Teatri “Teuta” sjell dramën e Arlinda Morinës në arTurbinë. Prishja e ekuilibrit nënë-bir nga gruaja e djalit, vjen me një koncept regjisorial të arrirë që vendos publikun në një kurth emocionesh. Loja e zhdërvjellët e aktorëve nga Ulqini vendos një tjetër standard
Anila Dedaj
Kur një nënë vendos në gjumë foshnjën e vet, bashkë me të përkund edhe dëshirat për të ardhmen e tij. I thur nëna shqiptare ëndrrat për birin e saj edhe në një ninullë, si ajo e “Nanës” nga Ulqini që pushtoi mbrëmjen e së enjtes skenën e arTurbinës, duke e bërë të ndihej më e ngrohtë se kurrë më parë. Një djep që rrit djalin e vetëm të një shtëpie, një tryezë që ka pak por është e pasur, dhe karrigia bosh e kryefamiljarit të munguar që ka lënë pas amanetin për një familje fisnike dhe të ndershme. Shfaqja e teatrit “Teuta” që në minutat e para, arrin të pushtojë tërësisht vëmendjen e spektatorit, duke “ngjitur” në skenë fëmijën që çdokush nga ne ka brenda vetes, sepse “Nana” e Arlinda Morinës mund të jetë edhe e jona. Bien dritat, koha kalon e djali çohet në këmbë… “Nanë, nanë, dua bukë!”, dëgjohet të thërrasë.
Nëna vrapon, bën ç’të mundet që i biri të rritet i fortë e i shëndetshëm. Ka kaq shumë dashuri në atë skenë saqë për një çast çdokush nga ne mund të mendojë se asgjë nuk mund ta prishë këtë ekuilibër… “Nanë ti je ma e mira në botë, dhe unë nuk do të lë kurrë vetëm!”, i premton i biri ende fëmijë nënës, që i bëhet edhe babë dhe që pavarësisht varfërisë, krijon në shtëpizën e vogël një atmosferë lumturie. Aktorët interpretojnë me një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme, ku falë edhe një koncepti të arrirë regjisorial të Munib Abazoviq (njëkohësisht edhe drejtori i “Teutës”), në 40 minuta arrijnë të përcjellin tek spektatori një mesazh të fortë dhe aktual, ku asnjë nuk është i përjashtuar. Asnjë nuk mund t’i shpëtojë emocioneve të kësaj drame me një strukturë të thjeshtë e të sinqertë që arrin të nxjerrë zbuluar kompleksitetin e natyrës njerëzore, mes harresës, mosmirënjohjes, braktisjes deri të vetvetes… Dhe ja, kur dritat bien për të ecur vite para në kohë, e për të sjellë në skenë një tjetër personazh, të gjithë e ndiejnë se diçka ose gjithçka do të ndryshojë, sepse historia e “Nanës” së Ulqinit është një dramë reale e kohëve moderne, një dramë mbi të gjitha shqiptare e njohur. Siç nëna e kishte ëndërruar, i biri martohet, por harmonia mes palëve do të zgjasë pak, pasi qasja e nuses së re ndaj pasurisë materiale do të mbizotërojë mbi ndjenjat dhe respektin ndaj një nëne që bën çdo gjë për familjen. Paralelisht, ndërsa fuqia e nënës bie, rritet ambicia e nuses së shtëpisë, e cila e shikon atë që i rriti bashkëshortin si një figurë të tepërt. Dialogu zbehet, derisa humbet, respekti po ashtu… Nëna rri e heshtur…, nëse flet për histori të trishta është më mirë mos të flasë, sepse sipas të birit, këto e mërzisin të renë, e cila ka nevojë të dëgjojë gjëra të lumtura.
Por a ka vallë nëna e tij ditë të lumtura?! Ajo përpiqet t’ia kujtojë të birit të kaluarën, ditët kur i duhej të siguronte bukën e gojës për të, por më kot. Ai e ka mbledhur mendjen, nuk do t’u rikthehet ditëve të varfra të fëmijërisë, as me mendime, madje as për të kujtuar njerëzit që i zgjatën dorën dhe e ndihmuan. Një skenë dramatike, ku nëna shikon shndërrimin e të birit, mosmirënjohjen dhe ftohtësinë e tij. Tensioni rritet, nusja kërkon shtëpi të re(Cili është vendi që do të ketë nana aty?! A do të ketë vallë një vend?!), ndërsa nëna kërkon birin që rriti… Alkemi është në mes të një dileme, dhe në këtë skenë atij i duhet të bëjë një zgjedhje. Loja e ndriçimit, që bën të vërtiten në mendimet e djalit nusja dhe nëna, e bën edhe më emocionuese pjesën. Tryeza ndahet, familja ndahet dhe Alkemi bën atë që kish premtuar se nuk do të bënte kurrë, lëshon dorën e nënës, e lë vetëm pikërisht në momentet që ajo ka më shumë nevojë për të… Regjisori në një moment të tillë zgjedh të ndajë edhe skenën, duke ofruar dy ngjarje që zhvillohen paralelisht. Nëna e moshuar, që ëndërronte se në ditë të tilla i biri do t’i qëndronte afër, madje do ta ushqente me dorën e vet siç ajo bënte dikur, ka mbetur e vetme. “O Zot, ku gabova?!” përsërit ajo mes dhimbjesh. Po Alkemi a do të arrijë të ndihet i përmbushur tani që ka një tjetër nivel jetese?! Regjisori, ka zgjedhur të ngacmojë skutat e ndërgjegjes të shumë të rinjve duke shpalosur rënien e tij. Diçka do ta pengojë djalin t’i gëzohet jetës së re… Mes grindjeve me të shoqen, ai shkon drejt pijes, bixhozit, ku me një të ftuar (jo të rastësishëm) në shtëpinë e tij ai diçka humbet. Fajëson të shoqen për çka po ndodh.
