Loading...

Plasi grushti në Prokurori, Arta Marku i çoi për hetim, 10 prokurorët thyejnë heshtjen

Një letër e hapur për ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë ka ardhur nga 10 prokurorët e krimeve të rënda pas hetimit disiplinorët të kreut të organit të akuzës, Arta Marku. Ata e kanë dërguar këtë letër të hapur Mediave, Zyrës së BE-së në Shqipëri dhe përfaqësuesve të SHBA-së në Shqipëri.

Letra e plotë/ Drejtuar: Mediave të pavarura të Republikës së Shqipërisë/ Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian në Republikën e Shqipërisë/ Misioni PAMECA. Përfaqësisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri/ Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si “Njoftimi” ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si “PKR”), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:

Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar per objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës.

Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9.00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR. Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.

Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com