[sgmb id=”1″]
Ndahet nga jeta Skulptori i Merituar Stefan Papamihali
Ikën duararti Stefan Papamihali
Me hidherim e trishtim të thellë mësova sot ndarjen nga jeta në moshën 72 vjecare të skulptorit Stefan Papamihali, një artist gjirokastrit me talent të jashtëzakonshëm, artist që i ka lënë gjurmët e daltës së tij në dhjetra vepra monumentale, shumë prej tyre vendosur në mjedise të hapura të vendlindjes së tij Gjirokastrës. Skulptori i Merituar Stefan Papamihali do të kujtohet për talentin dhe fantazinë e tij të hapur dhe vepruese, për kreativitetin dhe përkushtimin artistik për tu larguar nga skematizmi i imponuar në krijimtarinë e tij dhe në artin shqiptar. Duke krijuar për vite të tëra në një mjedis të izoluar nga veprimtaria bashkëkohore botërore, Stefan Papamihali me përkushtimin e tij ndaj artit u clirua duke i dhënë vetes më shumë liri vepruese artistike.
Artisti novator Stefan Papamihali, ka lindur në vitin 1945 në Gjirokastër dhe ka jetuar në këtë qytet deri sot në ditën e fundit kur krejt papritur u nda nga jeta. Ai ka qënë pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat e arteve figurative të celura në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurativë dhe ato të celura në Gjirokastër, ndërkohë që ka celur shumë ekspozita vetiake dhe me bashkautor duke skalitur me duart dhe fantazinë e tij dhjetra vepra monumentale, kompozime, portrete, relieve të frymëzuara nga historia, nga jeta e personaliteteve historike, nga natyra dhe “perandoria” e gurtë e Gjirokastrës. Bashkëkohës, bashkëpunëtor dhe mik me disa nga personalitetet me të spikatura të artit shqiptar, Mumtaz Dhrami, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Bashkim Ahmeti, Ksenofon Kostaqi, Kristaq Rama, Janaq Paco, Shaban Hadëri, Stavri Cati, Jorgo Mici, Pëllumb Puci, Viktor Zhusti, etj, Skulptori i Merituar Papamihali me krijimtarinë e tij artistike, hyn në galerinë e më të mëdhenjve në artin e sklupturës dhe me siguri do të këtë vendin e tij në historinë e artit shqiptar. Ai bëri pjesë në grupin e artistëve që krijuan skulpturën monumentale shqiptare. Ai realizoi një numër të madh veprash monumentale, por ato që do të mbeten në historinë e skulpturës më të spikatur monumentale shqiptare janë “Obelisku i Dritës Arsimorë” realizuara në bashkëpunim me skulptorët Mumtas Dhramin
dhe Ksenofon Kostaqin dhe “Partizani”, vendosur në qendër dhe në hyrje të Qytetit Muze të Gjirokastrës. Por ai lëvroi gjatë gjithë jetës së tij të gjitha zhanret e arteve vizive, që nga skulptura epike, lirike, dekorative, grafika, skenografia, gdhëndja në gur, qeramika, mozaikët, etj. që u aplikuan dhe qëndrojnë të ekspozuara në disa ambiente të hapura urbane, galeri arti dhe mjedise social kulturore. Në gjithë këtë mori veprash, ndonëse shumica të realizuara nën një censurë të rrepte, në këtë krijimtari të gjerë, ai realizoi vepra me vlera të veçanta artistike.
Në këtë ditë të trishtë të ndarjes me mikun tim Stefan Papamihali, kujtoj me mallëngjim disa vlerësime të kolegut dhe mikut të tij Skulptorit të Popullit Mumtas Dhrami; “Stefani është artist i vërtetë, është me plot gojën skulpor i talentuar Ai nuk skalit thjesht, ai krijon me një talent dhe fantazi të jashtëzakonshme”.
Ikja e papritur e artistit të talentuar Stefan Papamihali është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme jo vetëm për Gjirokastrës, por për vetë artet figurative dhe vecanërisht skulpturën në Shqipëri.
Engjell SERJANI
Gjirokastër, 15.06.2017