Ndërsa parlamenti do të kalojë sot amendimet e ligjit për Teatrin, para parlamentit ka nisur një protestë. Dhjetëra qytetarë, aktivistë e artistë janë ngritur në protestë për të kundërshtuar prishjen e Teatrit Kombëtar.
Regjisori Edmond Budina iu ka bërë thirrje qytetarëve të çohen sepse Shqipëria ka marrë fund. “Ngrihuni o njerëz se ka marrë fund Shqipëria. Me këta politikanë duhet ta kesh mendjen çdo ditë sepse ta fusin. Ndaj çohuni dhe mos flini”, tha Budina.
Ambientalisti, Sazan Guri, ka bërë thirrje që të gjithë deputetët e opozitës të mblidhen për t’i thënë “jo” rivotimit të Ligjit të Teatrit.
Sipas Gurit, kjo rezistencë për mbrojtjen e Teatrit nga shembja është kauza më e luftuar që nga fillimi i demokracisë në vend. Teksa komentoi taksën për “Rrugën e Kombit”, Guri tha se nuk do të lejohet e njëjta gjë edhe me Teatrin, pasi sipas tij, Rama i vendosi në gjumë kuksianët.
“Sot pas 8 muajve, 448 ditëve protestë e rezistencë. Ku për herë të parë të Shqipërisë, artistë dhe shqiptarë kërkojnë të mbrojnë demokracinë dhe kushtetutën shqiptare. Po vidhet prona publike. Sot fillon një epokë e re, por e shtrembër për shqiptarin. Ne nuk do t’i lejojmë të na vënë në gjumë siç bën me kuksianët. Doja ti bëjë thirrje opozitës, dhe të mblidhen për rrëzimin e ligjit. Prandaj, sot është dita e ndarje dhe ne do ta përforcojmë angazhimet tona. Ne nuk do të donin, që të përleshemi trup më trup”, tha ai.