Loading...

“Roshnik 2018”, panair i produkteve të zonës së Tomorit

Festat lokale, të cilat po organizohen në të gjithë Shqipërinë, si një mënyrë për të promovuar traditën dhe natyrën shqiptare, u ndalën sot në Berat me Festën “Roshnik 2018”.

“Roshnik 2018” bashkoi fermerët e zonës në një panair të organizuar me këtë rast, për të ekspozuar produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale.

Fermerë të zonave të Roshnikut, Bogdanit, Mimiasit, Vojnikut, Karkanjozit, Dardhës, Kostrenit etj., në stendat e ngritura enkas për këtë aktivitet, ekspozuan disa nga produktet tipike të zonës së tyre, si rrush, fiq, dardhë, mollë, raki, verë, vaj ulliri, komposto, mjaltë, marmelatë, reçel etj.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Prefekti i Qarkut të Beratit, Harilla Dafa i cili theksoi se festa lokale e Roshnikut është një rast i mirë për të promovuar jo vetëm produktet bujqësore dhe blegtorale të kësaj zone, traditat e veçanta të krahinës, por edhe bukuritë natyrore të kësaj treve, të cilat do të ndihmojnë në rritjen e numrit të turistëve e për rrjedhojë edhe për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

Një atmosferë të ngrohtë dhe festive krijoi koncerti i artistëve të Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” dhe Grupi Artistik i Qypërlinjve.

Përfaqësuesit e Bashkisë, të organizatave dhe të shoqatave të ndryshme vizituan kantinën e verës “Alpeta” të Roshnikut, ndërsa në sheshin pranë saj, adhuruesit e sportit të qitjes morën pjesë në qitjen me pjatel.

Festa vazhdoi në bar – restorant “Roshniku” dhe restorant “Dinastia e Qypërlinjve”, ku mysafirët shijuan gatimet tipike tradicionale të kësaj zone./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com