“Sulmi i kryeprokurores Arta Markut ndaj prokurorëve antimafia eshtë pjesë e skenarit për të prishur dosjet nën hetim të bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës”.
Kështu deklaroi sot këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Sipas tij, “shpërbërja dhe ndëshkimi i grupit hetimor për Saimir Tahirin, erdhi pas urdhrit të këtyre të fundit për sekuestrimin e 31 pasurive të Habilajve”.
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit ka marrë goditje të paprecedentë gjatë këtyre ditëve nga Arta Marku, që me veprime të qëllimshme dhe me paramendim, po godet, dekurajon dhe shantazhon, grupin e prokurorëve antimafia”, tha Bardhi.
Transferimi i paligjshëm i 3 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe procedimi disiplinor për 10 prej tyre, sipas PD-së, “është pjesë e një skenari për të shantazhuar prokurorët që janë në betejë të përditshme me krimin e organizuar, pushtetarët e lidhur me të dhe qeveritarët e korruptuar”.
“Transferimi i njërit prej prokurorëve dhe procedimi disiplinor i një prokurorit tjetër, të dosjes së Saimir Tahirit, vetëm pak orë pasi kishin urdhëruar sekuestrimin e plot 31 pasurive të grupit kriminal “Habilaj”, është një mesazh i qartë për drejtësinë: Kush vepron ndaj bandave të lidhura me pushtetin, largohet nga detyra, ndëshkohet dhe sulmohet”, tha Bardhi./atsh