Bexhet Krasniqi, vëllai i ish- Ministrit të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, ka konfirmuar se Gjykata Speciale është duke u marrë me zbardhjen e vrasjes së vëllai të tij, i ekzekutuar më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë.
“Gjykata Speciale ka fillu me u marre me keto sene, na ka njoftu qe e ka ne juridiksionin e vet. Familja eshte kontaktu, ka marre pergjigje qe ata e kane nen juridiksion kjo nuk do te jete e mbyllur. Ka me zberthy ndoshta ka me zgjat pak ama e verteta ka me dale sheshit. Nese eshte Hashim Thaci uroj qe ta marre denimin e merituar”, ka deklaruar vëllai i Ahmet Krasniqit, Bexhet Krasniqi.
Pasi Gjykata Speciale u ka konfirmuar familjarëve se vrasja e kolonelit është nën juridiksionin e saj, tashmë në publik janë akuzuar dy persona për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.
Ishte ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, i cili gjatë javës së kaluar në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën kombëtare “Bota sot”, akuzoi ish- shefin e Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosin, si organizatori kryesor i vrasjes së Ahmet Krasniqit.
“Unë e kam njohur e kam takuar disa herë dhe ruaj kujtimet më të mira për kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e luftës të Qeverise së Kosovës të presidentit Rugova me kryeministër Bujar Bukoshin. Në tre takimet, qëllimi i ardhjes së tij tek unë ishte vetëm një: Të ndihmoja në bashkëpunimin e tij dhe forcave që ai komandonte me forcat e UÇK-së. Ahmet Krasniqin e ekzekutuan në rrugicën në prag të derës së shtëpisë ku banonte, Fatos Klosi, pra shërbimi inteligjent shqiptar. Kjo është e padiskutueshme dhe gjerësisht e njohur. Pra organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi, i cili gjatë qeverisë time ndiqej për lidhje me dy shërbime të huaja. E bëri këtë me punonjës të tij apo vrasës me pagës këtë duhet që ta sqaroj drejtësia. Pas rikthimit në pushtet jam përpjekur që të zbardhet kjo vrasje, por kontrolli i PS-së mbi prokurorinë e bëri të pamundur këtë”, deklaroi ish kryeminsitri Sali Berisha.
Ndërkohë, në ditën e rivarrimit të Ahmet Krasniqit në Kosovë, ish- deputeti i LDK-së, Gani Geci akuzoi direkt Hashim Thaçin se ka dhënë urdhër për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.
“Hashim Thaçi ka qenë urdhër-dhënësi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, nuk është me rëndësi kush e ka bërë veprën, urdhrin e ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm, në krye me Hashim Thaçin dhe kompaninë e tij. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Gani Gecin, dhe u vra Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Haki Imerin, dhe u vra Haki Imeri, Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me e vra Smajl Hajdaraj dhe u vra Smajl Hajdaraj, e tash Hashim Thaçi na organizon ceremoni varrimi. Duke u munduar t’i ikë Gjykatës Speciale, po mundohet që secilin nga viktimat ta bëjë hero, ne kemi qenë hero, nuk ka pas nevojë të na bëjë fare, sepse ne kemi luftuar për Kosovën”, tha Geci.
Sipas Gecit, për të gjitha këto ai do të ballafaqohet me Hashim Thaçin në Gjykatën Speciale. “Kërkoj prej Hashim Thaçit që të dorëzohet para Tribunalit të Hagës, të lë shkëmbimin e territoreve, këto përralla të vizatuara me Tadiçin, sepse çka është boll është boll, dhe një ditë kur të bëhet më shumë boll, nuk po kemi dëshirë me e kallë këtë vend…Do të jem dëshmitarë në Gjykatën Speciale, unë personalisht do të jem dëshmitar, prej të parëve ndoshta, unë dëshmoj për krimet politike që ika bërë Hashim Thaçi në Kosovën e pasluftës, Hashim Thaçi nuk ka luftuar me serbë, nuk ka parë askund serbë, serbët kur kanë gjuajtur granata, Hashimi ka ikë. Ia pati dhënë në 1992-ën, Sami Lushtaku një allti me gjuajt përpjetë, as përjetë nuk ka gjuajtur, ka luftuar vetëm me shqiptarë, i ka vrarë familjet më të mëdha shqiptare, si e Ahmet Krasniqit”, deklaroi ish deputeti i LDK-së, Gani Geci.
