Loading...

SHBA-BE hapin dosjen e ‘bajlozit’ të madh të drejtësisë, emri dhe pasuria milionëshe, ‘fundosja’ e tij do trondisë themelet e sistemit të kalbur

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të vendosur për të goditur me themel krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Ata kanë futur në shinat e zbatimit Reformën në Drejtësi dhe muajt në vijim pritet të marrë goditjen finale sistemi i kalbur i drejtësisë shqiptare dhe banda e korruptuar politike.

Pamfleti.net ka mësuar se SHBA dhe BE kanë futur në ‘kthetra’ dosjen e një prej ‘bajlozëve’ më të mëdhenj të sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për gjyqtarin Alaudin Malaj, i cili është një prej gjyqtarëve më të pasur në vend, pasi zotëron një pasuri mbi 1.7 milionë euro. Dosja e tij milionëshe tashmë është në duart e ndërkombëtarëve dhe shumë shpejt pritet t’i jepet goditja e madhe ‘bajlozit’ milioner, duke dridhur kështu themelet e drejtësisë së kalbur nga korrupsioni e krimi.

Sot gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, Alaudin Malaj është një ndër emrat më të pushtetshëm të drejtësisë. Në vitin 2014, ai është paditur nga ILDKPKI se ka krijuar një skemë kompanish në emër të familjarëve të tij, për të mbuluar burimin e paqartë të pasurimit të tij të shpejtë. Përveç pasurisë së tij të dyshimtë, Malaj do t’i vinte një tjetër njollë të zezë emrit të tij, me vendimin e firmosur në shkurt të vitit 2017, ku i hapi dyert e qelisë një nga bandat më famëkeqe në historinë e krimit të organizuar në Shqipëri, bandës ‘Hakmarrja për Drejtësi’.

Për këto dhe shumë zullume të tjera, gjyqtari ‘perandor’ do të përballet shumë shpejt me SHBA dhe BE, të cilët Pamfleti mëson se kanë në dorë dosjen e tij dhe po e shqyrtojnë me themel, për të ‘fundosur’ një ndër ‘kokat’ më të mëdha të sistemit të drejtësisë.

Si ka ndryshuar pasuria e gjyqtarit milioner Alaudin Malaj deri në vitin 2014
Në vitin 2003 Malaj kishte 60 mijë euro pasuri. 15 vjet më vonë, familja e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit llogaritet të ketë mbi 1.7 milionë euro pasuri, e shpërndarë në pasuri të patundshme dhe kompani biznesi. Nga një analizë e pasurisë së tij e bërë pak vite më parë (2014), duke u bazuar tek deklaratat e tij të pasurisë, ILDKP ka arritur në përfundimin se gjyqtari dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar vit pas viti para dhe aksione biznesi nga prindërit, deklarata që konsiderohen të rreme nga kallëzuesi.

Hetimi administrativ ka zbuluar se Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij, Edlira, kanë përfituar 46 milionë lekë (368 mijë USD) dhe dy apartamente nga prindërit e gjyqtarit. Ndërkohë, bashkëshortja e gjyqtarit rezulton të ketë qenë aksionere ose administratore në dy kompani ndërtimi të themeluara nga prindërit e tij dhe sot zotëron një kompani farmaceutike në Kosovë. ILDKP pretendon se përgjatë 11 viteve, Malaj ka bërë 24 deklarime të rreme për të mbuluar burimin e paqartë të pasurisë së tij.

Sipas deklaratës së pasurisë, Malaj zotëronte një apartament 106 m2 në Tiranë para vitit 2003, të blerë për 7.8 milionë lekë me paratë e një shtëpie të shitur në Vlorë, me kursimet e tij dhe të bashkëshortes, si dhe një hua prej 2 850 000 lekësh nga prindërit. Në deklaratën e vitit 2010, Malaj ka deklaruar se kishte blerë një shtëpi 1-katëshe në një kompleks turistik në Golem për 35 mijë USD, banesë në proces legalizimi.

Katër vite më vonë, gjyqtari ka deklaruar se e ka shitur këtë shtëpi për 150 mijë euro. ILDKP pretendonte se ka zbuluar një skemë të dyshimtë transfertash edhe me apartamentet që babai i gjyqtarit i ka dhuruar bashkëshortes së tij. Njëri prej tyre është blerë nga Hasan Malaj për 61 mijë euro në vitin 2006 dhe i është dhuruar Edlira Malajt në vitin 2012. Në vitin 2014, ajo ia shet vëllait për 120 mijë euro apartamentin që i kishte falur vjehrri.

Sipas ILDKP, as babai i gjyqtarit dhe as vëllai i bashkëshortes nuk kishin të ardhura që të justifikonin blerjet. Këto transaksione, fillimisht blerje dhe më pas dhurim dhe shitje brenda familjes janë veprime tipike të pastrimit të produkteve penale’, thuhet në kallëzimin e ILDKP.

Gjyqtari Alaudin Malaj dhe bashkëshortja e tij duket se i kanë dhënë fund investimit në pasuri të paluajtshme në vitin 2010, kur deklarojnë se blenë shtëpinë, ku banojnë edhe sot në rrugën “Sami Frashëri” pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

Shtëpia- një dubleks i shtrirë në më shumë se 300 metra katrorë, sipas deklaratës së pasurisë së Malajt dhe bashkëshortes së tij është blerë për 21 milionë e 500 mijë lekë, me një çmim prej 442 eurosh për metër katrorë. ILDKP pretendon në kallëzimin e saj se, ky është një tjetër deklarim i rremë dhe për të vërtetuar këtë akuzë ka kryer verifikime pranë kompanisë së ndërtimit ‘TID’ shpk.

Në kallëzim thuhet se çmimi i blerjes në këtë pallat varion nga 800 euro deri në 2000 euro. “Llogaritë e gjyqtarit nuk përkojnë me ato të ekspertëve të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, të cilët duke marrë për bazë çmimin minimal të vitit 2010 nxjerrin një vlerë prej 54 milionë lekësh të reja (386 160 euro) për apartamentin e Malajt. Apartamenti i Malajt duhet të ketë kushtuar minimalisht mbi 34 milionë lekë dhe maksimalisht mbi 70 milionë lekë nga vlera e deklaruar”,thuhet në kallëzim.

Rrethi i ngushtë familjar i gjyqtarit Alaudin Malaj zotëron katër kompani biznesi: “Algan’ shpk-kompani ndërtimi e themeluar në vitin 1998, “Lili’ shpk për tregtinë e ujit e vitit 2002, Rigels* shpk-kompani ndërtimi e themeluar në të njëjtin vit dhe Medbrand KS’-kompania më e re e themeluar në tetor të vitit 2014 në Prishtinë./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com