Procesi i vettingut ka futur në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për shkak se prokurorët janë shpërqëndruar nga dosjet e rëndësishme. Ish kryeprokurori Shkëlqim Hajdari me një përvojë të gjatë prej 20 vitesh në sistemin e drejtësisë, aktualisht Kryeinspektor i Përgjithshëm, tregon faktorët sipas tij që kanë sjellë kaosin e pazakontë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. I ftuar në “45 minuta” në Report Tv, Hajdari u shpreh se një nga faktorët është procesi i Vettingut. Sipas tij, zvarritja e këtij procesi si dhe vonesat e shkaktuara në hallkat e ankimimit pas vendimeve të KPK dhe ankimimit në KPA, kanë sjellë shpërqendrimin e vëmendjes së prokurorëve nga dosjet e rëndësishme duke krijuar një situatë kaotike në Prokurori. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari propozon ndërhyrje në ligjin e Vettingut për të afruar afatet e shqyrtimit të dosjeve të prokurorëve që kalojnë në ‘sitë’.
KPK dhe KPA duhet të punojnë më shpejt, duhet të mbështeten financiarisht në mënyrë që ritmi i punës të jetë më i larë, sepse përndryshe i bie që të përfundojë pas 7 vitesh. Për vite të tëra prokurorët do jenë në ankthin e Vettingut. Ritmet e komisionit duhet të jenë shumë herë më të shpejta. Vendimet e menjëhershme të KPK, kam përshtypjen që kanë krijuar një situatë që është e rëndë. Do ishte e rëndë që për të mos e tronditur më shumë organin që shikohej mundësia që vendimet e KPK të mos kenë efekte të menjëhershme, pa marrë më parë vendim të formës së prerë. Z.Rreshka u shkarkua nga KKP dhe u emërua një zonjë.
Dalja menjëherë nga sistemi dëmton besimin. Rikthimi në punë ndodh shumë vonë dhe është i pariparueshëm dëmi që është marrë. Ka shkatërruar punën. Mundet të rishikohet që të mos ketë efekte të menjëhershme sepse edhe komisionin e Apelimit e vendos në një pozicion të vështirë. Dhe pas shqyrtimit nga KPK, mbledhja e KPA të bëhet më shpejt. Duhet të ndërhyjmë në ligj. Nëse e lëmë KPK me këtë temp pune, institucioni i prokurorisë do shkatërrohet totalisht, askush s’e ka mendjen te puna. Ata që mbesin nga Vettingu të rindërtojnë prokurorinë e re. Duhet të kuptojmë se kur sulmojmë Prokurorinë, vetëm qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë nga prokurorja ritme të tjera pune. Të ndalojmë sulmin ndaj Prokurorisë. Nuk duhet të marrim nëpër gojë prokurorë që ky i shërben një krahu dhe ky një krahu tjetër.
Situata te Krimet, thotë Hajdari, nuk ka ardhur si rrjedhojë e frikës së prokurorëve ndaj krimit. Thirrja e tij drejtuar Arta Markut është që t’i motivojë prokurorët e Krimeve të Rënda si dhe t’i mbrojë ata nga sulmet e politikës dhe kërcënimet që vijnë nga kriminaliteti. Nëse do isha në vend të Arta Markut, do mblidhja të gjithë prokurorët e vendit dhe do t’i motivoja, për t’i mbrojtur prokurorët nga çdolloj sulmi politik apo nga grupet kriminale. Të rikthejë solidaritetin që është shumë i rëndësishëm. Prokurorët duhet të kuptojë që ka ngjarje pa risk, por ka edhe ngjarje të vështira me zyrtarë që duhen çuar përpara drejtësisë apo edhe përballja me grupet kriminale. Siç tha edhe ambasada e SHBA, polici-prokurori duhet të punojnë sëbashku. Prokurorët e Krimeve të Rënda nuk kanë frikë nga krimi. Kaq është kjo histori.
Edhe mungesa e KLP-së, sipas tij, ka futur në ngërç punën e Prokurorisë, duke bërë që puna e Arta Markut, me mandat të përkohshëm të jetë ekstraligjore. Një proverbë popullore thotë, në atë shtëpi që nuk të dëgjojnë, minimumi është të mos flasësh dhe maksimumi, të ikësjh. Këtë s’e kam zbatuar as në shtëpi as aty ku kam punuar. Ne që ishim, edhe unë, si mbështetës i reformës dhe prishja e sistemit të kalbur të prokurorisë. E dija që do kishte një prishje të këtij centralizimi. Dhe rreziku ishte se nga centralizimi ndër vite, prokurorë që punojnë prej 25 vitesh, mund të na ndodhte që të shpërbënim trupën e prokurorëve. Duke e demokratizuar mund të kishte një mungesë kontrolli, liri të madhe. Znj.Marku po punon në një situatë ekstraligjore, jo për fajin e saj, por që nuk u ndërtua KLP, mundet të marrësh vendime për të ruajtur institucione, vendime që mund të kenë edhe kontestime.
Arta Marku po përpiqet ta mbajë me vështirësi në punë Prokurorinë. Kësaj situate i është shtuar edhe barra e Vettingut, barrë psikologjike mbi prokurorët pasi mund t’i nxjerrë fare jashtë sistemit. Ka edhe përplasje politike në adresë të prokurorisë për ecurinë e punëve, çështjeve që heton Prokuroria. Të gjithë këto faktorë e kanë futuar Prokurorinë në një krizë të fortë besimi. Prokurorët tani, edhe ata të Krimeve të Rënda, janë në një situatë që ka humbur ai besimi reciprok. Hajdari e cilëson urgjente ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të rikthyer në shinat e funksioniomit ligjor Prokurorinë e Përgjithshme, duke zgjedhur një Kryeprokuror me mandat të plotë ligjor.
Në momentin që ngrejmë KPK, atëherë është i gatshëm të fillojë menjëherë ndërtimine SPAK, BKH, kandidaturat për prokuroritë e rretheve dhe hapjen e garës për kryeprokuror të përgjithshëm. Po të ketë vullnet dhe të ecë shpejt Vettingu, krijohen të gjitha kushtet që Kryeprokuorja të thërrasë Konferencën e Prokurorëve dhe të konstituohet KLP.
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i referohet edhe bllokimit në Kuvend të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Moshapja e Shkollës së Magjistraturës, thotë Hajdari, rrezikon ta kthejë Shqipërinë si në situatën e vitit 1992 kur gjyqtarët dhe prokurorët vinin nga kurset. Ne do na ngelet sistemi bosh për dy vite. Shpresoj të mos rikthehemi si në vitin 1992 me kurse të përshpejtuara për gjyqtarë dhe prokurorë. kjo nuk duhet të ndodhë kurrë sepse jemi në një proces integrimi.