Loading...

Turistët gjermanë “zbulojnë” kepin e Rodonit

Turistët gjermanë kanë zbuluar një mrekulli të vogël, shumë pranë kryeqytetit shqiptar, ndërsa moti i mirë i këtij shtatori ka bërë që të zgjatet sezoni turistik. Kështu, grupe turistësh gjermanë kanë frekuentuar këto ditë kepin e Rodonit, duke shijuar jo vetëm natyrën e bukur dhe detin, por edhe pasuritë kulturore dhe historike të zonës.

Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Durrësit, që kujdeset për zonën, vë në dukje frekuentimin gjithnjë e më të shpeshtë të zonës nga turistët e huaj.

Kepi i Rodonit, vetëm pak kilometra larg nga Tirana, në formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet si destinacion njëditor për turistët. Vizitorët këtu mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com