Loading...

Grabitën çantën me euro, ja pamjet si u kapën autorët në kodrat e Panajasë

Janë publikuar pamjet e aksionit për kapjet e personave përgjegjës për grabitjen e mëngjesit të sotëm në zonën e Skelës në Vlorë. Ndërsa gjatë gjithë ditës pothuaj 70 forca policie kanë qenë në ndjekje të autorëve, në video, tregohet edhe momenti i arrestimit në kodrat e Panajasë të 29-vjeçarit Armand Kuqi, 29 lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, që sipas policisë është një nga 3 autorët. Policia e Vlorës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen në zonën e “Skelës” në Vlorë paraditen e sotme, ku shoferit dhe pasagjerëve të një autobusi i janë marrë disa mijëra euro, sipas deklaratave të këtyre të fundit.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se një person është vënë në pranga, është identifikuar autori i dytë dhe vijon ndjekja për kapjen tij. Ndërkohë, është shoqëruar edhe një person i tretë dhe po punohet nëse është i përfshirë ose jo në ngjarjen e ndodhur. Janë sekuestruar dy automjete dhe dy armë zjarri kallashnikovë të përdorura nga autorët. Për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë angazhuar rreth 70 forca policore të përbëra nga shërbimet e Komisariatit, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Forcat Operacionale FNSH të Fierit. Për ndjekjen e autorëve po përdoret edhe qeni i gjurmës.

Policia njoftoi se, rreth orës 09:05, në zonën e Skelës pranë stadiumit “Flamurtari”, 3 persona dyshohet të maskuar kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit dhe dhunës shoferin e autobusit të linjës “Itali-Vlorë”, si dhe disa nga pasagjerët e autobusit. Autorët e ngjarjes pas grabitjes janë larguar menjëherë me dy automjete, të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tyre kanë braktisur 2 mjetet me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes tek nënkalimi i “Panajasë” dhe janë larguar në këmbë nëpër kodrat e Panajasë për tu fshehur në pyll. Reagimi i Policisë së Vlorës mbështetur nga FNSH e Fierit bëri të mundur që pas rreth 30 minutash ndjekje të kapej në kodrat e Panajasë njëri prej autorëve të grabitjes, konkretisht shtetasi: Armand Kuqi, 29 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë.

Ndërkohë, Policia vijon ndjekjen për kapjen e dy personave të tjerë të cilët janë larguar me shpejtësi në kodrat përreth duke u futur në pyll ku ende vijon krehja e zonës për kapjen e tyre. Në afërsi të vendit ku u kap autori i parë është konstatuar edhe një shtetas tjetër i cili është shoqëruar në Polici e po punohet për të parë nëse ka ose jo lidhje me ngjarjen. Në cilësinë e provës materiale Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjetet dhe 2 armët e zjarrit që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Policia njofton se vijon veprimet procedurale dhe hetimet e mëtejshme në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Ndërkaq, operacioni vazhdon për kapjen e autorëve të tjerë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com