Loading...

Piramidat, lavatriçet e mëdha të larjes së parave të drogës, si lindën dhe si u kthye Shqipëria në një Afganistan

Kush e ngatërron Shqipërinë me Kolumbinë, bën një gabim trashanik ose nuk di shumë gjë për historinë apo gjeopolitikën e trafikut të narkotikëve.

Ndërsa në Kolumbi, narkotrafikantët u bënë aq të fuqishëm sa arritën të korruptojnë me miliardat e tyre strukturën vertikale të shtetit, gjë që është mjaft manovër e mundshme dhe jo shumë e vështirë, në Shqipëri ndodhi e kundërta.

Që në fillim të nisjes së trafikut të heroinës në Shqipëri, droga u administrua nga njerëzit e afërt me pushtetin, madje edhe me majat më të larta të saj.

Pas humbjes së referendumit të Kushtetutës së nëntorit 1994, kur Sali Berisha e pa që kishte shumicën e njerëzve normal kundër tij, vendosi të ndryshojë totalisht skemën e lojës, i dha një akses më të madh njerëzve të fortë, trafikantëve, kontrabandistëve, njerëzve që do të arrinin të ndryshonin strukturën normale të jetesës në vend, duke e ndarë shoqërinë dhe zhvendosur atë.

U zerua pjesa normale e njerëzve që punonin ndershmërisht, duke u zëvendësuar me lumpenin i cili mori pozita shumë të rëndësishme në shoqëri.

Si në drejtimin e PD-së në rrethe ashtu edhe në drejtori e struktura vendore, u emëruan njerëz që ishin afër karteleve të sapolindura të drogës.

Ajo ndodhi kudo: në Tiranë, Shkodër, Shijak, Durrës, Berat, Dibër, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Permet e gjetke.

Këta njerëz u bënë aq të pushtetshëm sa ndikonin fuqishëm në veprimet e Sali Berishës, por edhe të qeveritarëve të tij.

Brenda një kohe të shkurtër në shtet u krijuan dy struktura; njëra e Berishës e tjetra e Aleksandër Meksit, që në fakt nuk ishte gjë tjetët veçse përplasja e dy klaneve të mëdha të drogës që ishin në armiqësi me njëri-tjetrin.

Dhe kjo luftë do të shoqërojë fuqishëm zhvillimet në Shqipëri, duke rrënuar e shkatërruar gjithçka; moralin njerëzor dhe strukturën pasurore në vend.

Sasia e madhe e parave në vend lindi nevojën për të pastruar paratë e drogës.

Dikush, një supertrafikant heroine nga Egjipti, i cili ishte njeri shumë i afërt me shërbimin sekret të këtij vendi me lidhje të forta me shërbimin ushtarak serb, pasi blinte armë dhe merrte drogë nga Arkani, solli në Tiranë idenë e piramidave.

Të cilat nuk ishin aspak firma rentiere, por thjesht skema larje parash, me një koficent normalisht të kuptueshëm humbjeje, për ti futur paratë në banka.

Lindi në fillim Aleksandër Grunjasi, më pas disa firma të vogla për tu ngritur gjigandët Gjallica, Vefa, Kamberi, por edhe “humanitarët “Populli” e “Xhaferi”.

Një material i shërbimit sekret Italian që iu dha Fatos Nanos që në vitin 1997, por që ky i fundit e hodhi në koshin e plehrave fliste për një lidhje të dy partive politike PD e PS me firmat rentiere.

Të cilat nuk ishin gjë veçse lavatriçet e mëdha të pastrimit të parave të heroinës.

Nuk e harruam Suden, lavatriçen që kishte lidhje të forta me shërbimin sekret dhe me segmente të qeverisë.

Maksude Kadëna edhe në burg jetonte si konteshë, por asnjë nuk e intervistonte, pasi ishte e ndaluar.

Paratë e heroinës që vinte lumë nga turqia laheshin papushim, futeshin në banka e bëheshin transaksione bankare.

Ndërkohë nisën të blisheshin edhe prona të patundshme pafund, duke krijuar kështu asetet kryesore të mafias në vend.

Duke falsifikuar kadastrat që më pas u dogjën në vitin 1997…

Të gjitha këto u zbuluan nga shërbimet sekrete perëndimore, si dhe nga DEA amerikane, e cila në vitin 1995, zbuloi dhe hetoi të parën ngarkesë të madhe kokaine që vinte në Shqipëri nga Nju Jorku për t’u shpërndarë në Europë.

Me një linjë ajrore që mbante një emër patriotik trafiku bëhej në Rinas në pikë të diellit dhe nga policia e kufurit.

DEA dokumentoi gjithçka. Më vonë kjo linjë ajrore u mbyll por jo kokaina, e cila vazhdoi dhe u kthye në një domen të madh për trafikantët shqiptarë, që nuk ishin gjë tjetër veçse kolonelët e politikës që furnizonin gjeneralët e mëdha.

Po ku shkuan paratë e piramidave ku shqiptarët lanë miliarda kursime? Kush i mori dhe si lëvizën ata.

Si u bënë të pasur: Vehbi Alimuça, një spiun i shërbimit sekret, Fitim Gërxhalliu dhe Shemsie Kadria, të dy agjentë të shërbimit sekret, po ashtu edhe xhaferrët dhe Bashkim Driza.

Gjithçka lidhet me Bashkim Gazideden dhe SHIK-un e tij, i cili edhe krijoi me anë të doganës së Bllatës grupin më të frikshëm kriminal në vend, i cili edhe sot e kësaj dite kontrollon Dibrën.

Por ajo më kryesorja, prishi linjën tradicionale që vinte nga Turqia, duke vrarë “turkun” njeriun që solli heroinën në Shqipëri.

Petrit Ameja, kushëriri i Gazidedes premtoi me anë të Arkanit, zgjatimin e rrugës serbe që sillte heroinën e Afganistanit, e cila ishte më e mira dhe kushtonte më shumë.

Ja pikërisht këtu nisi lufta e madhe që ishte realisht edhe shkaku real i shpërthimit jo vetëm të 1997-s por të një beteje pafund për influencën e tregut të narkotikëve në Shqipëri.

Ky vend, u kthye si Afganistani, jo një shtet normal ku kalonin edhe trafiqet, por një shtet që mbahet nga trafiqet dhe ku gjithçka tjetër ishte dytësore…

Në numrin e ardhshëm do të flasim pikërisht për nisjen e kësaj lufte./Pamfleti

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com