumë irritues për sytë (kategoria I, që do të thotë se gjatë aplikimit në bimë përdoruesit duhet të mbrojnë sytë dhe në rast aksidenti ti shpëlajnë menjëherë me ujë të pastër dhe pastaj ti drejtohen mjekut)
Ka shkallë të ulët toksiciteti nëpërmjet gëlltitjes, apo kontaktit në lëkurë (kategoria III)
Shkallë shumë të ulët toksiciteti nëpërmjet frymëmarrjes (kategoria IV)
Ndërkohë, etileni është i vetmi hormon bimor që ekziston në gjendje të gaztë. Kjo do të thotë se pasi çlirohet ai shpërndahet në atmosferë dhe nuk mund të shoqërojë frutat e domates deri në tryezën e konsumatorit. Etileni është gjithsesi, një gaz i pa dëmshëm.

Për të ju përgjigjur shqetësimeve për pasojat e mundshme të përdorimit të këtyre dy substancave dua ti adresohem sërish rekomandimeve të Agjencisë Amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit (EPA). Sipas saj, në të dy produktet;

Rreziqet e ekspozimit gjatë kohës së përdorimit nuk egzistojnë
Rreziqet e ekspozimit nëpërmjet dietës ditore (akumulimit gradual në organizëm nëpërmjet konsumit të domateve) nuk egzistojnë
Rreziqe për efekte kancerogjene nuk egzistojnë
Rreziqe për efekte negative në aftësinë riprodhuese të njeriut nuk egzistojnë

A duhet inkurajuar shfrytëzimi i këtyre substancave nga prodhuesit e perimeve?

Jo. Ndonëse shfrytëzimi i auksinave sintetike në përmirësimin e lidhjes së frutave është i parrezikshëm, ndikon negativisht në cilësinë e frutave. Ka alternativa më të mira; shfrytëzimi i një lloji të veçantë blete për pjalmimin e domates (bleta e mjaltit dhe insekte të tjera nuk i afrohen domates) do të ishte shumë më efektiv. Shfrytëzimi i saj për përmirësimin e lidhjes së frutave po masivizohet edhe në Shqipëri, por kostoja mbetet e lartë. Prandaj është me vend që Ministria e Bujqësisë të shohë mundësitë e subvencionimit të plotë të përdorimit të saj. Efektet do të jenë të menjëhershme dhe do ti kontribuojnë gjithashtu rritjes së eksporteve tona.

Nuk duhet inkurajuar as edhe përdorimi i etilenit në serra. Në format artizanale që bëhet aktualisht, jo vetëm që ndikon negativisht në cilësitë e frutit (skuqje e pjesshme, vetëm në sipërfaqe e frutave; shije e pa plotë e frutave), por dëmton rëndë gjithashtu vegjetacionin e bimëve dhe shkurton jetën e tyre.

Artikulli i mesiperm eshte nje interviste e Prof. Astrit Balliu, dhene gazetes “Agrobiznesi” te dates 14 Korrik 2017

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com