Nga Artur ZHEJI
Në rradhë të parë ai njeh mirë kundërshtarët, të cilët një e nga një, nuk janë dot konkurues ndaj tij, jo thjesht për nga gjatësia, por nga njohja dhe përvetsimi i dobësive të tyre thelbësore.
Dobësia e parë që KM-ja ju a njeh mirë është, politikëbërja e tyre tradicionale sipas parimit: “Mishit të piqet dhe helli mos të digjet!…”
Ky parim që ndjekin verbërisht kundërshtarët e tij politikë, lidhet pra me mos sakrifikimin e asgjëje të dhimbshme që lidhet me jetën e tyre të përditshme, me të afërmit e tyre dhe me partitë e tyre politike, ata mendojnë rrejshëm se “mishi”, pushteti i tyre i ardhshëm pra, do të piqet vetvetiu një ditë, por deri sa të vijë ajo ditë, e rëndësishme është për kundërshtarët e KM-së, që “helli”, e pra, rehatia dhe ekuilibrat e privilegjeve të tyre ekonomike, apo që lidhen me stilin e jetës, të mos preken e të mos lëndohen.
Ironia e kësaj situate lidhet përshembull në marrëdhëniet me biznesin e madh dhe shumë të madh, që kanë lulëzuar fort dhe qartësisht, në periudhën e ish qeverive Berisha dhe Berisha-Meta.
Ata sot, kanë kaluar të gjithë në zonën e influencës së KM-së, sepse duan të vijojnë të bëjnë sa më shumë para, dhe sepse e kanë fituar lirinë e tyre shumë shtrenjtë me qeveritarët e mëparshëm. Por titullarët e Opozitës, në asnjë rast as nuk guxojnë të përmendin këta “tradhëtarë”, që përlajnë çdo ditë konçesione qeveritare, tendera dhe lehtësira biznesi në kurriz të taksave, në kurriz të OSSHE-së, në kurriz të deklarimeve të bilanceve të rreme, ku i zhvasin arkës së Shtetit miliona euro në muaj, me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e funksionarëve përkatës. Dhe në shumicën e rasteve me “Leje” nga lart.
Të paktën 3 arsye janë të qarta përse Opozita vepron kështu:
E para, sepse jo pak individë të saj, duhet të kenë aksionet e tyre në këto biznese të majme, nga ku edhe marrin dividente të majme dhe ku janë sot, ortakë në të njejtat biznese, me “individët” e pushtetarëve të sotëm. E pra, ruajnë edhe shëndetin e aksioneve të tyre ose të miqve të rëndësishëm, shëndet që lidhet më mbarvajtjen e Kompanive të mëdha. Nga ana tjetër, Kompanitë e mëdha, derdhin “kontribute vullnetare”, në të gjitha krahët e politikës kur afrohen fushatat elektorale.
Arsyeja e dytë, lidhet me KM-në. Ai i ka kapur ata më të “Mëdhenjtë” e Kompanive, përmes joshjes faktike, më të madhe se sa paraardhësit, është treguar në disa raste edhe më shumë “zemërgjerë”. Opozita dhe kupola e saj, ka frikë nga armiqësia me ta, sepse kontrollojnë media, blejnë e shesin politikanë edhe në grupet e tyre rast pas rasti, kanë influencë të madhe në votimin e nesërm dhe disponojnë asete të rëndësishme.
E pra, po të sulmohen, Kompanitë multmilionere dhe bosët e tyre, që mbështesin sot fort KM-në, mund të “inatosen” dhe mund të hidhen aktivisht në tregun e politikës, përkrah KM-së, duke dëmtuar akoma dhe më shumë peshoren e brishtë të numrave në disfavor të Opozitës.
E treta, në filozofinë varileshtë, “Mishi të piqet dhe Helli të mos digjet”, KM-ja, di të lëshojë pe rast pas rasti dhe dërgon përmes Kompanive të stërmëdha mike, peshqeshe të majme dhe ftesën e përhershme të formuluar pakashumë: “Politika është një lojë, kjo është rradha ime, nesër rradha juaj, mos më prekni këtu dhe unë nuk ju prek gjithashtu, madje ju mbaj mirë e shëndoshë se kështu më duheni…”
Mesazh ky që herë pas here nuk bie në veshë të shurdhët, përkundrazi, e mpreh dëgjimin e mjaft prej tyre.
Në të gjithë këtë panoramë, KM-ja është tre hapa para, sepse ka rubinetin e influencave, rubinetin e financanve dhe sëfundmi edhe kërbaçin e “Prokurorisë së pavarur” që është ende me sytë nga e kaluara, madje nga e kaluara sa më e largët të jetë e mundur.
Derisa nuk ndjehet fryma e dëshpëruar e njerëzve që shpresojnë te një ndryshim rrënjësor, rotacioni nuk mund të ndodhë. Përderisa Opozitarët të ecin me biçikleta apo me makina të thjeshta dhe jo me makina super të shtrenjta, të vishen firmato e të mos reklamojnë jetën marramëndëse të familjarëve të tyre anembanë botës, KM-ja i sotëm do ta ketë në terezi dhe do ti mbylli me lehtësi skandalet e veta, që shpërthejnë e digjen si flaka e kashtës, pasiqë mediat kanë urdhër të mos gërmojnë, por të bëjnë veçse vizatime në rërë…