Nga Andreas Dushi
Me ardhjen e osmanëve dhe vendosjen e tyre në Shqipëri deri kur arritën të “bierrin autonominë”, si shprehet atë Donat Kurti, u sanksionua gjuha turke si gjuhë zyrtare, duke ndaluar rreptësisht hapjen e shkollave në gjuhë të tjera, përfshirë edhe atë shqipe. Sipas Ismail Kadaresë, gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj gjatë asaj periudhe në të gjithë Perandorinë.
Pavarësisht kësaj, elementi i klerit katolik në Shqipëri nuk rreshti së punuari për të mirën e kombit dhe të gjuhës. Kështu, qysh pas pushtimit osman, të dhënat tregojnë se janë hapur tri shkolla ku mësimi nuk bëhej turqisht. E para ishte e Pdhanës, e dyta e Blinishtit ndërsa e treta e Shkodrës.
Sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus T, II. C, II. N. 49 Quaracchi MCCCLXXXVI , në vitin 1638, një prifti i urdhrit të fretërve minorë, P. Hiacinti a Sospitello O. F. M., një “italjan me fis, por shqyptar me zemer” siç shprehet atë Donat Kurti, merr guximin dhe çel një shkollë fillore në Pdhanë, vend i cili asokohe ishte mjaft i banuar. Shkolla mori famë deri në katunde të largëta të krahinës së Zadrimës, banorët e të cilëve dërgonin fëmijët për të studiuar në këtë shkollë. Sipas dokumenteve, dihet se numri i nxënësve që vinin nga fshatra të tjerë ishte mbi njëzet e pesë, kështu që, mund të ngremë dyshime se aty duhet të ishte edhe një konvikt. Gjithashtu, përpos uratëve e lutjeve në atë shkollë, mësohej edhe letërsi e sigurisht studiohej edhe gjuha vendëse. Pas nëntë vjetëve, kur shkolla qe bërë shumë e njohur, turqit e rrënuan deri në themel.
Edhe pse u rrënua, ajo u hap sërish në vitin 1697. Deri kur vazhdoi të funksiononte si shkollë, nuk dihet, por dokumenti ku përmendet kjo shkollë, i cili daton më 1702, thotë se “ka gjasë të gjindet edhe sot”.
Një vit pasi u hap shkolla e Pdhanës, në vitin 1639, në Blinisht u hap një tjetër shkollë nga fretërit e Kuvendit të Troshanit. Drejtor i kësaj shkollë u caktua P. Karl Mirandulanus O. F. M.. Informacioni për këtë shkollë jepet në një dokument, botuar në numrin pasardhës të Orbis Seraphicus, sipas të cilit thuhet gjithashtu se shkolla ishte mjaft e plotësuar. Ajo frekuentohej nga më shumë se pesëdhjetë nxënës dhe përveç shkrimit dhe këndimit, mësoheshin edhe lëndë të tjera, ku më e rëndësishmja ishte gjuha latine.
Shkolla, sigurisht, kishte edhe armiqtë e saj të cilët, në vitin 1640, sipas një dokumenti të botuar në Orbis Seraphicus C, IV. N. 126-127, dënuan drejtorin e saj me burg, ku u torturua deri në lirimin përfundimtar.
Pas lirimit nga burgu, P. Karli gjendet si mësues në shkollën e Pdhanës, çka dëshmon se shkolla e hapur nga ai në Blinisht nuk ka vijuar funksionin e saj për shumë kohë.
Dokumenti më i paplotë është deklarata e ipeshkvit Spila, botuar nën titullin “Memorie storiche” në Orbis Seraphicus, ku shprehet se në vitin 1698, një prift tjetër i urdhrit të fretërve minorë me emrin Filip e me banim në Shkodër, hap një shkollë private ku mëson fëmijët e tregtarëve e të pasurve.
Fakti se këto shkolla kanë qenë në shqip shpjegohet nga atë Donat Kurti në “Hylli i Dritës”:
“Por kush mundet mandej me dyshue, se në kto shkolla nuk flitej shqyp? Në ç’mndyrë katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s’merrte gja vesht?” /konica.al/