Qytetarët gjermanë kanë dalë në protestë kundër dëbimit të një familjeje shqiptare nga Gjermania. Ata kanë mbledhur 28 mijë firma për të kundërshtuar largimin e familjes shqiptare që po kalon një dramë.
Grupi breakdance i “Knochenbrecher Crew” nga Reinickendorfi, javën e kaluar vallëzoi para Departamentit të Senatit për Çështjet e Brendshme dhe Sporteve. Ata kanë dashur t’i dorëzojnë një listë të firmave politikanit Andreas Geisel (SPD). Këtu nuk bëhej fjalë për sport, por për vendimin e tij për të refuzuar aplikimin në rast të vështirë, të familjes Turtulli nga Shqipëria.
Edhe vajza 13-vjeçare, Marsilda, është pjesë e kësaj ngjarjeje. Ajo duhet të dëbohet së bashku me prindërit e saj. Autoritetet për të huajt kohët e fundit kishin premtuar vetëm një shtyrje të qëndrimit prej disa javësh. Babai tani është në spital. Për shkak të heqjes kirurgjikale të tumoreve të trurit, ai ka shumë probleme dhe i është i varur nga trajtimi psikologjik dhe mjekësor, si dhe kontrollet hetimore në Charité. Megjithatë, autoritetet e të huajve atë e kanë klasifikuar si të përshtatshëm për udhëtim, shkruan “Tagesspiegel”, përcjell Albinfo.ch.
Familja shqiptare në Gjermani kishte ardhur në vitin 2015, por kërkesa e tyre për azil u refuzua në mars të vitit 2017. Dy fëmijët e rritur të familjes, të cilët aktualisht janë duke u trajnuar në Berlin, mund të qëndrojnë në Gjermani. Kërcimtarët e breakdance kanë grumbulluar më shumë se 28.000 firma për Marsildën dhe prindërit e saj, që në fund të shfaqjes t’ia dorëzonin sekretares së Departamentit të Senatit. Politikani i SPD, Geisel nuk ka dashur të prononcohet personalisht për “raste individuale”, për arsye të të dhënave personale dhe privatësisë së familjes shqiptare.
Të huajt që duhet të largohen nga territori gjerman, tek anëtarët e Komisionit të rasteve të rënda mund të aplikojnë dhe fillimisht të kërkojnë këshilla. Më tej, komisioni shqyrton nëse ekzistojnë rrethana që justifikojnë një qëndrim të mëtejshëm për “arsye humanitare ose personale”. Pastaj, si në rastin e familjes Turtulli, ata lëshojnë një peticion tek senatori i brendshëm. Ai nuk është i detyruar ta ndjek opinionin e komisionit, por vendos në bazë të dokumenteve që i janë dhënë atij. Vendimi i tij nuk është subjekt i shqyrtimit gjyqësor.
Në rastin e familjes Turtulli, Geisel ka vendosur të dëbojë familjen shqiptare. Përpjekjet e integrimit të familjes konsiderohen jo të mjaftueshme. Dosjet e autoriteteve të emigracionit thonë se azilkërkuesit nuk kishin kërkuar punë, as nuk kishin ndjekur kurse të gjuhës gjermane, angazhimi në shkollë i 13-vjeçares nuk ishte i mirë. Në fund, Shqipëria vlerësohet si vend i sigurt i origjinës.
Trajneri i breakdance i Marsildës dhe studenti i doktoraturës nga Potsdami, Saman Sebastian Hamdi, ka kundërshtuar. “Vajza është e integruar mirë dhe flet gjermanisht. Herën e fundit ajo ishte zgjedhur edhe si kryetare e klasës. Prindërit kishin marrë pjesë nëpër kurse të gjuhës gjermane, por për shkak të sëmundjes së tij, babai nuk ka qenë më në gjendje t’i vijojë. Më pas, bashkëshortja e tij duhej të kujdesej për shumë gjëra në spital. Edhe ajo kishte punuar si pastruese, deri në momentin që iu ndalua për shkak të lejeqëndrimit të caktuar. Në këtë moment, gruaja ende ka oferta për punë”, thotë Hamdi.
Drejtori i departamentit të neurokirurgjisë së Charité, i është drejtuar me një letër zyrës së emigracionit më datë 31 gusht. Me kërkesën “për të kuptuar situatën aktuale për zgjatjen e mëtejshme të qëndrimit” të familjes Turtulli në Berlin. Tumori kishte shpërthyer sërish dhe ishte “potencialisht kërcënues për jetën”.
Babai në asnjë rast nuk duhet të transportohet. Trajtimi mund të bëhet vetëm në një qendër me përvojë, siç është Charité. Por kjo letër ishte e pnajohur për Departamentin e senatit të brendshëm, shkruan Albinfo.ch. Vendimi i Geisel kundër këtij rasti të vështirë ishte marrë para 31 gushtit.
Administrata e senatit në fillim refuzoi të komentonte mbi letrën e mjekut. “Për shkak të situatës së re, senatori Geisel duhet të rishikojë vendimin e tij”, thotë trajneri Hamdi. Komisioni i peticioneve të dhomës së përfaqësuesve tani i ka kërkuar Departamentit të senatit për punë të brendshme dhe sport një mendim lidhur me rastin.