Prishja e disa ndërtimeve pa leje në pikë të mëngjesit nga Rama në Jalë vjen që larg ‘era’ pisllëk.
Megjithatë sipas lajmit zyrtar, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtës së Territorit, ka nisur mëngjesin e sotëm prishjen e nëntë objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e Jalës sipas një vendimi të mëparshëm.
Por ky aksion i IKMT ka hasur në rezistencë nga banorët e zonës të cilët shprehen se nuk janë njoftuar paraprakisht për aksionin e ndërmarrë, ndërsa në dhoma kanë ende turistë.
Banorët të revoltuar janë shprehur se nuk e prisnin një goditje të tillë të papritur dhe të palajmëruar të shtetit ndaj pronës së tyre, aq më tepër që sezoni i turizmit përfundon në fund të shtatorit. Ndërkohë që nënvizojnë se janë me dokumente të rregullta pronësie.
Ndërsa IKMT thotë ka nisur aksionin për shembjen e këtyre objekteve pasi më parë për këto objekte është bërë proçesi i skualifikimit nga ana e institucionit duke u trajtuar si ndërtim i paligjshëm.
Pavarësisht kësaj, sërish ka bërë njoftimet sipas ligjit të banorëve për aksionin.
Po elementi që ka lënë shijen e hidhur në sytë e publikut ka qënë aksioni i papritur, dhe i paduruar i këtij institucionit që për hir të së vërtetës, pavarësisht emërtesës, merr urdhëra direkt nga Kryeministri.
Dhe vetëvetiu lind pyetja se çfarë e detyroi kryeministrin Edi Rama të urdhërojë prishjen e ndërtimeve në Jalë, ndërkohë që duhen minimumi dhe 12 ditë kalendarike që të përfundojë sezoni turistik?!
Nuk mund të priste Rama dhe më pak se dy javë për të bërë zbatimin e ligjit dhe për të prishur këto ndërtesa të paligjshme, të cilat nuk janë ndërtuar këtë verë, por ka sëpaku pesë vite që kanë hedhur themelet, dhe janë shfrytëzuar për turizëm nën qeverinë e Ramës.
Me sa duket Edi Rama kërkon të bëjë ndonjë pisllëk tjetër, dhe ka hedhur në tregun politik dhe publik konfliktin me banorët e Jalës, për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Ka ndërmend që në këtë valë debati kur të gjitha mediat dhe opinioni publik është i zënë me debatin pro dhe kundër shembjes së këtyre ndërtimeve pa leje nga IKMT, të kalojë ndonjë koncesion, ndonjë vendim për resort turistik apo ndonjë pisllëk tjetër pa u vënë re.
Kështu vepronte ish Presidenti Sali Berisha, ish kryeministri Fatos Nano, ish kryeministri Pandeli Majko, ish kryeministri Ilir Meta po e po, ish kryeministri Sali Berisha kur kërkonin të bënin ndonjë pisllëk.
Sajonin një debat periferik pa zarar, ku politika, publiku dhe mediat përfshiheshin në debat dhe pa ndjerë kryeministrat bënin atë që dëshironin.
Kështu ka bërë dhe Edi Rama në afër pesë vite qeverisje dhe këtë radhë me sa duket po përgatitet ta bëjë ndonjë pisllëk, tymi i të cilit pritet të japë efektin pas 6 muajsh./Pamfleti