Deputeti i Fushë-Krujës për PS, Rrahman Rraja, për djalin e të cili ka akuza se ka përdhunuar ish-të dashurën, ka reaguar duke thënë se e gjithë historia është një sajesë. Rraja u përgjigjet akuzave të nënkomisarit, Emiljano Nuhu, duke thënë e këtë të fundit nuk e ka takuar asnjëherë.
“Unë nuk e njoh fare këtë person dhe as nuk kam shkuar ndonjëherë në zyrën e tij. Gjithçka që ai thotë është një sajesë, ndoshta për të përfituar azil politik”, u shpreh deputeti, ndërsa tregon edhe precedentin e djalit të tij që lidh me Stacionin e Policisë së Fushë Krujës, shkruan Panorama.
“Djali ka patur një problem me një vajzë para dy vitesh me të cilën u nda sepse u lidh me një tjetër. Kjo ndarje është sqaruar në Komisariat. Në fakt, ajo ka bërë një deklaratë, dy ditë pasi ish-kryeministri Sali Berisha bëri postimin e tij në ‘facebook’ duke thënë se familja ime është e respektueshme në rrethin e Krujës dhe se me këto postime duan t’i ulin dinjitetin. Ajo kishte thënë se problemet që ka patur i kishte zgjidhur me djalin tim”,- tha Rraja, i cili sqaron në versionin e tij se vajza e nxitur nga xhelozia ka bërë një denoncim të cilin më pas e ka tërhequr.
“Denoncimin e kreu nga xhelozia se djali im u lidh me një tjetër. Këtë kallëzim ajo e sqaroi përsëri në komisariat”, shton deputeti socialist.vPo ashtu, ai ka mohuar edhe akuzat se në Stacionin e Policisë ka qenë me vëllanë dhe kreun e bashkisë, Artur Bushi. “Jo, jo as që bëhet fjalë. Nuk e di pse është shprehur kështu ish-nënkomisari, por nuk e kam takuar asnjëherë”, tha Rraja.