Të hënën pritet të nisë procesi mësimor, por me sa duket jo në të gjitha shkollat apo kopshtet.
Inspektorati Shëndetësor Shtetëror në fund të vitit të kaluar konstatoi se ishin plot 729 subjekte që nuk përmbushnin kushtet higjieno-sanitare, dhe paralajmëroi se nuk do të nisnin vitin e ri shkollor pa i përmirësuar ato.
Kryeinspektori Eltar Deda u shpreh për Top Channel:
“Nuk na rezulton të mbyllen shkolla, por nëse nuk i zgjidhin ato probleme që kemi konstatuar, do të bëjmë mbyllje të pjesshme.
Problemet që janë hasur në shkolla, çerdhe apo kopshte lidhen kryesisht me lagështirën, ndërkohë që në ato shkolla që kanë dhe kopshtet pranë, nuk janë përshtatur tualetet për më të vegjlit.
Rekomandimet kanë konsistuar kryesisht në eliminimin e lagështirës, në plotësimin e nyjave hidrosanitare, në plotësimin e hapësirave me dritë, në zëvendësimin e mjeteve mësimore të amortizuara dhe në rrethimet e shkollave.”
Edhe kopshtet apo çerdhet publike, ku prindërit paguajnë disa fish kanë shfaqur probleme, ndërsa që akoma nuk dihet se sa është numri i shkollave që rrezikojnë të mos e fillojnë vitin e ri shkollor nga e hëna.
Pritet që Inspektoriati të marrë masa të ashpra ndaj të gjitha shkollave që nuk zbatojnë udhëzimet e saj.