Loading...

Haxhi Aliu, “Dallga rebele” e Mesdheut

Historia e tij si zot brigjeve detare shqiptare, madje edhe  gjithë Mesdheut për shumë vite, është e dokumentuar nga kundërshtarët e tij, venetikasit, në raportet që jepeshin në atë kohë. Ndërsa në anën tjetër, në atë shqiptare, në mungesë të letrave, ai u përjetësua në tregimet, legjendat dhe këngët e folklorit popullor. Edhe sot, pas 4 shekujsh, detarët shqiptarë apo të huaj kur kalojnë afër shpellës me emrin e tij në Karaburun  iu bien sirenave të anijeve, hedhin në det bukë, shishe me vaj apo me verë në kujtim të Haxhi Aliut.

Kush ishte Haxhi Aliu

Haxhi Ali Ulqinaku ishte një nga kapedanët më të shquar të detit Mesdhe. Ai u lind në Ulqin rreth vitit 1569, por origjinën e kishte nga shqiptarët e Kalabrisë, në vitet 1587-1593, kreu shërbimin ushtarak në Forcat Detare osmane. Gjatë viteve 1594-1597, vazhdoi studimet në shkollën ushtarake të Detarisë në Stamboll. Disa vite shërbeu në Flotën Detare Ushtarake të Perandorisë Osmane në Mesdhe. Në ato kohë Mesdheu rrihej kryq e tërthor nga piratët e huaj: italianë, grekë,portugezë, spanjollë e francezë që popullli i njihte me emrin “frëngj”. Pikërisht të njëjtën gjë rrëfen edhe misionari italian De Camilis, udhëtues në brigjet tona e gati në gjithë Mesdheun. “Gjatë udhëtimit tim në këto vise nuk hasa pengesa, megjithëse Deti Mesdhe gjatë asaj kohe ishte plot me piratë” – do të shkruante ai, për udhëtimin e tij në brigjet tona. Bëhet fjalë për vitin 1668, kur De Camilis udhëtoi nga Italia për në Dhërmi e Himarë, ku edhe shërbeu si misionar.

Pasha i deteve

Trimëritë dhe bëmat e Haxhi Aliut ishin të njohura nga shumë detarë të huaj. Kapedanët e deteve e kishin si një kryekapedan. Një ndër legjendat e shumta tregon se një pirat osman me orgjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut, ku e kërcënonte se po e ndeshi në ndonjë nga udhët e detit do t’ia rripte lëkurën dhe do ta shtronte mbi syret e kuranit. Haxhi Aliu në përgjigjen që i jepte piratit algjerian shkruante: “Kafkën tënde unë do ta bëjë kokë për çibukun dhe do të pi duhan me të”. Për merita të posaçme që i atribuoheshin këtij kapedani në zhdukjen e piraterisë venedikase, greke e malteze, Sulltan Selimi e gradon pasha (admiral) që është grada më e lartë në veprimtarinë e detarisë.

Mes të vërtetës  dhe  legjendës

Thuhet se varri i tij dhe i të birit është në Sazan, ndërsa gojëdhëna të tjera thonë se varri i tyre ndodhet në det të hapur, aty ku nxin fundi i detit midis Kepit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit. Në tokë, barinjtë e Karaburunit deri vonë në vjeshtën e dytë të vitit, në shënjë kujtimi dhe respekti të kapedanit të shquar, u hiqnin zilet dhe këmborët bagëtive, gjë që e bënin rrallë për ndonjë fatkeqësi tepër të madhe. Rapsodët vlonjatë në kujtesën e tyre kanë ruajtur kujtimet lidhur me veprimtarinë e këtij kryepirati. “Kush e njeh Haxhi Alinë/ Ky në det kishte kufinë/ Haxhi Alia, kaçak i detit/ I doli zot tërë miletit/ Midis detit të Sezanit/ Luftoi e vdiq kapidani. Në shpellë xhind u ba Limani…”. “Haxhi Aliu me të birin/porsi mbreti me vezirin”, thotë një këngë tjetër e vjetër për atë pirat madhështor. I frymëzuar nga legjenda e Haxhi Aliut dhe Shpella e tij, shkrimtari i njohur i Bregut, Petro Marko bëri romanin “Shpella e Piratëve”.

