Një ditë pasi ekspertiza mjekoligjore nxori raportin në lidhje me dëmtimet fizike që ishin konstatuar në trupin e Xhisiela Malokut, kjo e fundit është marrë sërish në pyetje në Prokurorinë e Krujës gjatë paradites së të shtunës.
Vini re se prokuroria është aktivizuar, vetëm pasi ka plasur skandali në media dhe pas tronditjes që shkaktoi në opinionin publik. Nëse çështja nuk do të ishte denoncuar nga ish oficeri i policisë Emiljano Nuhu, me siguri që gjithçka do të ishte mbyllur në heshtje dhe prokuroria do të kishte qëndruar pasive, siç bëri për më shumë se dy muaj.
Vajza u pyet në lidhje me dëmtimet që kishte konstatuar ekspertiza mjekoligjore në trupin e saj, si djegie cigareje në kofshe apo shenja dhunë në shpatull që shkaktojnë paaftësi të e përkohshme deri në 9 ditë.
Burimet pohojnë se Xhisiela është pyetur dhe për mënyrën se si dhe nga kush ishin shkaktuar këto dëmtime. Pothuajse paralelisht është marrë në pyetje edhe ish i dashuri i Xhisielës, Rexhep Rraja.
Ndërkohë, oficeri i policisë gjyqësore të komisariati të Fushë Krujës, Gentian Çitozi i cili dyshohet së nuk ka zbatuar procedurat standarde duke mos i afruar mbrojtje ligjore të dëmtuarës Xhisiela Maloku, ka dëshmuar përpara oficerëve të SHÇBA se ai kishte marrë dijeni për këtë ngjarje nga salla operative pas denoncimit që e dëmtuara kishte bërë në komisariatin nr 3 në Tiranë.