Loading...

Askush nuk po flet për vajzën/Nga Arian Galdini

Arian Galdini

Kur politika ka fytyrë njerëzore, edhe pse një grua del para Senatit e tregon lot emocioni sesi është ndjerë ajo para 30 vjetësh nga një marrëzi adoleshentësh të dendur me alkool, askush nuk ia cenon apo lëndon udhën e saj të rrëfimit. Në SHBA po ndodh tani. Madje analistët nëpër televizione as po fshehin dot lotët. Tek ne, njerëzimi ka mbaruar. Në një qytet pak kilometra pranë Tiranës, një vajzë është dhunuar e përdhunuar nga i biri i një deputeti dhe shoqëria po ndahet më dysh politikisht. Askush nuk po flet për vajzën. Vajza po përdoret si shkallë për tu gjuajtur politikisht me njëri-tjetrin palloshët e politikës sonë barbare. Sa turp! Sa turp! Sa turp! Nuk gjej dot fjalë e emocion për ta përshkruar pështjellimin dhe neverinë që ndjej për këtë politikë kaq mizore që kemi. Gënjen polici, gënjen PD, gënjen policia, gënjen Balla, këto janë të vetmet fjalë të ndyta e pashpirta që lexojmë e dëgjojmë. Mjaft, o njerëz mjaft! Mjaft përdorët e masakruat shpirtra të pafajshëm!

Ndaleni politikën vetëm për një hop e mendoni se në cilën botë a hulli po e zhysni atë vajzë. Turp edhe gazetari që rendi ta intervistojë vajzën si gestapo për përdorim përgënjeshtrimi! E si mund të bëhet kjo? A ka shpirt, mend, zemër ky soj gazetari? A mendon se po i hedh botën mbi supe vajzës për të mbyllur një vrimë politike? Sa turp! Hiqjani botën nga supet asaj vajze! Jepini mundësinë të ndihet e mbrojtur, pastaj bëni politikë apo gazetari pelivanësh. Ai polici nuk duhej të fliste me emër për vajzën. Pikë. Trimëria johumane e policit nuk e ka fare simpatinë time. Vajza dhe shpirti e jeta e saj vlejnë më shumë se çdo betejë politike apo gazetareske. Nuk mund ta trajtojmë një vajzë të pafajshme si dëm anësor. Ndonjëherë nga mënyra sesi shoqëritë zgjedhin të sillen me viktimat e dobëta përcakton edhe humanitetin apo dekadencën e këtyre shoqërive. Për mua viktima dhe heroina e vetme është vajza, sido që ta trajtojë ajo botën që ia kanê hedhur mbi supe sot. Mjaft keq e ka trajtuar bota atë! Sikur të kishim sadopak njerëzizëm do ndalnim luftën politike dhe do nisnim një betejë civile njerëzore për ta siguruar atë vajzë e shumë të tjera si ajo, se ne si shoqëri po mësojmë ta mbajmë mbi shpinë botën edhe për to. Kaq.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com