Për vite me radhë zot i vetëm i Otrantos

Në vitet 1609-1624, në Kepin e Karaburunit, Haxhi Ali Ulqinaku u vendos së bashku me te birin dhe dy testana (anije me vela), që përdoreshin nga detarët shqiptarë në shekujt XVI-XVIII. Ai luftoi kundër Ushtrisë franceze e veneciane që kërkonin zotërimin e brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në të dy anët e Karaburunit, Haxhi Aliu bashkëpunoi me kapedanët himariotë të detit dhe me barinjtë vendas kundër piratëve të huaj që sulmonin këto brigje. Pylli i Karaburunit ishte furnizuesi i Haxhi Aliut me lëndë druri për ndërtimin e anijeve luftarake, anije, të cilat me veprimtarinë e tyre ishin përqendruar kryesisht në mezokanal. Sipas gojëdhënave, Haxhi Aliu me anijet e tij të shpejta rrihte brigjet veriore të Afrikës deri në Misir e Spanjë. Vendi ku ai strehohej në Karaburun ishte një shpellë karstike, prej tij ajo mori edhe emrin Shpella e Haxhi Aliut.  Rreth viteve 1623-1624, në brigjet e Otrantos u ndesh me anijet e Venedikut dhe të Anglisë, në një ekspeditë ushtarake të pabarabartë, e cila kishte për qëllim eleminimin e të gjitha mjeteve lundruese rebele nga brigjet e Mesdheut. Megjithëse ata ishin të shumtë e të pajisur me mjete të fuqishme lundrimi, Haxhi Aliu u rezistoi dhe ata nuk arritën ta thyenin apo ta zinin rob.

Fundi i Haxhi Aliut

Perendim-dielli-ne-Lepe-Country-ParkBeteja e fundit ka qenë ajo e vitit 1625 në Kanal të Otrantos, ku kundërshtari ishte superior në mjete dhe forca. Në këto kushte të vështira Haxhi Alia me anijen e tij të shpejtë mundi ta çajë rrethimin dhe t’i afrohet kepit të Gjuhzës, i ndjekur hapa pas hapi nga kundërshtarët, deri tek vendi i quajtur “Maja e Frengut”, mbi shpellë në Karaburun, ku edhe u vra së bashku me të birin duke luftuar me shpatë në dorë…

Në tetor 1962 detarët shqiptarë (pjesëtarë të marinës luftarake) i ngritën një bust brenda repartit, përballë hyrjes në portin e Ishullit të Sazanit, duke e konsideruar kështu si një shëmbulltyrë të detarisë së vjetër shqiptare. Busti u hoq pa asnjë arsye në vitin 1974 – 1975!…

Piratët ulqinakë, tmerri shumëshekullor i Mesdheut

Çfarë grabitnin kusarët e anijeve ulqinake? Njerëz, gjahu kryesor i tyre ishin robërit. Ulqini rreth vitit 1650 u bë treg i rëndësishëm i robërve të krishterë.  Në Ulqin silleshin robër të cilët i kishin rrëmbyer nga vende të ndryshme të Mesdheut, por edhe vende të tjera të Perandorisë Osmane. Tregu më i madh turk i robërve ishte në Vlorë. Nga ana tjetër e Adriatikut, panairet ishin rasti më i mirë për shitjen e robërve.

Shumica e robërve në Ulqin, pothuaj tre të katërtat, ishin nga Mbretëria e Napolit dhe nga Shteti i Papës; të tjerët ishin nga Dalmacia dhe Republika e Dubrovnikut. Kusarët ulqinakë në brigjet e Apulisë dhe Sicilisë kryesisht plaçkitnin vilat e pasura, ndërsa me vete merrnin pronarët e tyre të cilët pastaj i shitnin si robër. Ulqinakët robërit i mbanin si të burgosur dhe nuk i shfrytëzonin si fuqi punëtore. Robërve u mundësonin lidhjen me shtëpinë ose me kushërinjtë, në mënyrë që familja apo komuna të marrin vesh që anëtari i saj gjendet i robëruar në Ulqin, për të ardhur pastaj dhe për ta blerë, si kundërvlerë për lirinë e tij. Kjo shpesh bëhej në terren neutral, kryesisht në Dubrovnik.

Në jehonën e Luftës së Kandisë, më 1662 në Ulqin qëndroi udhëpërshkruesi i njohur osman Evliha Çelebi, i cili na njofton se në këtë qytet “vijnë djem guximtarë arnautë nga kasabatë tjera, vendosen në fregata dhe konfiskojnë, plaçkitin dhe shkretojnë bregdetin e armikut, duke sjellë thesar të panumërt dhe robër të zgjedhur kthehen në Ulqin si fitimtarë dhe i japin sanxhakbeut të dhjetat nga plaçkat e grabitura. Kështu unë, si i gjorë, isha në këtë qytet dhe derisa shikoja, erdhën nga Pula e kaurëve shtatë fregata me plaçka lufte. Nga ato shtatë fregata me plaçka Jusuf Beut i takonin 91 mijë grosh të të dhjetave mbretërore dhe 17 robër”, thekson Çelebiu. Pra, vetëm në këtë aksion kusarët ulqinakë në jug të Italisë zunë 170 robër!

