Loading...

Meta kokë më kokë me Papa Franceskun: S’duhet të vuani nga dimri demografik, rrallë kam parë…

Një takim shumë i rëndësishëm ka qënë ai i Presidenti i vendit, Ilir Meta të zhvilluar me Papa Franceskun ne Vatikan. Presidenca ben me dije se Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Selisë së Shenjtë në rimëkëmbjen shpirtërore e sociale të komunitetit katolik dhe popullit shqiptar, veçanërisht pas daljes së vendit nga izolimi i gjatë komunist dhe vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta e falënderoi Papa Françeskun, për lartësimin mbarëbotëror të simbolit më domethënës shpirtëror të kombit shqiptar, Nënë Terezës, përmes shenjtërimit të saj.

Duke shprehur mirënjohjen për vëmendjen e veçantë që Papa Françesku ka treguar për popullin shqiptar, Presidenti Meta, e siguroi Atin e Shenjtë për vokacionin e qartë e të pandryshuar evropian të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për të ecur në rrugën e integrimit evropian. “Shenjtërimi i Nënë Terezës, si dhe lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare dhe emërimi i At Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan, na bëjnë krenarë ne shqiptarët dhe na japin më shumë besim e forcë për ta ruajtur e promovuar me vendosmëri e përkushtim bashkëjetesën e harmoninë shembullore ndërfetare e kanonike” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut na rikthen në kujtesën tonë jo vetëm marrëdhënien e ngushtë të Heroit tonë Kombëtar me Selinë e Shenjtë, por edhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e civilizimit evropian duke përcaktuar qartë identitetin evropian të shqiptarëve,” vuri në dukje Presidenti Meta gjatë takimit me Atin e Shenjtë. Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe rëndësinë e jashtëzakonshme që ka bashkëjetesa ndëretnike dhe fetare në dobi të stabilitetit, sigurisë, paqes dhe mirëqenies të popujve tanë për të mos u rikthyer më kurrë në konfliktet e përgjakshme të viteve 90-të.
Ati i Shenjtë vlerësoi forcën e shqiptarëve dhe përkushtimin e tyre për t’u ringritur shpirtërisht pas periudhës së gjatë të shtypjes dhe ndalimit të besimit, nënvizoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë veçanërisht në fushën e lirisë së besimit dhe shprehu mbresat e tij të jashtëzakonshme nga vizita e tij në Shqipëri dhe mikpritja që ju rezervua gjatë kësaj vizite historike.

“Gjatë kthimit nga Shqipëria një nga gazetarët më pyeti se përse kisha zgjedhur të bëja vizitën e parë në Evropë, në Shqipëri, në një vend jo anëtar të Bashkimit Evropian, unë iu përgjigja se zgjodha Shqipërinë për të dhënë një mesazh,” – tregoi Ati i Shenjtë gjatë audiencës së posaçme me Presidentin Meta. Presidenti Meta dhe Ati i Shenjtë diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e mprehtë të emigracionit, luftën kundër varfërisë, rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe kujdesin ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj gruas dhe fëmijëve, në këndvështrimin e ndërtimit të një shoqërie më njerëzore dhe të një bote në paqe.

Ati i Shenjtë dhe Presidenti Meta diskutuan mbi rëndësinë e madhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të rinjtë me qëllim ndalimin e fenomenit të largimit nga vendi i tyre dhe mbajtjes larg nga veset, droga dhe fenomenet negative sociale. “Evropa po përjeton një dimër demografik,” – u shpreh Papa Françesku, ndaj, vendi juaj duhet të mos vuajë nga ky fenomen, i cili kërkon një përkujdesje, përkushtim dhe vëmendje më të madhe në edukimin, arsimimin dhe krijimin e mundësive më të mira për ta. “Rrallë kam parë”, – tha Papa Françesku gjatë audiencës, “aq shumë të rinj gjatë vizitës sime në Tiranë sa në asnjë vend tjetër e duhet bërë gjithcka që ata të qëndrojnë në vendin e tyre.” Gjatë kësaj audience të posaçme të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta shoqërohej nga familja e tij.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com