Loading...

144 rekrutë të rinj nisen për në Shkollën e Trupës në Bunavijë, Vlorë

Në Garnizonin “Skënderbej”, u zhvillua paraditen e sotme një ceremoni e veçantë me rastin e përfundimit me sukses të fazës së dytë të rekrutimit për vitin 2018 dhe nisjes së rekrutëve të rinj në Qendrën Stërvitore Bunavi, për të ndjekur Stërvitjen Individuale Bazë.

Të pranishëm në ceremoni ishin zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm kolonel Petrit Çuni, komandanti i QPR, kolonel Isuf Hamati, prindër dhe familjarë të rekrutëve të rinj, etj.

Zëvendësministri Koçi, në përshëndetjen e tij drejtuar rekrutëve të rinj theksoi faktin se ata nuk do jenë pjesë e zakonshme e administratës shtetërore, por do hyjnë në një nga strukturat, e cila në çdo sondazh ka dalë më e pëlqyera dhe më e dashura për publikun dhe për popullin. “Në sa e sa raste ata që janë përpara jush, që janë bërë pjesë e FA kanë përballuar emergjenca civile në zjarre apo përmbytje. Edhe ju si ata do të bëni të njëjtën gjë. Jam I bindur që do të sakrifikoni nga vetja juaj për të shpëtuar qytetarët tanë, apo për të shpëtuar pronën, atë publike dhe atë private. Jam I bindur se shumë prej jush, ata më të mirët do të jenë pjesë e misioneve ndërkombëtare në Afganistan, në Kosovë, Bosnje, Detin Egje apo edhe në misione të tjera ku do të sjellë zhvillimi i skenës ndërkombëtare e ku do të duhet që Forcat e Armatosura të NATO të jenë prezentë për të ruajtur paqen dhe sigurinë, sepse ju e dini se sot rreziqet janë asimetrike”, – u shpreh ndër të tjera zëvendësministri Koçi.

Një përshëndetje e veçantë në këtë ceremoni u bë dhe nga komandanti i Qendrës së Personel Rekrutimit, kolonel Isuf Hamati, i cili falënderoi ministren e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA në emër të të gjithë personelit të QPR, për mbështetjen e vazhdueshme sidomos në procesin e rekrutimit të të rinjve në radhët e Forcave të Armatosura, u shpreh ndër të tjera: “Ju do jeni brezi që do e çoni më tej stafetën dhe emrin e mirë të Forcave të Armatosura. Ju do t’i shërbeni me devotshmëri atdheut tuaj, ju do të ndihmoni bashkatdhetarët tuaj në çdo rast rreziku dhe emergjence civile, ju do t’i shërbeni paqes kudo duke nderuar dhe mbajtur lart flamurin më të bukur në botë, flamurin kuq e zi”.

Pas kryerjes së procedurave të plota të testimeve përkatëse në Qendrën e Personel Rekrutimit, nga 304 kandidatë që u testuan, u përzgjodhën dhe u shpallën fitues 144 kandidatë, nga të cilët 7 kandidate femra dhe 10 kandidatë me arsim të lartë.

Gjithashtu, në këtë ceremoni 3 ushtarakë morën gradën “major” dhe tre të tjerë “nënoficer”.

aaf

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com