Gazetari investigativ, Artan Hoxha ditët e fundit ka zbardhur detaje alarmante në lidhje me pushtetin e bandave në Shqipëri.
Pas operacionit të disa ditëve më parë të forcave RENEA dhe policisë në fshatin Nikel, Artan Hoxha nga studio e Report TV, për herë të parë ka hedhur dyshime të forta në lidhje me autorët e vrasjes së bankierit Artan Santo në qershor të 2014-ës në mes të bllokut dhe gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, me një atentat të tipit mafioz më 9 shtator 2011.
Gazetari Artan Hoxha tha se autorët e vrasjeve të bujshme janë vrarë, ndërsa tani po kërkohen vrasësit e vrasësve.
“Nuk janë kapur autorët se ata janë vrarë. Kërkojmë vrasësit e vrasësve. Duhet që policia të presë zinxhirin.”-tha ndër të tjera Artan Hoxha.
Sipas gazetarit Hoxha, “Një nga ngjarjet ku autori është nga Nikla është vrasja e bankierit Artan Santo, kryekomunarit në Kukës dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi.”
Ndërkohë, gazetari Hoxha gjithashtu ka komentuar edhe operacionin e djeshëm të forcave RENEA për të kapur dy persona të rrezikshëm në fshatin Remas të Divjakës. Nga studio e Report TV, Hoxha theksoi se përveç Laert Haxhiut personi tjetër që kërkohej ishte Orgest Bilbili, autori i dytë i dyshuar për masakrën e Lushnjes, ngjarje e ndodhur 11 shtatorin e vitit 2017.
Por, Artan Hoxha ka ngritur dyshime të forta se operacioni i policisë është dekonspiruar.
Ai tha se dy personat me rrezikshmëri të lartë në Lushnje i kanë shpëtuar për herë të 14-të policisë.
Ajo çfarë e bën edhe më alarmante situatën, është fatki se sipas tij ka pasur vazhdimisht lidhje me drejtuesit e korruptuar të policisë lokale dhe prandaj kanë informacion dhe operacioni për kapjen e tyre dështon. “Kjo do të thotë që kanë një rrjet shumë të fuqishëm brenda radhëve të policisë.”-theksoi më tej Hoxha.
Sipas Hoxhës, ky grup kriminal ka nën kontroll Lushnjen që prej tetorit të vitit të kaluar.
“Këta personat e sipërpërmendur kanë plagosur nipin e Aldo Bares. Në dy raste të tjera informacioni për operacionin e kapjes së tyre iu është dhënë vetëm drejtuesve të policisë së qarkut Fier dhe jo drejtuesve lokalë dhe prapë ka dështuar operacioni.”-tha Artan Hoxha.
Gjithashtu ai tha se “lapsus i policisë apo i qëllimshëm kjo nuk dihet po fatki është se janë të lirë dhe shumë të rrezikshëm”.
Po ashtu Hoxha tha se këta persona kanë mbështetje edhe nga biznesmenë.
Në të dyja rastet, faktet tronditëse që zbulon Artan Hoxha tregojnë pushtetin e frikshëm që kanë bandat e rrezikshme në Shqipëri dhe se siguria në vend është në kufijtë e alarmantes, ndërkohë që vrasjet e bujshme mbesin pa autor.