Sipas meteorologëve, shtatori i vitit 2018 nuk do të jetë shtator tipik i vjeshtës së klimës shqiptare.
Meteorologia Tanja Porja thotë: “Pasi siç e kemi parë edhe në këto ditë moti ka qenë tërësisht i kthjellët, ka pasur herë pas here vranësira, shirat kanë qenë fare pak prezentë, ndërkohë që temperaturat në fakt janë relativisht të larta edhe gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, por kryesisht në mesditë.
Këto ditë janë shënuar temperaturat maksimale, 32, 33, edhe 34. Është një periudhë shumë komode për të gjithë ata që nuk janë ngopur me plazhin gjatë stinës së verës, mund ta vijojnë gjatë gjithë muajit Shtator.”
Porja thotë për Tv Klan edhe se muajt tetor dhe nëntor do të jenë më të ngrohtë.
“Ka pasur një aktivizim të fenomenit El nino në Gusht, gjë që ka bërë që Shtatori të jetë 4-5 gradë më i nxehtë se normalja. Dhe me një siguri mbi 80% pritet që edhe muaji Tetor-Nëntori duke përfshirë edhe muajin e fundit të vitit Dhjetori, parashikoj që të jenë më të ngrohtë sesa normalja. Deri në datën 20 Shtator nuk ka mundësi për shira në të gjithë territorin shqiptar, të shpresojmë pas datës 20.”