Loading...

‘Peshku i madh’ që po ‘shkërmoq’ Prokurorinë. Cili politikan fshihet pas Emiljano Shullazit?!

Emiljano Shullazi është padyshim ‘peshk i madh’ i krimit e korrupsionit në vendin tonë. Vetëm ditët e fundit, Shullazi ka futur në kaos të madh Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Emri i tij duket të jetë aq i fortë dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në sistemin e kalbur të drejtësisë, sa shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë frikë prej tij. Këtë gjë e dëshmoi dhe tmerri i bandës së korruptuar politike shqiptare, ambasadori i SHBA, Donald Lu, i cili tha se është i skandalizuar nga fakti se si Shullazi kërcënon njerëzit e drejtësisë.

“Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq”,tha Lu në intervistën e tij të fundit si ambasador i SHBA në Tiranë.

Kjo deklaratë është tepër e vërtetë dhe po dëshmohet dita-ditës, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda, institucioni më i lartë i drejtësisë, është përfshirë nga një situatë e pazakontë, me sherre e përplasje të forta, ku është kërkuar dhe ndihma e policisë. Sherri arriti kulmin pasditen e djeshme, ku disa prokurorë ‘rebelë’, që nuk pranuan të hetojnë dosjen e Shullazit, ju turrën zyrës së kryetares së Krimeve të Rënda, Donika Prela, duke detyruar këtë të fundit të japë alarmin në radhët e policisë.

Prokurorët dhe gjyqtarët kanë frikë të gjykojnë ‘të fortin’ e Shqipërisë, ‘peshkun e madh’ që po çon drejt shkërmoqjes organin e Akuzës. Dhe kjo ‘forca’ e tij rrjedhimisht ka prapaskena, ka një prapavijë politike. Shullazi duket të ketë lidhje të forta me grupe të fuqishme të politikës dhe biznesit në vend, që e bëjnë atë një ‘kokë’ të frikshme të krimit në vend, para të cilit tuten dhe njerëzit e drejtësisë.

Kreu i PD, Lulzim Basha, ka akuzuar thuajse çdo ditë lidhjet e Shullazit me deputetin e Partisë Socialiste, Ergys Çyrbja. Çyrbja ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit, gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel Vollgën, një çështje kjo e fundit që ka çuar në gjyq shumë ‘koka’ të rëndësishme, mes të cilëve edhe Shullazin me biznesmenin Ylvi Beqja.

Por, lidhjet politike të ‘kokës’ së bandës kriminale të gjobëvënies duket të jenë edhe më të thella, për vetë faktin se ai ka arritur të depërtojë me kaq forcë në sistemin e drejtësisë, duke futur në ‘kthetra’ me kërcënime e shantazhe një pjesë të tyre. Përfshirja e kryeprokurores Arta Marku në këtë çështje po nxjerr të palarat e sistemit të korruptuar të drejtësisë dhe kapjes së tij, ku një pjesë e prokurorëve kanë frikë të hetojnë Shullazin dhe një pjesë tjetër mund të kenë lidhje të forta me të.

Emiljano Shullazi akuzohet si kreu i një grupi kriminal për gjobëvënie e mbi të rendojnë 7 akuza. Shullazi ka gjobitur tre biznesmenët Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku, ka kërcënuar për t’u tërhequr nga gara kandidatin për rektor Mynyr Koni, si dhe ka kanosur rektorin Dhori Kule./korrieri

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com