Xhevdet Lecini, baba i dy fëmijë me disa martesa të dështuara ka rrëfyer ngjarjen më të rëndë të jetës, pasojat e së cilës vazhdon t’i vuajë akoma dhe sot.
Burri i motrës ka abuzuar seksualisht me gruan e tij teksa kishin shkuar për vizitë 15 vite më parë. “Kunati, – thotë ai, – shfrytëzoi momentin kur ishte vetëm me të”. E shoqja i ka rrëfyer gjithçka dhe ka kërkuar me insistim hakmarrje ndaj tij.
Pasi e ka shqyrtuar këtë çështje me pjesëtarë të familjes së bashkëshortes ka vendosur t’i vërë një gjobë prej 2 milion lekësh të vjetra autorit të kësaj vepre të ulët dhe ky ishte kushti për të mos bërë denoncim ndaj tij në polici.
Kunati nuk u ndëshkua dhe kjo ishte arsyeja që gruaja e Xhevdetit e braktisi atë dhe dy fëmijët e vegjël. Nderi i saj nuk u vu në vend.
Djemtë u rritën pa nënë thotë ai, por edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite situata vazhdon po njësoj. Xhevdet Lecini kërkon të marrë lekët e gjobës, por kur e ka kërkuar këtë motra e ka dhunuar duke e gjuajtur me gurë.
Kjo ishte martesa e tretë e marrë fund për të. Ai e akuzon kunatin se nuk është hera e parë që e ka kryer të njëjtin veprim dhe kërkon lekët për të vënë në vend dinjitetin e humbur.
“Unë jam martuar dy herë. Jam dënuar në kohën e komunizmit me 4 vite burg për shkak të plagosjes që bëra pasi me erdhën për të grabitur në shtëpi. Unë e bëra në shtëpinë time për mbrojtjen.
Kur rashë në burg, bashkëshortja që kisha u lidh me një tjetër. Kur dola nga burgu u ndamë paqësisht. Pastaj u martova me gruan tjetër, me të cilën kam dy fëmijë”, tregon Xhevdeti.
Ai thotë se një ditë bashkë me nënën e tij dhe gruan kishin shkuar për vizitë tek motra ku kishte ndodhur edhe ngjarja e rëndë, raporton “BalkanWeb”.
“Nuk e dija që do ndodhte ajo që ndodhi. Kur shkuam atje burri i motrës abuzoi me gruan time. Gruaja doli e na e tha të gjithëve, ishim 8 vetë. Pasi e diskutuam, motra tha do paguaj gjobë vetëm ta mbyllim këtu. E ramë dakord që të mos denoncoja. Por motra nuk e pagoi gjobën”, thotë më tej babai i dy fëmijëve.
Xhevdeti sqaron se kërkon gjobën prej 2 milionë lekësh sot pasi ka frikë se fëmijët që janë në dijeni të situatës mund të hakmerren ndaj burrit të motrës së tij për nënën e tyre.
“Fëmijët dinë gjithçka. Atëherë kanë qenë të vegjël por e kanë marrë vesh dhe kam frikë se do kërkojnë të marrin hak. Gruaja ndaj më la se nuk u vu dinjiteti në vend. Gruaja më thoshte vrite atëherë”, deklaron Xhevdeti duke shtuar se për sa i përket marrëdhënies së motrës së tij me burrin ka qenë e mirë. “Motra me sa di unë me atë bashkëshort ndihet mirë. Ajo e di sjelljen e tij”, tha Xhevdeti.
Nga ana tjetër motra e tij ka ndërhyrë me anë të një telefonate në studio duke mohuar kategorikisht akuzën e vëllait të saj. Ajo tha se nëse burri i saj do kishte përdhunuar nusen e vëllait nuk do ta kishte mbajtur as një orë. Motra tregoi se Xhevdeti ka qenë disa herë i martuar dhe i ka torturuar gratë dhe fëmijët. Sipas saj, ai kërkon para si gjithmonë.
“Vëllai im është martuar 6-7 herë i rreh i torturon gratë dhe fëmijët. Njëherë vjen tek unë, njëherë tek tjetra dhe do lekë. Nëse do ishte kjo gjë që thotë Xhevdeti nuk do ta kisha mbajtur një orë të grua. Nuk është asnjë llaf i vërtetë. Një herë në 4-5 ditë i sjell fëmijët këtu e kërkon lekë. Unë s’kam mundësi, jam e martuar, kam fëmijë. E kam ndihmuar”, tha motra.
Por edhe pas kësaj telefonate, Xhevdeti tha se fshihen poshtërsi dhe këmbënguli për pagesën e gjobës.