Referuar Dokumenti Strategjik dhe Planit të Veprimit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues 2017-2021, hepatiti viral B dhe C, Shqipëria mbetet ende një vend me prevalencë të ndërmjetme deri në të lartë të hepatitit viral B (HBV) në popullatën e përgjithshme, pavarësisht uljeve që kanë ndodhur vitet e fundit. Kjo prevalencë llogaritet të jetë 7-9%, ndërsa prevalenca e hepatitit C (HCV) është në shifrat 1-1.5%
Grupmosha më e prekur rezulton të jetë ajo 25-44 vjeç për të dy tipat e Hepatitit. Grupet më të rrezikuara janë personat që kanë kontakt me personat e prekur me këto sëmundje, personeli shëndetësor, personat që marrin transfuzione të shumta të gjakut, përdoruesit e drogave, MSM, gratë shtatzënë, popullata rome.
Gazeta “Shëndet plus” i është drejtuar me një shkresë zyrtare Institutit të Shëndetit Publik ku e pyet nëse janë bërë studime mbi infektimin e personelit shëndetësor nga hepatitet virale. ISHP është përgjigjur se ka kryer studime mbi këtë grup. E sa u takon të dhënave më specifike, në përgjigje thuhet se:
“Në lidhje me përhapjen e Hepatitit B te personeli shëndetësor, theksojmë se sipas studimeve të kryera nga ISHP prevalenca e HBsAg është 8.1%.
Në lidhje me përhapjen e Hepatit C te personeli shëndetësor theksojmë se sipas studimeve të ISHP prevalenca e antiHCV është 0.6%.”
Kujtojmë se çështja e rrezikut të infektimit të personelit shëndetësor nga hepatitet është prekur para disa vitesh, në doktoraturën e një prej mjekeve nefrologe në QSUT. Në atë kohë ish-shefi i pavijonit të nefrologjisë në QSUT, Nesator Thereska është shprehur se:
“Rreziku i marrjes së hepatiteve nuk e kanë vetëm pacientët, por edhe mjekët dhe infermierët. Me pak fjalë i gjithë personeli i spitalit është i rrezikuar. Këtë nuk e them unë, por po të kryhen analizat e mjekëve dhe infermierëve të gjithë janë të infektuar me hepatitin B dhe C.
“Nuk guxoj të bëj analizat, pasi mund të jem një prej të infektuarve. Është një gjë shumë e rëndë për personelin mjekësor, por duhet ta pranojmë, për aq kohë sa kemi zgjedhur të punojmë këtu,” ka thënë Thereska.