Vrasja tronditëse e Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi ishte bërë më 21 shtator të vitit 1998. Për vrasjen e Krasniqit, ishin rrëfyer edhe dy njerëzit që kishin qenë në veturë me Ministrin në momentin e vrasjes, Naim Geci shofer, dhe ushtaraku Rifat Haxhiu.
“Me datën 21 shtator të vitit 1998, kolonel Ahmet Krasniqi, kishte organizuar një darkë për oficerët në teren që ishin në atë kohë. Pas darke, pjesa e oficerëve tjerë shkuan më makinat e tyre në drejtimin e tyre, ndërsa ne si staf i Ministrisë së Mbrojtjes, me dy makina udhëtuam në rrugën “Elbasani”, për të shkuar te Ministria e Mbrojtjes”, rrëfen Naim Geci momentin kur ishin nisur për të shkuar tek Ministria e Mbrojtjes.
“Kur na ndaloi policia tek fakultetet, në hyrje te Tiranës, ata interesoheshin më tepër për identitetin e Ahmet Krasniqit e jo për bashkudhëtarët e tjerë të cilët ndodheshin në veturë, vazhdon rrëfimin ushtaraku Rifat Haxhiu i cili së bashku me Naim Gecin kishin qenë në veturë me kolonelin Ahmet Krasniqi.
Sipas, Gecit, në momentin kur kanë arritur te Ministria, aty kishin ardhë dy lloj strukturash të policisë, të uniformuar dhe të maskuar.
“Në momentin e ndaljes, kanë qenë dy lloj strukturash policish, të uniformuar dhe të maskuar. Pas mbërritëm te Ministria e Mbrojtjes, ndala makinën për me i hapë dyert e oborrit, zbrita nga makina me oficerin tjetër që ishte, Rifat Haxhiu. Në atë moment na erdh mbrapa shpine një person i maskuar me armë automatike, i cili na bllokoi ne të dyve. Dhe nga ana tjetër, doli prej makinës Ahmet Krasniqi”, rrëfen Geci.
Më tej, rrëfimin e vazhdon ushtaraku Rifat Haxhiu. Ai ka rrëfyer momentin tronditës në detaje kur Ministri Krasniqi ishte qëlluar për vdekje.
“Dhe pasiqë ata u binden që shoferi dhe unë nuk kemi armë, nuk jemi të rrezikshëm për ta, personi i cili na mbante neve nën kontroll u largua në drejtim të kolonelit Krasniqi, i cili mbahej nga një person tjetër për gjakete dhe koloneli Krasniqi e pyeste atë personin që e mbante kush jeni ju bre bacë, kush je ti bre bacë. Ai nuk përgjigjej fare”, kishte deklaruar Haxhiu në rrëfimin e tij.
Më tej, sipas Haxhisë, koloneli ishte qëlluar me një plumb në ballë fillimisht dhe dy të tjerë pasi kishte rënë në tokë, shkruan bota sot.
“Ky që na kontrolloi neve u largua nga ne dhe nxori një revole tjetër, i kishte dy armë dhe e pyeti atë personin, shokun e vet: A është ky? Ai u përgjigj, po ky është. Dy herë ka bërë pyetje a është ky, po ky është. Dhe e goditi me një plumb në ballë dhe kur u shtri përtokë koloneli Krasniqi, e qëlloi edhe dy herë. Kam dergju edhe dy krisma të tjera. Më pas dy atentatorët u larguan, do të thotë ishin të maskuar. U larguan dhe u tretën në ato rrugët e Tiranës”, përfundon rrëfimin e tij, ushtaraku Rifat Haxhiu, shkruan “Bota sot”