Pas nisjes së transmetimeve analoge ditën e sotme dhe nisjes së atyre digjitale, ka reaguar AMA. Kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive Gentian Sala në një konferencë për mediat ka deklaruar se me nisjen e transmetimeve digjitale do të ketë më shumë larmishmëri programesh.
Gjithashtu ai deklaroi se cilësia në transmetim do të jetë më e mirë dhe 34 kanale do të jenë falas përmes një dekoderi.
“Sot Shqipëria ka numrin më të madh të kanaleve falas për qytetarët të cilat mund të shihen përmes një dekoderi. Ka më shumë programe, cilësi e lartë dhe 34 kanale falas. Dekoderat janë në shitje në çdo dyqan. 70% e poullsisë është mbuluar me këtë teknologji. Brenda vitit mund të shkojmë drejt mbulimit të plotë”, tha ai.
Referuar reagimeve të qytetarëve ai deklaroi se prej një viti e gjysmë AMA ka njoftuar qytetarët për këtë zhvillim.
“Qyetarët kanë mbi 10 vite që e dinë se kjo procedurë do ndodhte. Informimi formal ka prej një viti e gjysmë që funksion. Sot kemi pasur një numër të lartë telefonatash, mbi 600 dhe është jo normale”, u shpreh Sala.
Gjithashtu 88 mijë dekodera janë shpërndarë falas për familjet me ndihmë ekonomike sipas kreut të AMA-s.
Kujtojmë që qytetarët nuk e kanë mirëpritur ndërprerjen e transmetimeve analoge, përveç se të zënë në befasi shumë prej tyre janë shprehur për kamerën e ‘Fax News’ se ata nuk kanë as mundësi t’i blejnë.
“Mos të ja shohim surratin asnjë politikani, qoftë majtas qoftë djathtas. Dua të shoh një film nuk dua t’ia shoh surratin atyre. Hajdutët ku do i marrin lekët ata. Do i heqim lekët nga blerja e bukës. Do e marr për nipërit dhe mbesat”, u shpreh një nga qytetarët./faxweb