Në komedinë “Tag”, e cila “bekoi” skenën e re të “arTurbinës”, është ironizuar me politikanët mbi situatën aktuale politike në vend. Të thumbuarit ishin kreu i qeverisë, kreu i opozitës por dhe kreu i Bashkisë së Tiranës.
Deputeti, i veshur me kostumin sportiv të skuadrës së zemrës, bardhë e zi, e ka pak me ngut, se për pak fillon ndeshja mes Juventusit dhe Frosinones. Kështu që katundari duhet t’i bjerë pak shkurt me hallet e veta në takimin virtual, gjatë së cilit deputeti raporton për platformën e bashkëqeverisjes për Shqipërinë që duam… Dramaturgu Bashkim Hoxha e regjisorja Andia Xhunga nuk i kanë kursyer aspak shigjetimet kah Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe opozitës.
Ndërkohë që është për t’u përshëndetur që Drejtoria e Teatrit Kombëtar ka zgjedhur të hapë Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, por edhe jetën e vet transitore në skenën e “arTurbinës”, me një parodi që vë në lojë jo vetëm jetën virtuale boshe, që ka përfshirë gjithë shqiptarët, por edhe qeverisjen. Ndër spektatorët e shfaqjes, mbrëmë ishte edhe ministrja Mirela Kumbaro, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
SHFAQJA
Bëhet fjalë pikërisht për komedinë “Tag”, e cila “bekoi” skenën e re të “arTurbinës”. “Tag” është një komedi gazmore, që me siguri do ta bëjë për vete publikun. E ndërtuar si një
variacion mbi motivet e filmit “Zonja nga qyteti”, sërish kemi të bëjmë me një lloj shkuesie, por përmes internetit. Indikacionet për te filmi i njohur i 1976-s janë shumë të qarta.
Sipas tij, është përshtatur edhe skenografia e Genc Shkodranit, me burimin e famshëm të Marenës-Tushemishtit, me kortinkat e penxhereve, me grep, (mungon vetëm teto Ollga) edhe muzika e Agim Krajkës, është po ajo, veçse e riorkestruar nga Sajmir Çili, ndërkaq që elemente personazhesh nga filmi (si ai i Koçit) i gjen edhe te personazhet e Hoxhës. Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, në fund shfaqet edhe aktorja Rajmonda Bulku, që luante rolin e Melit, e cila ndalet të pijë një kafe në fshat. Shfaqja është e këndshme.
Nuk mungojnë batutat dhe situatat komike. Aktorët, pa dashur të veçojmë njërin apo tjetrin, u përshtaten më së miri roleve. Kostumografia e Blerina Kokonës nuk zhgënjen asnjëherë. “Tag” ironizon me virtualizimin e jetës së shqiptarëve, një virus që ka kapur edhe fshatin, duke denatyruar marrëdhëniet mes njerëzve. Njerëzit dashurojnë dhe hakmerren përmes “Facebook”-ut, madje kjo e fundit mund të jetë tërë- sisht e pamëshirshme.
Prej dialektit të personazheve, ngjarjet ngjasin në një fshat, në mos të Tiranës, të Shqipërisë së Mesme, më saktë në kafenenë e fshatit, ku Meri/MerjemeOlta Daku, me profesion mësuese, por që në mungesë të një godine shkolle punon si banakiere-kameriere, për t’u arratisur nga rëndomtësia e përditshmërisë, zë miqësira dhe flirton në “Facebook”.
Kur një djalë nga qyteti me pseudonimin “Leonardo Di Caprio”-Indrit Çobani, i kërkon një fotografi Merit me pseudonimin “xixëllonja”, ajo poston foton e Lenës Adelina Muça, kushërirës së saj që shet qumësht, që ka qëlluar të jetë bukuroshe. Kështu ndodh që “Leonardo”, një punonjës i Ndërmarrjes së Rekreacionit dhe kthimit të hapësirave të gjelbra në gri, të lërë qytetin e të vihet në kërkim të “xixëllonjës” së tij, që i rezulton të jetë një fshatare vërtet e bukur, por fare e pagdhendur.
E pikërisht aty, në kafenenë e Gertit-Gert Ferra (si Gert Myler), ku ka internet me pasëordin “ça do pish”, ndodhin një varg ngatërresash që trazojnë gjithë fshatin. Të tjerë personazhe janë veteriner MiklovaniBesmir Bitraku, stallier Limja- Mehdi Malkaj, emigranti i kthyer Lame-Ardian Cerga, postieri i fshatit-Naun Shundi dhe Deçka-Genti Deçka, një katundar që vjedh filxhanët e lokalit apo Anabela, një vajzë e lexuar që ëndërron të ikë në qytet: të gjithë “viktima” të “Facebook”-ut.
POLITIKA
Por ku ka komunitet, ka edhe një deputet, që nuk ka shkelur kurrë në fshat, por që lidhet përmes internetit dhe bisedon on line në kohë reale me zgjedhësit e tij. Deputeti, interpretuar nga Artan Imami, që nuk del në skenë, përveçse kur përshëndet publikun, është zgjedhur jo pa qëllim nga regjisorja, që të japë disi imazhin e Kryeministrit, me imazhin dhe përgjigjet hazërxhevape.
Nuk është e vështirë që publiku të shquajë tonin ironik dhe batutat e Ramës, propagandën për arritjet e Rilindjes, çmimet dhe pemët e Veliajt apo edhe gafat e Lulzim Bashës me tabelën e shumëzimit (7×7=42). Aktualiteti shqiptar, jo vetëm që është i varur nga vendimet e politikës, por edhe i tejmbushur me biseda rreth politikës. Por këtë të fundit duket se po e konkurron “Facebook”-u me luftën për “like” e “tag”-et, duke harruar reagimin qytetar dhe duke çuar ujë në mullirin e politikanit, që do të vazhdojë të bëjë premtime, nga ato më pa lidhje, si për shembull, fitorja e “Eurovizionit”