Organi i akuzës po kalon një situatë të paprecedentë, pasi është përfshirë nga kaosi i brendshëm, i shkaktuar nga mungesa e prokurorëve për çështjen ndaj Emiljano Shullazit.
Opozita akuzon kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku se e ka çuar situatën qëllimisht në këtë pikë, për të mbyllur çështje që i djegin kësaj mazhorance, si ajo e Shullazit apo e Saimir Tahirit. Duket se situata është parashikuar një vit më parë, më 7 dhjetor 2017, nga deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.
Bylykbashi do deklaronte se qëllimi i emërimit të një kryeprokuroreje të përkohshme është pezullimi i prokurorëve që po hetojnë dosjet e rëndësishme.
“Dëgjova kolegët këtu, në një përpjekje piruetë, duke thënë se prokurori i përgjithshëm ka çelësat e kashtës, prokurori i çështjes është mbreti, pra ky prokurori që po zgjedhim sot ne, ka të drejtë të pezullojë prokurorët, ata që mbrojnë çështjen, Habilajt, me të gjithë ata që janë brenda.
I pezullon, pikë. Dy opsione ka prokurori që po heton çështjen, ky mbreti, ose konformohet me prokurorin e përkohshëm të përgjithshëm, ose e ka të qartë se çfarë ndodh, i nis një hetim disiplinor, më pas pezullohet, ikën nga kjo çështje, vjen prokurori që do e bëjë si e do mideja e kryeministrit atë çështje.
Nderi më i madh që mund t’i bësh një krimineli, në të gjitha nivelet deri ato politike, përfshi Saimir Tahirin brenda, është ta bësh hetimin keq, të mangët, dhe të gjesh një prokuror mbret të asaj çështje, që do ta bëjë të tillë”, tha Bylykbashi.