Loading...

Kuko: Policia zbatoi qartësisht ligjin në rastin “Xhesila”

“Policia e Shtetit ka vepruar qartazi sipas ligjit me rastin “Xhesila”. Këtë pohoi të shtunën gjatë një deklarate për mediat, Romina Kuko, zv.ministre e Punëve të Brendshme.

“Pas një hetimi të hollësishëm të rastit të Xhesila Malokut, rezulton qartazi se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë strikte konform ligjeve të shtetit dhe procedurave standarde,
gjë e cila është verifikuar edhe nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave si dhe Drejtoria e Standardeve të Policisë së Shtetit”, tha Kuko.

“Ne i qëndrojmë fort linjës institucionale e ligjore për të pasur një Polici të pandikuar ne veprimtarinë e saj nga askush pavarësisht ngjyrimit partiak, funksionit apo pozitës shoqërore. Në jo pak raste ne kemi dëshmuar për qëndrime të ashpra të Ministrisë së Brendshme ndaj çdo lloj devijimi në respektimin e këtij parimi”, theksoi ajo.

“Pezullimi i menjëhershëm nga detyra dhe referimi në prokurori i oficerit i cili nuk zbatoi siç duhet ligjin; pikërisht vlerësimi i rrethanave dhe mos tërheqja e policisë. Referimi i rastit në prokurori edhe pas tërheqjes së vetë kallëzueses. Bashkëpunimi me prokurorinë për t’i shkuar kësaj çështjeje deri ne fund, si dhe hetimi, i cili po vazhdon nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, siç u prezantua dje me detaje, janë prova më e qartë e punës korrekte dhe institucionale e policisë”, nënvizon ajo.

“Hedhim poshtë me keqardhjen më të thellë të gjitha akuzat, shpifjet dhe insinuatat në kurriz të Policisë së Shtetit. Shprehim keqardhje që po abuzohet me të vërtetën dhe me vetë vajzën e cila sot ka nevojë për solidaritetin e të gjithëve. Keqardhje dhe për përdorimin si flamur beteje të letrës së një ish-oficeri policie i cili ka shkelur ligjin, ka braktisur detyrën dhe që i përdor këto për interesa të ngushta personale”, tha Kuko.

“Ne nxisim fort SHÇBA dhe Prokurorinë të vazhdojnë me vendosmëri punën e tyre për t’i shkuar deri ne fund hetimit te ngjarjes konkrete për të ndëshkuar ashpër çdo shkelje të mundshme ne strukturat e Policisë se Shtetit, ashtu si edhe ndëshkimin e çdo abuzimi me detyrën dhe ndëshkimin çdo lloj shpifje që synon te ndikoje apo të godasë autoritetin dhe imazhin e Policisë së Shtetit. Ne inkurajojmë procesin e nisur nga Avokati i Popullit për të verifikuar ligjshmërinë e veprimeve të Policisë”,  theksoi zv.ministrja Kuko./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com