Loading...

Lehtësim i procedurave për anijet e peshkimit

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të shikojnë mundësinë e lehtësimit të procedurave të nisjes dhe mbërritjes së anijeve të peshkimit në porte.

Kjo u konfirmua sot nga zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila zhvilloi një interpelancë në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al me përfaqësues të Konfederatës së Prodhuesve Shqiptarë të Peshkimit dhe Akuakulturës.

Lehtësimi i procedurave së kontrollit para daljes së anijeve në det, ishte pikërisht një nga kërkesat e parashtruara në këtë interpelancë.

“Shqipëria është një vend i prekur nga flukset migratore, ndaj dhe kontrolli kufitar ka të bëjë me parandalimin e këtij fenomeni”, tha zv/ministrja Voda në fillim të fjalës së saj.

“Fokusi ynë i punës ka qenë në ushtrim të një kontrolli kufitar të detajuar, jo vetëm në pjesën e kufirit blu, por edhe në gjithë pjesën e kufirit shqiptar dhe në të gjitha pikat kufitare”, tha zv/Ministrja.

Megjithatë, ajo e konsideroi të drejtë pretendimin e përfaqësuesve të sektorit të peshkimit, duke premtuar se skanimi i anijeve do të zhvillohet vetëm bazuar në analizën e riskut.

“Të mos jetë më damka e dikurshme që peshkatarët i kemi kontrabandistë e kriminelë. Ka ikur ajo kohë. Edhe nga kontrollet që kemi pasur, realisht nuk kemi pasur raste të anijeve e peshkarexhave që kryejnë veprimtari të jashtëligjshme. Do të kemi një kthesë dhe do të marrim masa që kjo kërkesë të realizohet”, premtoi zv/ministrja.

Lidhur me vonesat në procedurën e kontrollit, sidomos në rastet kur bëhet dalja në det e rreth 60 anijeve menjëherë, Voda premtoi po ashtu rishikimin e procedurës me qëllim eleminimin e pengesave që mund t’i krijohet këtij sektori në aktivitetin e përditshëm./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com