Loading...

Njoftim për ndarje nga jeta të Shaniko Tozaj

NJOFTIM PËR NDARJE NGA JETA TË SHANIKO TOZAJ.

Njoftojmë bashkëfshatarët kallaratas dhe jo vetëm se, në datën 3 shtator 2018 u nda nga jeta Shaniko Meçan Tozaj (Qejvani), bashkëshortja e Sihat Xhemil Tozaj, nëna e Kastriotit, Manushaqes, Mirandës e Lindita Tozaj.

Shanua, siç e thërisnin shkurt, u lind në Kallarat më 14 korrik 1931, në një familje me ndjenja të theksuara liridashëse e arsimdashëse.

Babai i saj Meçan Selami (Qejvani) pas mbarimit të shkollës fillore të Muradies në Vlorë, me porosi të Ismail Qemalit Meçani dërgohet në Korfuz për shkollim të mëtejshëm, bashkë me Halim Xhelon, si nxënës të shkëlqyer. Të mëkuar me ndjenja atdhetare, bashkë me Halimin më 1911 kthehen në atdhe dhe bashkohen me çetat e lirisë në luftë kundër pushtuesve turq.

Merr pjesë në ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë. Një nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në krahinë. Pjesëmarrës i qëndresës së kallaratasve kundër bandave shoviniste greke më 1913-14. Më 1919 është midis atyre që rrëzuan flamurin italian dhe ngritën flamur në shkollën e Kallaratit, akt për të cilin u arrestua dhe u internua në Itali. Anëtar i shoqërisë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja shkollore”, që drejtohej nga shoku i tij Halim Xhelua. Në Luftën e Vlorës më 1920 ishte sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që kryesohej nga Osman Haxhiu, dhe delegat në Kongresin e Lushnjës. Pas vitit 1920 vijon mësimdhënien në shkollat e Bregdetit. Pjesëmarrës i Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit. Si antizogist, merr pjesë në Lëvizjen e Fierit më 1935. Më 1941–42 caktohet kryetar komune në Gostivar. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste, kthehet në vendlindje. Kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të Kallaratit deri në mbarim të Luftës.

Shanua, e rritur në një familje të tillë patriotike, u martua në fisin Tozaj, fis edhe ky shumë i njohur e i dëgjuar për Kallaratin dhe jo vetëm si pjesëmarrës dhe mbështetës pa kufi i lëvizjes nacionalçlirimtare, me Sihat Tozaj.

Si bashkëshorte e denjë, Shanua do ta shoqëronte, mbështeste dhe inkurajonte Sihatin në kryerjen me nder të një sërë detyrash të rëndësishme shtetërore e shoqërore për vite të tëra në Delvinë, Fushë Krujë, në qytetin e tyre të dashur Vlorë, Gjirokastër e së fundi në Tiranë.

Shanua e Sihati lindën, edukuan dhe arsimuan një djalë e tre vajza me ndjenjën e thjeshtësisë, dashurisë për njëri tjetrin dhe bashkëfshatarët e tyre kallaratas, ashtu siç ishin edhe vetë të dashur dhe shumë të thjeshtë, edhe pse si familje bënin pjesë në piramidën e shtetit të asaj kohe.

Kudo ku Shanua punoi dhe jetoi, shquhej për korrektësi, ndërgjegje dhe dashuri për njerëzit.

Së bashku me bashkëshortin Sihatin dhe fëmijët e tyre, Shanua tregonte një dashuri të pa parë për vendlindjen, Kallaratin dhe banorët e tij. Shtëpia e tyre në Vlorë, Gjirokastër e Tiranë, ishte e hapur jo vetëm për kallarasit, por edhe për këdo hallexhi i cilësdo krahinë të ishte në veri apo në jug.

Shanua, vitet e fundit, sidomos me ndarjen nga shoku i jetës, bashkëshortit, Sihatit, do të përballonte me kurajë sëmundjen e pleqërisë nën kujdesin e pashembullt të fëmijëve, nuseve, nipërve dhe mbesave.

Shanua u përcoll me të gjitha nderimet me pjesëmarrjen e miqve, shokëve, të afërmve të familjes, por edhe bashkëfshatarëve të saj kallaratas.

Kryesia e Shoqatës “Kallarati”, u shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta, fëmijëve, nipërve, mbesave dhe të afërmve të saj.

Qoftë i paharruar emri dhe kujtimi i saj!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com