“Ti je dështak, mosmirënjohës, vetjak si nana jote”, i kthehet ajo duke i kujtuar se e ka bërë me shtëpi. Përmendja e nanës duket se nxjerrë në dritë shqetësimin që e ka çuar protagonistin drejt veseve, dhe shuplakën që i drejton së shoqes, në fakt ai ia drejton ndërgjegjes së tij. “Kurrë më nanën s’ke me e përmend!”, i kthehet ai. Po Alkemi a e përmend, a kujton nanën? Është pikërisht mendimi për të që do ta çojë në këmbë. Ndërgjegjja rijetësohet nëpërmjet fëmijës që ka brenda vetes, që i përplas Alkemit e rrituri të vërtetën në sy, se e ka lënë nënën vetëm. Atëherë djali çorientohet, vë duart në kokë dhe thërret: “Nanë, ku je moj nanë? Kam nevojë për fjalët e tua!”. Aktori depërton mes publikut sikur të ishte duke e kërkuar mes tyre. “A je gjallë moj nanë?!”, thërret ai mes spektatorëve duke u bërë dhe vetë një prej tyre.
Refuzimi dhe falja e “Nanës”
Ndërkohë që nëna e plakur, jeton me kujtimet e të birit fëmijë, e kërkon, e thërret nëpër shtëpi… Regjisori në një situatë të tillë, ku emocionet mbërthejnë çdo spektator zgjedh të shpëtojë humanizmin, nëpërmjet një figure të re mashkullore (që ndoshta ka moshën e të birit), i cili shqetësohet për zonjën e moshuar dhe diçka i sjellë për të ngrënë. Ai vjen si Alkemi që nëna do të donte të kishte, si djali bujar e fisnik që ajo ëndërronte dhe bëhet urë lidhëse për takimin nënë e bir. Dhimbja e nënës është aq e thellë prej braktisjes të djalit, saqë arrin ta mohojë atë dhe refuzon ta takojë. Por çdo të ndodhte sikur trupin e tij ta djegim në zjarr para syve të saj?!( Duket sikur kjo pjesë dramaturgjike do të ngacmojë shpirtin e atyre që janë lënduar, nënat e zhgënjyera, që të falin, sepse e nesërmja është ajo ç’ka nuk njohim). Alkemi i tjetërsuar (transformimi i tij del në pah vetëm mes dialogut nënë-bir), bie në gjunjë para nënës dhe kërkon faljen e saj. Është në frymën e fundit! Mes lotësh e dhimbjesh që shikon të birin në gjendje të tillë, zemra e nënës tregohet mëshirëplotë dhe e rrok në gjirin e saj. “Hallall të qoftë qumështi që të kam dhanë! Hallall të qofshin dhe orët pa gjumë që i kam bajt për ty! Hallall të qoftë dhe ftohtësia e shpirtit që ma krijove kur më le! Hallall! Hallall!”. Alkemi largohet nga kjo botë, skena pushtohet nga vaji i nënës… Spektatorët janë të zënë në kurth emocional dhe mund të çlirohen vetëm mes lotësh… Në fund të shfaqjes, publiku i prekur nga drama duartrokiti trupën duke komplimentuar regjisorin edhe aktorët. Teatri “Teuta” në vetëm 40 minuta përcolli te publiku një mesazh të fortë për dashurinë, humanizmin dhe mirënjohjen, por mbi të gjitha për moslënien në harresë të nënës… Për “Nanën” e Ulqinit, ky ishte rrugëtimi i dytë për në Shqipëri, pasi një vit më parë është shfaqur edhe në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si dhe në teatrin “Migjeni” në Shkodër.
“Kanë filluar ta harrojnë nanën”
“Nana” shënon shfaqjen e parë për teatrin “Teuta” të themeluar rreth dy vjet më parë. Ky teatër në gjuhën shqipe ka shënuar nëpërmjet kësaj drame ngjarje të rëndësishme, pasi përpos zhvillimit të jetës kulturore të qytetit, me “Nanën” trupa ka interpretuar për herë të parë shqip në Mal të Zi. Regjisori Munib Abazi për mediet është shprehur se realizimi i një drame të tillë është bërë pasi braktisja e nënës është një e vërtetë me të cilën aktualisht përballemi çdo ditë. “Vizitoj shumë vende ku vë re se nanën kanë filluar pak ta harrojnë. Kanë filluar të largohen prej saj. Djemtë i ka marrë dynjaja, nusja, jeta dhe kam dashur të përcjell një mesazh nëpërmjet kësaj drame, e cila kudo që shkoj i përlot njerëzit”. Shfaqja “Nana” nën interpretimin e mrekullueshëm të Blerta Kurtit dhe aktorëve të tjerë ka udhëtuar madje edhe në Amerikë, që mesazhi të përçohej edhe tek mërgimtarët. “Kur bëhet fjalë për nënën është diçka shumë e madhe, është emocion në vetvete” është shprehur për mediet aktorja protagoniste.