Loading...

Gati projekti i “Vlora Sport”, Idrizi “thumbon” Gjikën: Dritan Leli nuk bezdis qytetin me statuse në “facebook”

Flamurtari do të presë Skënderbeun këtë fillim jave, në ndeshjen e radhës të kampionatit. Përballë tyre do të jenë ish-trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, që tashmë drejton skuadrën vlonjate, dhe ish-portieri i korçareve, Orges Shehi, që tashmë drejton këtë skaudër në rolin e trajnerit. Pra është një sfidë midis mësuesit dhe nxënësit. Adminsitratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka ndjekur nga afër një seancë stërvitore të skuadrës në prag të sfidës ndaj Skënderbeut. Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli, me të cilin kanë diskutuar edhe për projektin “Vlora Sport”.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, e ka cilësluar këtë fillim sezoni për Flamurtarin si pozitiv, ndërsa ka shprehur dëshirën që kjo ecuri të jetë gjatë gjithë kampionatit.

“Erdha me shumë kënaqësi pasi bisedova me Administratorin dhe dua t`a falënderoj për impenjimin që ka dhënë në mbarëvajtjen e klubit. Erdha këtu për të parë një seancë stërvitore dhe për t`i uruar fitore. Ky sezon i ri sportiv ka filluar me një ogur të mirë për Flamurtarin dhe unë dua t`i uroj një vit të mbarë”-tha Leli

Sinan Idriz e ka cilësuar prezencën e kryetarit të bashkisë si vëmendje ndaj skuadrës, sidomos në ndeshje të rëndësishme, siç është kjo ndaj Skënderbeut. Por ai në fillim të fjalës së tij ka hedhur “kunja” ndaj Shpëtim Gjikës, ish-kryetarit të bashkisë Vlorë. Ndonëse nuk e përmendi me emër, në fjalën e tij, Sinan Idrizi, nënkuptoi qartë ish-kryebashkiakun, kur shprehet:

“Ki parasysh një gjë, kryetari i bashkisë nuk është vetëm sot pranë ekipit, por ka qenë gjithmonë. Ai nuk është ai “zevzeku” i facebook, që bezdis çdo njeri. Kryetari i bashkisë i rri gjithmonë nga mbrapa Flamurtarit. Nuk ka ardhur vetëm sot dhe nuk vjen për të bërë “show”. Pra ai rri nga mbrapa pa bezdisur njeri, pa fyer qytetin, pa shkatërruar qytetin, por i rri nga mbrapa në çdo lloj forme Flamurtarit”-thotë Idrizi, duke shënjestruar ish-kryetarin e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i cili shpeshmazi reagon në rrjetet sociale për çështje sportive.

“Vlora Sport” është një projekt që do t`i japë zhvillime të reja sportit në qytetin bregdetar. Dritan Leli ka thënë se janë duke u parë të gjitha projektet e rëndësishme dhe së shpejti do të vendoset për më të mirin.

“Me presidentin e klubit biseduam edhe për projektin “Vlora Sport” që ne duam të realizojmë në territor. Jemi duke punuar të gjithë së bashku, me të gjithë njerëzit që mbështesin presidentin e klubit, stafi i bashkisë Vlorë është duke punuar për të gjitha projektet.  Kur ka një frymë pozitive dhe bashkëpunim të gjithë mund t`ia dalim me sukses. Në Planin Urban të qytetit, kemi vendosur që “Vlora Sport” të ndërtohet në të gjithë njollën, ku aktualisht ndodhet pallati i sportit, pishina e vjetër, stadiumit “Flmaurtari”, por “Vlora Sport” mund të zhvillohet edhe në terrene të tjera në qytetin e Vlorës. Kemi parë disa projekte, kanë ardhur disa ide, jemi duke parë projektin më të mirë dhe së shpejti do të kemi lajme të reja”-tha Dritan Leli.

Sfida ndaj Skënderbeut do të jetë shumë e rëndësishme për Flamurtarin, që këtë sezon e ka nisur mbarë dhe beson në përmbushjen e objektivave në fund të kampionatit.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com