Policia vijon aksionin në Nikël të Krujës prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, për të kapur ‘kokat’ e krimit. Pas tre orësh kontrolle, RENEA e FNSH kanë shkuar në banesën e ‘të fortit’ të Krujës, Durim Bami, duke i dhënë mjaftueshëm kohë atij që t’ia mbathë. Durim Bami është një person i njohur për drejtësinë, pasi në 2004 ka qenë i dyshuar për tentativë vrasje.
Bami përmendet edhe nga familjarët e Enver Stafukës, që sipas tyre, u rrëmbye për shkak se ishte në dijeni të krimeve të bandës. Bami është i njohur edhe për atentatin e pretenduar nga Tom Doshi. Ngjarja rezultoi se ishte e sajuar. Për këtë atentat të pretenduar në dyert e Prokurorisë përfunduan të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit.
Në Gjykatën e Tiranës ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa pas 5 seancash gjithçka përfundoi me pafajësinë e Doshit dhe dënimin e Frrokut e Bamit. Por pas një odiseje 3-vjeçare gjyqësore sa në Gjykatën e Krimeve, në Gjykatën e Lartë, në atë Kushtetuese dhe së fundmi në Dhomën Penale të Tiranës dënimi u dha vetëm për Frrokun e Bamin, por asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në burg, pasi dënimi është konvertuar në shërbim prove./korrieri