Pronarët më të vegjël të robërve ishin kryekomandanti i Ulqinit, Murati, emini i Shkodrës, Ali Begu, jeniçeri i Shkodrës, Halil Aga, Hysein Korza, Bali Begu, Çaush Murati, Sulejman Berberi, Sule Raboti, Mustaj Basta, Abdi Skura, Kara Kurti, Elez Qehaja, Sulejmani i Gjatë, Hajredin Oruç Hoxha, Ibro Haraliu, njëfarë Mustafë, Resul Agë Sori dhe vetëm një kusar i vërtetë, Reis

Tregtia me robër arriti kulmin në fillim të shek.  të 18-të. Ulqinakët në qershor të vitit 1715 e sollën si të zënë rob nga Korçulla famullitarin Mark Bonin. U shit për 100 florinj. Pas dy viteve kur farefisi i tij mori vesh vendndodhjen e tij e bleu për 141 florinj. Bashkëshortet e fisnikëve Vicko Xhamari (Dobrula) dhe Vicko Kushelit (Nika) nga Venediku ishin robëresha në Tunizi në vitin 1740 sepse i kishin grabitur ulqinakët 15 vjet më parë.

Nga mesi i shek. XVIII ndryshojnë edhe shijet, andaj oborrtarët gjithnjë e më shumë kërkojnë robër nga Afrika. Ulqinaku Ali Basha, në vitin 1775, solli nga Egjipti dy robëresha, ndërsa një grup i cili në vitin 1775 u kthye nga Afrika Veriore solli me vete 13 robër dhe robëresha zezakë.

Konsulli francez në Durrës, në shtator të viti 1716, me dhimbje të thellë shkruan: “Ulqinakët bëjnë çudira në Adriatik me 25-30 anijet e tyre me rrema dhe askujt nuk i përulen. Nëse nuk i pengojmë këto dukuri të përditshme, kusarët ulqinakë do të krijojnë këtu një armatë anijesh franceze dhe angleze”, paralajmëronte konsulli francez në Durrës.

Në mars të vitit 1718 një anije ulqinake me 180 marinarë dhe 10 topa zuri rob kapiten Botenin nga Marseja duke theksuar si shkak flamurin maltez, të cilin ata e vendosën vetë në anijen franceze. Boteni dhe ekuipazhi i tij u dërguan në Ulqin si robër. Konsulli francez në Durrës Zhoze Isnar pohon gjithashtu që kusarët ulqinakë nuk respektojnë as sulltanin dhe as cilindo pushtet tjetër në botë! Aksionet e tyre janë të përmasave aq të mëdha saqë kanë ndikuar jo vetëm në tregtinë që bëhet në Detin Adriatik, por edhe në Mesdhe, theksonin përfaqësuesit diplomatik të Francës.

Shpella e Haxhi Aliut

Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë. Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë Shqipërinë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon. Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli. E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele. Shenjat dhe dëshmitë që gjenden brenda Shpellës së Haxhi Aliut, tregojnë për një aktivitet të dendur njerëzor. Faqet e shpellës janë të nxira nga tymi i zjarreve. Quhet shpella e Haxhi Aliut për shkak se ka qenë bazë e këtij pirati të tmerrshëm të deteve, aktiviteti i tij piratesk u zhvillua në shekullin e XVIII-të. Kjo bazë piratësh që Haxhi Aliu dhe njerëzit e tij shfrytëzuan, u përdorë për tu strehuar së bashku me anijet e tija, pasi sulmonin dhe plaçkitnin karvanët e tregtarëve venecian, apo të kombësive të tjera që përdornin ngushticën e Otrantos për të kaluar.

Shpella e Piratëve në Vuno

Duke lundruar në këto brigje, veç Shpellës së Karaburunit, Haxhi Aliu ka përdorur edhe Shpellën e Piratëve të Vunoit, një shpellë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe nga libri me të njëjtin titull i Petro Markos, si edhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” që bazohet në këtë libër të shkrimtarit të njohur. Kjo shpellë përbën një nga objektet më me vlerë në bregdetin e Himarës. Ajo ndodhet pranë plazheve të Dhërmiut, në një breg shkëmbor tepër të thyer që bie pingul mbi det dhe gjendet shumë pranë Manastirit të Shën Theodhorit, gjë që e pasuron më tepër gjeografinë dhe historinë e kësaj pjese tërheqëse të bregdetit shqiptar.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com