Nga Sejmen Gjokoli:
Nga cikli “ Visare trashëgimie”*
RRAHMËNI ME XINXËRFILE …
-me Rrahmën Nuredinin, këngëtarin virtuoz të Armenit-
Kur Vlora do të mbaronte konkurimin në Kalanë e këngës në Gjirokastër atë tetor të vitit 1983 e ashtu grupe – grupe do të merrtë kalldrëmit për në shëshin e Çerçizit, grupit të Armenit do ti shkonin mbrapa një det i tërë me adhurues kënge. Grupi sapo kishte shpalosur në skenën e madhe këngën e Xinxërfiles dhe ashtu si në një dasmë të madhe kur ke marrë nusen, ik e ndalo e këndo, nëpër rrugën gjarpërore me kalldrëm.
At’here Rrahmën Nuredinaj, marrësi i këngës, do të ishte vetëm 40 vjeçar dhe në kulmin e fuqisë së vet interpretative dukej se bashku me njerëzit po mirrte pas edhe vet Kalanë…
Ato kohë Xinxërfilja e Rrahmën Nuredinit do të renditej për krahë “Janinës…” së Lapardhasë “ e “Naim Shqipërisë” së Pilurit të Lefter Çipës duke u bërë pjesë e vulës që Vlora mori në sofrën kombëtare të këngës e valles shqiptare.
Po fare natyrshëm, ndërkohë, RrahmanNuredinaj me “Xinxërfillen” i vuri vulën edhe vehtes së vet si një prej këngëtarëve polifonë më të mëdhenj të kohës, përkrah Arap Çeloleskaj, Hysen Ruka, Leko Gjoleka, Sulo Bozhani, Bego Vangjeli, Ermioni Mërkuri, Aranit Daupi, Syrja Hodo etj.
Pasionat qysh prej vegjëlisë, pikuar geni prej të jatit, Hairit, ay do të deputonte në grupin e këngës së fshatit sapo të mbaronte shërbimin ushtarak dhe nuk do të ndahej deri sa vokali do të humbiste shkëlqimin.
Vazhdimisht në rolin e korifeut, si marrësi kryesor i grupit të Armenit në repertorin e tij Rrahmën Nuredini do të arkivojë njera pas tjetrës me dhjetra këngë melodi ëmbla, krejt të veçanta e të pangjashme me të tjera këngë polifonike.
Me kthyesin Fatmir Canaj e hedhësin Rustem Hazizi në krahë por edhe rrethuar me ison e Fatosh Hodaj, Bastri Nuredini, Leta Hallushaj, Shpërblim Haxhiraj etj, krijimet e Lefter Haxhirajt, Rrahmën Nuredini do ti kthente në melodi e avaze zogjsh që ti ka qejfi ti dëgjosh.
Nga të veçantët vokale labe me aq shumë ngjyra e ëmbëlsi, me aq veshje të kadifejtë , ndër këngëtarët prijsa të këngës polifonike labe.
Një zë që të tërheq si manjet e të bën ta dëgjosh përherë me endje malli.
Rrahmën Nuredinaj, virtuozi i këngës armenase, pa dyshim, ndër më të mëdhenjtë këngëtarë polifonë të trevës së Labërisë.
*Ky portret si edhe të tjerë më parë e në vazhdim publikohet në kuadrër të 29 Shtatorit “ Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, si inisiativë e DRTK- Vlorë.