Loading...

E dashura sekrete e Esad Pashës dhe pse Coco Chanel i vendosi parfumit emrin e tij

Padyshim që figura e Esad Pashës, ngjall shumë debate në Shqipëri mes studiuesve dhe historianëve.

Një tradhëtar apo një atdhetar?

Shumë studiues tregojnë se Esad Pashë Toptani, për qëllimet e tij, donte të shiste Shqipërinë herë Turqisë dhe herë orekseve të fqinjëve.

Një tjetër aspekt, thuajse i panjohur për lexuesit është jeta private e Esad Pashës.

Një jetë me qejfe dhe e shthurur, thotë në librin e tij tij “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” gazetari Roland Qafoku.

Një tjetër detaj që përshkruhet në këtë libër është e dashura e Esad Pashës.

22-vjeçarja Dyfur Eliz, shoqëruesja e Esadit ndërkohë që ai ishte 58-vjeç.

Në një dëshmi të saj ajo pranon se kishin një lidhje bashkëshortore. Ajo u shpreh se ai i dhuronte para dhe shpenzonte pa masë.

Një tjetër fakt interesant është parfumi i stilistes me famë botërore Coco Chanel e cila e ‘pagëzoi’ me emrin “Esad Pascha”.

Pjesë nga libri:

NJË JETË E SHTHURUR

I zhytur në qejfe, në vitin 1919 ai bënte një jetë në Parisin e kohës sa edhe vendësit e kamur nuk do ta arrinin. Në shkrimin e tij me titull “Cili ka qenë Esadi”, Mit’hat Frashëri shkruan se vetëm e dashura e tij në Paris kushtonte 2 milionë franga, pa llogaritur shpenzimet e tjera.

Kush ishte kjo vajzë që e shoqëronte Pashain edhe në momentin e fundit të jetës kur u vra në atentat? Pikërisht për këtë arsye ajo u bë publike në gjyqin e Avni Rustemit në të cilën u thirr si dëshmitare.

Quhej Dyfur Eliz dhe ishte vetëm 22 vjeçe, ndërsa Pashai 58 vjeç. Ja dëshmia e saj: “Jam metresa e Esat Pashës që prej gati 10 muajsh, me të cilin jam njohur në Danvil, në muajin shtator të vitit të kaluar, e që prej asaj kohe kemi jetuar si bashkëshortë. Esat Pasha kishte shumë të holla në dispozicion të tij dhe shpenzonte pa masë. Depozitoi para meje një shumë fort të rëndësishme në bankë….

Gjenerali ishte i martuar dhe më kishte bërë të ditur se së afërmi i vinte gruaja, prandaj dhe mua më duhej të largohesha ditën e martë. Ai vetë do të vendosej në të njëjtën vilë Seid që kishte zënë me qira për dy vjet”.

Pasi hoqi dorë nga mbështetja që i bëri dhe pasi e njohu mirë pashain aventurier, Mit’hat Frashëri rrëfen edhe një episod më shumë për të treguar jetën e shthurur të Esadit: “Një ditë ai takoi përpara shtëpisë së tij në Tiranë një vajzë të sjellshme, të cilën e pyeti se e kujt ishte. “Jam vajza jote”, iu përgjigj fëmija i pafajshëm”.

Jeta personale e Esadit ishte bërë piktoreske edhe për të huajt, teksa në librin “Paris 1919”, mbesa e kryeministrit anglez, George Lloyd, shkruan: “Bashkëshortja e parë e kërcënoi Esadin sepse po e ndante dhe do merrte gruan e dytë, ajo e kërcënoi dhe për këtë në Tiranë e admiruan shumë.”

PARFUMI “ESAD PASCHA” NË PARIS!

“Chanel”, “Coco Chanel”, janë markat më ndjellëse të parfumeve në Paris. Por në vitin 1919, në kryeqytetin e parfumeve, kishte edhe një markë më shumë dhe jo pak të njohur. Në etiketë shkruhej: Parfum “D’Essad Pacha”.

Mos u çudisni! Një kryeministri me gradën gjeneral, një komandanti me 3 mijë ushtarë, një frekuentuesi të salloneve mondane të Parisit dhe të hoteleve të luksit dhe një kontraversi si Esad Pasha i duhej edhe një erë e mirë me vete.

Dhe çfarë parfumi se! Një lëng të rrallë të trashëguar për 500 vjet nga Karl Topia, gjenerali i Skënderbeut, nga i cili pretendonte se kishte prejardhjen Esad Pasha dhe që formulën e dispononte vetëm ai.

Dhe që një ditë, në shenjë mirënjohjeje, e ndau këtë sekret, duke ia vënë në dispozicion formulën Fernando Nonza-s, komandantit të shtabit qendror të forcave aleate në Lindje, të cilin e kishte njohur që në 1914.

Ja çfarë shkruante komandanti francez: Esad Pashë Toptani në zyrën e tij në Selanik, kur ishte shpallur kryeministër. “Nga një përzierje lulesh e bimësh, shumë më të rafinuara nga sa mund të mendohet sot, Karl Topia kishte mundur të siguronte një koncentrat nga ky parfum me fuqi të pashtershme.

Sekreti i këtij parfumi u trashëgua te pasardhësi fisnik i Karl Topisë, njëri prej të cilëve është gjeneral Esad pashë Toptani. Më 1 janar 1919, Esad Pasha më solli si dhuratë për Vitin e Ri formulën e përgatitjes së këtij parfumi.”

Ervina Toptani, nusja e një prej pinjollëve të familjes Toptani, ka marrë në vitin 2011 një dhuratë tejet të veçantë nga Parisi: Pikërisht një parfum ekskluziv me emrin “D’Essad Pacha.” /konica.al/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com